Kostot e fiskalizimit rëndojnë bizneset, ja si luhaten sipas kategorive, nga 120 deri në 1300 euro

722
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Procesi i fiskalizimit synon vërtetimin e transaksioneve nëpërmjet lëshimit të faturave elektronike, sipas sistemit të ri. Për të lëshuar fatura elektronike, biznesi duhet të blejë një kasë të re të teknologjisë moderne, të përshtasë atë ekzistuesen ose të përdorë zgjidhjet software, duke investuar edhe në blerjen e një kompjuteri, instalimin e linjës së internetit dhe printerit. Çdo faturë, që do të lëshohet, do të jetë e nënshkruar elektronikisht dhe për këtë, biznesi duhet të pajiset me certifikatën të lëshuar nga AKSHI. Ky dokument do të rinovohet çdo vit dhe do të jetë i integruar, si te pajisja fiskale, ashtu edhe te programi software. Tarifa vjetore e nxjerrjes së certifikatës elektronike është 4,000 lekë.

Kontabilisti Armand Mala llogarit se kostoja e fiskalizimit, do të varet nga lloji i aktivitetit të biznesit (shërbim, tregti, prodhim, me pika shitje, pa pika shitje, etj.). Referuar çmimeve të tregut, kontabilisti Mala thotë se për biznesin e vogël që zgjedh të blejë kasë fiskale të re, kostoja e fiskalizimit do të jetë rreth 300 euro. Për bizneset e shërbimit, kostoja fillestare e fiskalizimit llogaritet nga 1,200 deri në 1,300 euro, ndërsa shpenzimet më të mëdha do të jenë për prodhuesit, për shkak të tarifave më të larta të zgjedhjeve software.

“Tarifat e zgjedhjeve software për biznesin me xhiro deri në 2 milionë lekë, janë rreth 4,400 lekë në vit (ku përfshihet abonimi, trajnimi dhe suporti).”

Për kategori të tjera biznesesh, kostoja është më e lartë. P.sh. për një kompani shërbimi, kostoja do të ishte: 4,000 lekë certifikata elektronike dhe 140-200 euro zgjidhja software. Kjo është në ato raste kur zgjidhja software nuk është një program kontabiliteti, por i shërben faturimit sipas procesit të fiskalizimit. Nëse do të trokasim në dyert e kompanive që ofrojnë programe për mbajtjen e kontabilitetit, në këtë rast përditësimi i programit, që është i domosdoshëm, do të kushtojë 32,000 lekë dhe shërbimi 29,000 lekë (këto janë çmime faktike të marra nga kompanitë në treg).

Përpos më sipër, do të nevojitet internet me kosto mujore 2,500-3,000 lekë/muaj, si dhe një printer dhe kompjuter. Në rast se kjo kompani lëshon shumë fatura në ditë. Përveç printerit të zakonshëm, do të nevojitet dhe një printer termik 130-150 euro (për të ulur kostot e printimit). Çmimi i një kompjuteri minimalisht kushton 200 euro. Në total, kostoja me çmimet minimale do të jetë rreth fashës së 1,200 – 1,300 euro si investim fillestar.

Kosto të tjera do të shfaqen nëse je kompani prodhuese apo restorant (ku nevojiten fatura për produktin final), zgjidhja software do të jetë më e shtrenjtë se ajo për bizneset e shërbimit apo tregtisë. P.sh. në njërin prej ofertuesve, zgjidhja software kushton 140 euro për kompani shërbimi dhe 265 euro për kompani prodhimi. Nëse në zyrën e financës, një kompani prodhuese, nuk ka vetëm një të punësuar, por disa, për secilin prej tyre nevojiten kosto ekstra për t’i mundësuar përshtatshmërinë me fiskalizimin. P.sh. një prej ofertuesve të shërbimit, do t’u tarifojë 32,000 lekë për secilin kompjuter që do të përditësojë dhe 29,000 lekë për shërbimin. Një problem i procesit është se ofertuesit e programeve të kontabilitetit nuk mundësojnë ndërlidhjen me zgjidhjet software të ofertuesve të tjerë, ose e mundësojnë me çmime shumë të larta.

Regjimi i ri, përveç dërgimit të të dhënave të transaksioneve në kohë reale në serverin e tatimeve, mundëson edhe dhënien e disa informacioneve më shumë nga biznesi, siç janë elementet e sigurisë, duke nisur që nga kodi i pajisjes që po përdor, i prodhuesit, NIPT-i i bizneseve etj.

Çfarë është më e leverdishme për biznesin e vogël

Për biznesin e vogël, që është “Thembra e Akilit” të fiskalizimit, si kompanitë e tregtimit të kasave dhe ato të programeve software rekomandojnë se, më e leverdishme është të mbajnë kasat aktuale, duke i përshtatur për procesin e ri. Nëse një biznes i vogël llogarit të përshtasë kasën ekzistuese, referuar çmimeve maksimale të tregut, kostoja do të jetë rreth 230 euro (120 euro përshtatja e kasës vetëm vitin e parë. Kosto vjetore 32 euro certifikata elektronike + 50 euro mirëmbajtja + 15 euro karta SIM e internetit) dhe nëse do të blejë kasë të re rreth 350 euro (240 euro blerja e kasës së re bashkë me kartën SIM të internetit vitin e parë. Kosto vjetore 32 euro certifikata + 50 euro mirëmbajtja e kasës). Edhe tarifa e internetit është më e lirë, ndërsa për programet është rreth 10 herë më e lartë. Edhe kostoja e mirëmbajtjes së kasës është më e ulët se ajo e mirëmbajtjes së programeve software.

Cilat kasa përshtaten për fiskalizimin

Përshtatja e kasës e llogaritur me çmimet minimale është deri 138 euro. Drejtor i Përgjithshëm i “A.E. Distribution sh.p.k”, z. Bledar Balla, i cili zotëron pjesën më të madhe të kasave që përdoren nga biznesi, garanton përshtatjen e tyre, pavarësisht vitit kur është blerë pajisja fiskale.

“Të gjitha kasat e kompanisë “AED” janë të certifikuara dhe të azhurnueshme për zbatimin e procesit të fiskalizimit. Çdo kasë, pavarësisht vitit se kur është blerë, mund të vazhdojë të përdoret edhe për lëshimin e faturave elektronike. Kostoja për adoptimin e kasës me sistemin e ri varion nga 50 euro deri në 100 euro.

Kërkesa për zgjidhje software

Kompanitë e certifikuara për ofrimin e zgjidhjeve software mbi të cilat do të zbatohet fiskalizimi, pohojnë se, kërkesa e biznesit për to, është e lartë. Arsyet e shtimit të kërkesës kanë të bëjnë edhe me mosshtyrjen e afatit për nisjen e fazës së dytë dhe ngadalësimi i portalit qeveritar pa pagesë ‘SelfCare’, për një numër të lartë faturash. Administratori i “Image & Communications Development sh.p.k.” (Dev.al), Igli Gjelishti, tha se deri tani, për shitjen e zgjedhjeve software devPOS, janë finalizuar 1 mijë kontrata.

“Deri tani, nga administrata tatimore dhe AKSHI, janë certifikuar 30 kompani për ofrimin e zgjidhjeve software. Për bizneset, kostoja fillestare e fiskalizimit, llogaritet nga 1,200 deri në 1,300 euro.”

Sa variojnë tarifat për zgjidhjet software?

Deri tani, nga administrata tatimore dhe AKSHI janë certifikuar 30 kompani për ofrimin e zgjidhjeve software. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, më herët pohoi për “Monitor” se, parashikohet që numri i kompanive të licencuara, të arrijë në 50.

Tarifat e zgjedhjeve software për biznesin me xhiro deri në 2 milionë lekë, janë rreth 4,400 lekë në vit (ku përfshihet abonimi, trajnimi dhe suporti).

Gjithashtu, për të ofruar një zgjidhje të plotë për klientët, ofrojmë për ta printer me bluetooth (me bateri) me kosto vetëm 5 mijë lekë. Alternativat për të zgjedhur biznesin janë të shumta. Edhe në rast se një biznes nuk zotëron një kompjuter, duke blerë një aparat celular që kushton 100 euro dhe një printer me bluetooth, kostoja është më e ulët, se blerja e një kase të re fiskale”.

Çmimet e programeve software I-cash, sipas drejtoreshës ekonomike, znj. Myrvete Pazaj, variojnë nga 60 deri në 260 euro, sipas funksionalitetit që kërkon biznesi. “Çmimi më i lartë i programit është për bizneset prodhuese, pasi është i përfshirë edhe menaxhimi i prodhimit. Programi I-cash është pa limit faturash, klientësh, përdoruesish dhe mund të aksesohet nga disa kompjutera, për një llogari.

Nëse një kompani zotëron disa pika shitje me NIPT-e sekondare, janë njësi të ndryshme biznese. Për secilin nga këto duhet të përdoren programe më vete, por që ndërvepron me programin kryesor. Tarifat në këtë rast janë më të ulëta, duke qenë se janë pika sekondare. Për çdo post që shton, tarifa është 50 euro.”

Çmimet për zgjidhjet software nuk kanë ndryshuar që nga nisja e procesit, tarifat janë 14,400 lekë/vit. Tarifat për azhurnimin e programit të kontabilitetit Financë-5 nisin, sipas zv.administratorit të kompanisë “Infosoft Software Developer”, z. Genti Qiriazi, nisin nga 32,000 lekë.