Krimi Ekonomik zbarkon në zyrat e Micro Credit Albania, kompania mashtruese e mikrokredive nën sekuestro

86
Sigal

Oficerët e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit kanë zbarkuar mesditën e kësaj të premte në ambientet e zyrave qendrore të kompanisë Micro Credit Albania. Ky veprim vjen menjëherë pas vendimit të organit të akuzës, i cili më herët sot njoftoi sekuestrimin.

Në ambientet e MCA ka mbërritur vetë kryekomisar Hekuran Bregu, drejtues i njësisë së Krimit Ekonomik. Ai është ndër drejtuesit më të dalluar në organizatën e Policisë së Shtetit dhe prej një viti drejton një ekip të riorganizuar agjentësh për sektorin e Krimit Ekonomik.

Kryekomisari Bregu dhe agjentët nën drejtimin e tij, po kryejnë sekuestrimin e kuotave dhe aseteve/aktiveve (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të Micro Credit Albania, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Tiranës. E njëjta masë do të merret dhe ndaj kompanisë FINAL.

Dy muaj më parë, Banka e Shqipërisë u ka hequr licencat, duke nxjerrë nga tregu dy subjekte financiare jobanka, “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k. për shkak se mashtronin qytetarët me mikrokreditë.

Këto dy shoqëri kanë ngritur skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve. MCA dhe Final kanë sekuestruar llogari bankare duke shkelur ligjin për minimum jetik, si dhe kanë përndjekur e u kanë ushtruar presion kredimarrësve.

Si rrjedhojë, ato kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në dhjetëra milion euro, para dhe prona.