Babëzia për naftën, nuk kursen as varret

412
Sigal

VAZHDON PROTESTA/ Acarohet situata në sektorin e naftës në Gorisht. Protestuesit i bëjnë peticion Qeverisë

Kanë startuar të mërkurën, por kanë vazhduar edhe të enjten protestat e banorëve të fshatrave Gorisht dhe Mërtiraj në Vlorë ndaj firmës që bën punime për nxjerrjen e naftës në këtë zonë. Dalja në sipërfaqe e skeleteve të të afërmeve, ka detyruar ata t’i grumbullojnë ato sipas varreve të dëmtuar dhe të padisin firmën për dëmin që kanë shkaktuar. Ata janë shprehur se kanë përjetuar dhimbje teksa kanë mbledhur kockat e të afërmve të varrosur vite më parë dhe e kanë konsideruar jo vetëm një dëm moral, por edhe ekonomik, për të cilin do t’i drejtohen gjykatës.

Padia

Qytetarët, të cilëve u janë dëmtuar varret e të parëve, kanë vendosur të bëjnë padi ndaj firmës në Gjykatën e Faktit në Vlorë, ku kërkojnë që nga ana e dëmtuesit të bëhen varret në gjendjen e mëparshme. Hapja e rrugës për tek puset që do të shfrytëzohen nga firma, jo vetëm i ka dëmtuar ndjeshëm varret, por ka nxjerrë edhe kockat nga thellësia. Irritimi ka shkuar më tej edhe lidhur me largimet padrejtësisht nga puna të një numri të madh punonjësish.

Rikthimi në punë, krijimi i kushteve

Në ditën e dytë të protestës, ata kanë dhënë ultimatumin: Nëse nuk do të arrihet mirëkuptimi, do të vazhdojnë protestat edhe për rifillimin e punës të punëtorëve të larguar pa asnjë shkak. Duke shkelur të drejtat e tyre në mënyrën më abuzive, ata do të bllokojnë vendburimet e naftës, duke penguar punimet e mëtejshme nga firma. “Jemi pezulluar, duke mos na bërë të dituar asnjë motivacion, kur këtu është djersa dhe jeta jonë. Ne nuk do të lejojmë mjetet që kanë ardhur nga Tirana për të punuar, nëse nuk rifillojmë punën, nëse nuk krijohen kushtet e duhura në vendin e punës. Ne nuk jemi për dhunë e forcë, jemi për dialog, për zgjidhjen e të drejtave që na janë shkelur me të dy këmbët, por nëse do të mungojë dialogu me presidentin e firmës, arma e vetme janë protestat”, janë shprehur ata.

Peticioni

Në një peticion që i është dërguar Qeverisë shqiptare, firmosur nga 30 punonjësit e larguar nga puna, ku kërkohet ndërhyrja për të zgjidhur problemet që ka lindur ditët e fundit, thuhet ndër të tjera se banorët e larguar nga puna si dhe ata që u janë dëmtuar varret nga pakujdesia e firmës, do të bllokojnë puset e naftës, duke ndërprerë prodhimin. Ata kanë kërkuar edhe kthimin e menjëhershëm të aksioneve, të kontributeve që kanë dhënë në bazë të viteve të punës në ndërmarrjen e nxjerrjes së naftës. Sjellja e firmës është jashtë njerëzore, pasi kanë dëmtuar varret, teksa hapej rruga për tek puset, sidoqë padashur, nuk pranojnë ndërtimin e tyre, kësisoj dëmshpërblimin jemi të detyruar ta kërkojmë me anë të gjykatës.

Problemi që acaron punonjësit e naftës

Janë vetë punonjësit që shprehen se nuk është fjala për shkurtime të ligjshme, por për largime të qëllimshme për shkak të bindjeve politike. “Largohen profesionistët, të specializuarit që kanë një jetë në këtë sektor dhe vijnë lista me militantë, që nuk paraqiten ndonjëherë në punë, por ju dërgohet paga në shtëpi”, shprehet një naftëtar i vjetër. Ai vijon se largimet e padrejta dhe ardhjet e qëllimshme do të vazhdojnë vitin e ardhshëm në prag të fushatës elektorale, sikurse ndodhi në prag të zgjedhjeve vendore të 8 Majit.

Pagat

Punonjësit e ndërmarrjes së naftës në Gorisht dhe sektorët e saj, kanë ngritur vazhdimisht probleme, lidhur me shkurtimet pa kriter të punonjësve që kanë mbi 30 vjet që punojnë aty dhe janë në prag të pensionit, ashtu edhe për vonesat për marrjen e pagës, vonesa që shkojnë deri në 3-6 muaj

 Prononcimi i deputetit të zonës, Fatmir Toçi

“Drejtësia do të vijë kur të  shporret qeveria e korruptuar”

Porblemi i banorëve të Gorishtës dhe të Mërtiraj si edhe të banorëve të Vllahinës, është një problem i pazgjidhshëm gjatë këtyre viteve. Ne i kemi ndjekur protestat e banorëve, që nga grevat e urisë, për pushimet nga puna të punëtorëve të naftës, banorë të këtyre zonave. Madje, kemi ndërhyrë edhe të Avokati i Popullit, i cili u premtoi se do të jepte ndihmesën për një zgjidhje sa më të drejtë juridike, sociale. Mirëpo, problemet jo vetëm që nuk gjejnë zgjidhje, por, siç dëshmon edhe greva tashmë treditore e banorëve në Gorishtë dhe Mërtikaj, kompania e naftës, po hap dhe krijon të tjera shqetësime banorëve, duke vënë në plan të parë, fitimin e paskrupullt, duke shlekur jo vetëm ligjet, por edhe diçka më të shenjtë. Kompania e naftës po çvarros të vdekurit, vetëm e vetëm, që të krijojë ndonjë lehtësi. Banorët e zonave të naftës, kanë mbetur pa punë, kanë mbetë pa pronë, pasi kompania e naftës, po u merr edhe pronat fshatarëve, dhe tani po nxjerr nga varri edhe të vdekurit, duke i lënë fshatarët edhe pa indentitet. Më këtë rast, i bëj thirrje kompanisë të naftës, të mos shkojë më tej me padrejtësitë që u bën banorëve, në këtë shtet ku nuk ka drejtësi. Banorët janë të vendosur të luftojnë për tokën e tyre, për të mbrojtur varret e të parëve, por zgjidhja përfundimtare e fatkeqësive do të vijë, kur të shporrim qeverinë e korruptuar, e cila mbron kompaninë e naftës.

Gëzim Hoxha, kryetari i komunës së Vllahinës:

“Unë i jap të drejtë kompanisë së naftës. Fshatarët bëjnë presion”

Kryetari i Komunës të Vllahinës, kur është koha e votimit, i kërkon votat e fshatarëve, me premtimin se do t’i përfaqësojë e mbrojë interesat e tyre, ndërsa tani bëhet zëdhënës i të drejtave të kompanisë së naftës dhe kundër interesave të fshatarëve të komunës së Vllahinës. I pyetur për “Telegraf”, kryetari i Komunës së Vllahinës, për grevën treditore të fshatarëve të Gorishtës dhe Mërtikaj,  tha: “ Fshatarët nuk kanë të drejtë të ankohen, sepse ata janë shpronësuar nga tokat e tyre, me vendim qeverie, si zonë e tejndojtur, shteti u ka dhënë falas tokë e shtëpi në Çole, dhe unë nuk kam asnjë dijeni për grevën e fshatarëve, askush nuk më ka informuar. Gjithashtu, nuk di që kompania e naftës të ketë bërë asnjë punim, përveçse të nxjerrë naftë. Fshatarët dy herë e kanë humbur gjyqin me shtetin, për çështjen e pronësisë së tyre”. Por Kryetari Hoxha harronë të thotë se këto shtëpi janë dhenë para viteve ’90 kur në atë zonë pati shpërthime gazi dhe këto shtëpi janë të kohës së monizmit dhe jot ë shpronsuara sicc pretendon Kryekomunari nga Kompania e naftës. Madje ai harron të thotë se u janë kompesuar shtëpitë por jo tokat dhe trojet që janë pronë e fshatarve të zonës.