Ish- pronarët denoncojnë masakrën që po bëhet me tokat në bregdet

848
Sigal

Kreu i shoqatës, Aqif Kaçmoli: “Janë 150 mijë m2 troje të tjetërsuara nga zyrat e ZRPP duke përcaktuar shumë pronarë për një truall”

Ish- pronarët e Durrësit denoncojnë masakrën dhe krimet që po bëhen çdo ditë në vend, si pasojë e konflikteve për pronat. “Janë mbi 150 mijë metra katror troje të disa familjeve durrsake, të cilat janë tjetërsuar nga zyrat e ZRPP në Durrës dhe në Tiranë, duke përcaktuar më shumë se dy pronarë për të njëjtin truall toke. “Problematika më e theksuar është në zonën bregdetare, ku për kohë pas kohe, janë marrë jetë njerëzish, sepse është abuzuar deri në ta masë sa asnjë prej institucioneve nuk i jep dot më zgjidhje dhe ka mbetur të zbatohet ligji i kanunit, kështu deklaroi pas masakrës së djeshme, ku mbetën dy të vrarë e dy të plagosur në zonën turistike të Malit të Robit, kreu i shoqatës së Pronarëve Legjitimë në Durrës, Aqif Kaçmoli i pyetur nga “Telegraf”. Kaçmoli tha se në Durrës kanë ardhur pronarë të shpallur nga ZRPP-të dhe gjykatat, prej rretheve të tjera, në mënyrë abuzive. Kreu i shoqatës tregon mbi ankesat e shumta që kanë pronarët në të gjithë vijën bregdetare, jo vetëm në qytet dhe plazh, por në të gjithë Qarkun e Durrësit. “Vetëm në qendër të qytetit ish- pronarët e vjetër kanë tapitë që në kohën e Zogut dhe pas viteve 2000 ka ndodhur që pronat e tyre me dokumente të rregullta nga ZRPP i kanë banorë nga veriu dhe nga jugu, të cilët pasi kanë paguar ryshfete në komisionet e pronave, të ZRPP, gjykatave etj., janë në konflikt të hapur me pronarët legjitimë”, tha Kaçmoli.

Problematika në disa drejtime

Ish-pronarët e Durrësit i bëjnë apel qeverisë për të dëmshpërblyer sipas ligjit të gjithë ish- pronarët pronat, e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje, të cilat ende nuk janë legalizuar, pasi janë në proces legalizimi. Janë me qindra e qindra ish pronarë, të cilët presin me padurim dëmshpërblimin për pronat e zaptuara nga ndërtimet pa leje, të cilat jo vetëm që nuk janë legalizuar, por që nuk dihet se kur do të përfundojë ky proces. Kështu bëjnë me dije drejtuesit e shoqatës së Pronarëve në Durrës, të cilët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë e t’i hapet rrugë bllokimit të këtij procesi ndërsa kundërshtojnë hapur vendimet e qeverisë shqiptare, e cila ka vendosur që të shlyejë me bono privatizimi 50% të vlerës së trojeve që u njihen pronarëve të rinj në proces legalizimi. “Deri tani procesi i legalizimeve është shumë i vonuar, sepse nuk janë akorduar fonde për ish -pronarët dhe as ne si ish -pronarë të vjetër dhe as banorët e rinj nuk mund të quhen pronarë. Ky proces po ecën me hapa të ngadaltë dhe nuk ka asnjë përparim. Pronat tona po i gëzojnë të tjerët, tashmë qeveria nuk na jep edhe dëmshpërblimin që na takon”, pohoi Kaçmoli. “Pronarët do të kundërshtojnë me çdo mënyrë të gjitha ndryshimet e bëra së fundmi nga qeveria në ligjin e legalizimeve, të cilat zgjerojnë numrin e përfituesve nga përdorimi i letrave me vlerë, ku kjo kategori, e cila ka humbur të drejtën për të menaxhuar pronën po përballet edhe me burokraci të tilla”, pohoi Kaçmoli.

Të jepet dëmshpërblim për pronat e zaptuara

Sipas shoqatës së ish- Pronarëve në Durrës, ku pronat e saj u zaptuan nga banorët pas viteve ‘90 duhet të përshpejtohet procesi i dëmshpërblimit dhe të eliminohet përdorimi i letrave me vlerë për të dëmshpërblyer ish pronarët e vërtetë të tokave dhe çmimet për dëmshpërblimin e ish pronarëve të  përcaktohen sipas çmimeve reale të tregut, kjo, pasi sorollatjet për vite të tëra nuk mund të justifikohen me letra me vlerë, nga qeveria shqiptare. Kjo shoqatë, e cila në radhët e saj ka mijëra ish pronarë është shprehur kundër këtij procesi, i cili bëri legjitim zaptuesin dhe la në hije dhe në mëshirë të fatit pronarin e vërtetë, atij të cilit sistemi komunist ja konfiskoi pronën, ndërsa edhe sistemi demokratik nuk ja ktheu kurrë. Ish- pronarët e Durrësit pohojnë se, nismat e ndërmarra së fundmi nga ekzekutivi duke zgjeruar sipërfaqen e tokës që mund të paguhet me letra me vlerë do të bëjë edhe më të pamundur dëmshpërblimin e tyre.

Bregdeti i Ishmit

“Telegraf” më herët, ka trajtuar, gjerësisht abuzimet që po bëhen me pronat në bregdetin e Ishmit një ndër më të lakmuarit nga bizneset vendas dhe të huaj. Banorët e Ishmit kërkojnë zbardhjen e korrupsionit me tokat e shpërndara me ligjin 7501, të cilat po zaptohen nën mbështetjen e policisë dhe shtetit. Mbi 100 familje të fshatit Ishëm, denoncojnë korrupsionin që po bëhet me pronat e tyre.

 Plazhi i Shën Pjetrit

Plazhi i Shën Pjetrit në Ishëm të Durrësit është një nga zonat më të përfolura për makinacionet dhe aferat korruptive që janë bërë me tokat bujqësore, gjatë viteve të fundit. Sipas tyre, në vitet e mëparshëm institucioni i ngarkuar me fuqi ligjore ishte Qarku, i cili nuk i ka regjistruar këto prona e për pasojë nuk përjashtohen edhe abuzimet e mëdha në këtë zonë.

 Gjiri i Lalzit

Në zonën turistike të Gjirit të Lalzit janë dhënë disa leje për ndërtimin e fshatrave turistikë nga KKRRT e Qarkut, vitet e shkuar në kundërshtim të tyre kanë dalë banorët e zonës, të cilët prej vitesh kanë denoncuar shitblerje të paligjshme tokash. Makinacionet e ndryshme që kanë bërë punonjës të hipotekës të Qarkut, por edhe institucioneve të tjera duhet të jenë objekt i punës së prokurorisë.

Mbulohen nga ujërat e zeza zbulimet arkeologjike të Durrësit

100 metra larg prej godinës së gjykatës përball saj ngrihen hijerëndë dy pallate 14- katësh, në qendër të qytetit, konkretisht në lagjen Numër 11, në të cilin para ca vitesh u zbulua një prej mozaikëve më të bukur të Durrësit. Në po të njëjtën distancë gjenden edhe nga Mazoleumi i Dëshmorëve. Pallatet 14 -katësh në dy katet e para mbi tokë funksionojnë për shërbime të ndryshme, ndërsa në 12 katet e sipërm janë apartamente për familjarë. Në pjesën nëntokësore që prej zbulimit të mozaikut shumëngjyrësh është vendosur që të mos ketë garazhe, por të jetë funksionale për vizitimin e mozaikut nga të interesuarit pas arkeologjisë dhe të apasionuarit e kësaj fushe, për të mos lënë edhe interesin që tregojnë turistët e ndryshëm. Por ajo çfarë ka ndodhur aktualisht është një absurditetet fatal, sepse jo vetëm që nuk është i vizitueshëm, por pikërisht prej këtej ka nisur zallamahia dhe katrahura, viktimë e të cilëve janë banorët e pallatit, të lagjes dhe subjektet e ndryshëm të biznesit. Ajo çfarë shikohet me sy, dhe ndjehet që në momentin e parë që shkel në këtë lagje, e cila është vetëm 15 metra larg nga rruga nacionale, është një përshkrim i hidhur, i realitetit tonë urban.

Situata

Kati i nëndheshëm, mbledh prej së paku 5 vjetësh të gjitha ujërat e zeza të dy pallateve, duke kthyer të gjithë lagjen në një VC të madhe publike, të hapur në mes të lagjes. Dhe kjo gropë e madhe ujëmbledhëse është mbushur edhe me plehrat e banorëve, në mungesë të kazanëve të plehrave.    Banorët thonë se pasi Instituti i Arkeologjisë në atë kohë lejoi punimet për ndërtimin e pallateve, të bllokuara për disa javë si pasojë e zbulimeve të rëndësishme arkeologjike, firmës ju la detyrë që kati i nëndheshëm, të kthehej funksional për vizitimin e pasurisë arkeologjike.

Apelojnë banorët

Samiu është një banor, i  cili tregon shqetësimin e të gjithë banorëve. “Si fillim kur hymë në këtë pallat, na u tha se objekti arkeologjik, i cili ishte një mozaik që ne nuk e pamë kurrë se ishte i mbuluar me dhera dhe zhavorr do të ishte i vizitueshëm. Por u bënë 5 vjet që kur kemi hyrë në këtë pallat dhe shikojeni se çfarë ndodh. Shikojeni se është ora 12:00 e mesditës dhe nuk mund të qëndrosh dot jashtë prej mushkonjave dhe prej erës së rëndë të fekaleve. Dimër – verë është po e njëjta situatë. Asnjë prej nesh nuk i mban dyert hapur, deri në katin e 14 fluturojnë mushkonjat, të cilat ushqehen në ujërat e zeza të pallatit, që derdhen në katin e nëndheshëm. Nuk kemi lënë asnjë vend pa shkuar dhe nuk po gjejmë zgjidhje”.