Evdal Nuri: Sa është numri sot ?

419
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kjo është pyetja që më bën  gruaja  çdo mbrëmje.  Në fillim i përgjigjesha për pandeminë, që shkonte nga  500, 750, 950 e numrin e të vdekurve që vërtitesh nga 15-20. Përsëri më pyet, por tani i përgjigjem për vrasjet, aksidentet me pasojë vdekjet, plagosjet e tjerë. Në datë 25, katër viktima  në aksident. Po në këtë datë, në Sarandë,  një shtetas u qëllua me armë zjarri në ambientet e jashtme të një lokal-disko rreth orës 02:32. Çdo ditë vrasje, aksidente, të plagosur, që s’kanë të sosur. Ajo shqetësohet e më thotë: “Që do vdesim një ditë është e sigurt, por në këtë situatë, s’mund të parashikosh asgjë!”

Do të ishte mirë të vdesësh kur t’na e ketë caktuar Zoti    

Mënyra si jetojmë po na e afron vdekjen. Fjala vjen, nga Covidi kanë vdekur miliona njerëz në Botë. Ai s’pyet s’i ke jetuar dhe a ke frikë nga  vdekja. Ai s’bën diferencim je i pasur, apo i varfër, i mirë apo i keq, burrë apo grua, i ndershëm apo i korruptuar, inteligjent  apo  jo. Të gjithë janë të barabartë para tij. Ai prek të gjitha  organet, por dhe sistemin nervor. Prekja e sistemit nervor e bën të sëmurin ta vuajë edhe më shumë sëmundjen për një kohë të gjatë. Ecuria  është më e pasigurtë dhe vdekshmëria më e madhe. Shqetësoheshim, bënim hesape, dyshonim se numuri i viktimave  tek ne ishte më i madh  se sa raportohej,  dhe kjo është e vërteta. Flitet për mbi 15.000  persona. Edhe më parë  kam theksuar që pandemia do të kalojë, por do t’na lërë pasoja. Një gjë kam të qartë, na ka lënë me stres, ankth e frikën për një jetë të pasigurt. Prekja e sistemit nervor e bën të sëmurin  ta vuajë edhe më shumë. Ecuria është më e pasigurtë dhe vdekshmëria më e madhe. Është koha e momentet kur humanizmi ndershmëria, profesionalizmi, serioziteti  i mjekëve,  të jetë më i madh.  Më ka ngelur në mend që një sëmundje, më lehtë mund të parandalohet, se sa të shërohet.

Krimi po na vret çdo ditë!

Dhe një krim, më mirë mund të parandalohet, sesa të realizohet, e kjo nga organet përkatëse, duke i dalë përpara të keqes.

Sa raste kemi që nga individë  të rrezikuar është kërkuar mbrojtje, por s’i kanë besuar dhe vlerësuar,  e ata e kanë pësuar me jetën e tyre. Ose uniformat blu të Velipojës,  kanë pasur dijeni për konfliktin  mes dy familjeve. Nuk u vlerësua për t’u parandaluar, e ndodhi ajo që tashmë dihet. Tani secili mbron b…..n e tij . U zbulua  një tjetër arsyetim, se nuk është kompetencë e tyre ndarja e plazhit, duke mos marrë pjesë në zgjidhjen e këtij konflikti dhe as nuk e kanë përçuar këtë gjë, tek autoritetet përkatëse. Të paktën njëra prej palëve të përfshirë në konfliktin me katër viktima për shfrytëzimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës, ka operuar pa leje, për shkak të vonesave dhe burokracive ligjore të institucioneve vendore e qendrore të shtetit. Tani përgjegjësinë  ia hedhin njera –tjetrës. Në lidhje me këtë ngjarje,  Ministria e Turizmit e largon përgjegjësinë. Bashkia e Shkodrës e heq përgjegjësinë nga vetja dhe e drejton nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Pra, kur vjen puna për përgjegjësitë, ia hedhin të tjerëve. Tani është koha që shteti të marrë atë që kudo në botë është e shtetit, atë që është publike. Ta menaxhojë në një mënyrë,  që të shërbejë për qytetarët vendas e të huaj, si kudo. Beteja me armët  vetëm tek ne ndodh  dhe është e patolerueshme dhe e dënueshme, por ja që s’dënohen nga organet përkatëse, prokuroria e gjykata. Që s’pranohet dihet, e theksoi dhe Ministri  i Brendëshëm, i cili theksoi që e ka fajin gjykata që s’i dënon!  Pyetja që bën secili është, pse jemi katandisur  në këtë pikë, kur për dobësitë e punës tonë, mundohemi t’ja hedhim të tjerëve ? Pse kujtohemi për të zgjidhur diçka, vetëm kur ndodh hataja ?

Të specializuar për kultivimin e përpunimin e drogës.

Edhe në drogë qenkemi të parët në Evropë

Në grafikun e publikuar në raport: “Shtetet kryesore të origjinës  së kanabisit, sipas raportimeve nga shtetet anëtare”, ku janë anketuar 71 vende,  Shqipëria  e para në Evropë dhe e gjashta në botë! Tek ne mbillet kudo, në Veri dhe Jug, Lindje dhe Perëndim.  Mbillet dhe përdoret pasivisht, sidomos nga të rinjtë. Ajo është e dukshme dhe e prekshme. Çdo javë  shkulen mijëra rrënjë. Por sa mbeten pa shkulur ? Ky fakt të bën të mendosh! Mos janë mbjellë aq shumë, sa ka për t’u shkulur, por dhe për t’u përdorur ? Diçka s’ecën këtu . Pse u dashka të shkojë policia kudo për ta zbuluar e shkatëruar atë ? A ka çdo fshat të plotfuqishëm e kryeplak ? Kjo është puna kryesore e tyre. Njerëzit i përdorin drogat, sepse duan që të ndjehen më mirë ose thjesht, ndryshe.  Ata besojnë në dobishmërinë e tyre. Njerëzit i përdorin drogat për t’u çlodhur,  për t’u argëtuar, për t’u bërë pjesë e shoqërisë, për shkak të kureshtjes, ose për t’i shpëtuar dhimbjes fizike dhe psikologjike. Të rinjtë i përdorin drogat për të njëjtat arsye që i përdorin edhe të rriturit, por më shumë. Kjo është bërë masive!

Pas një aksidenti

Tjetër “sihariq”

Në vitin 2022, vendi ynë do të renditet në vendin e 100 në botë përsa i përket të ardhurave për frymë, duke lënë pas në Evropë, vetëm Kosovën, Bosnjën, Moldavinë dhe Ukrainën.  Provat janë  të qarta që e lidhin varfërinë  dhe me shqetësimin psikologjik . Zgjidhjet për varfërinë shpesh nënkuptojnë  se më shumë pasuri materiale do të kenë njerëzit e  kushte të përmirësuara jetese . Nëse duam të lehtësojmë vuajtjet njerëzore dhe të arrijmë  qëllimin e OKB-së, për t’i dhënë fund varfërisë “në të gjitha format e saj”, deri në vitin 2030, duhet një punë e menduar mirë në përputhje me nevojat aktuale të kësaj shtrese deri tani të diskriminuar,  duhen zbatuar politika të qarta jo në letër, por konkretisht . Kjo më tepër nga korrupsioni. Krahasuar me 5 vjet më parë perceptimi për korrupsionin në Shqipëri është përkeqësuar, nga 84.7 për qind që ishte, në 88.6 për qind aktualisht. Kjo është situata, gjithçka që thuhet jashtë këtij reliteti,  është lojë fjalësh  që fshehin të vërtetën e hidhur që po jetojmë.

Varfërinë e gjen kudo

Si jemi në krahasim me shtetet e rajonit?

Ndërsa 40% e shqiptarëve mendojnë se perspektiva ekonomike nuk është e mirë, 29% kanë qëndrim neutral dhe 31% mendojnë se, ekonomia e tyre do të përmirësohet. Në rajon, më pesimistët për ekonominë e së ardhmes mbeten maqedonasit, pasi 52% e tyre mendojnë se gjendja do të përkeqësohet, ndërsa më optimistët në rajon janë malazezët, pasi vetëm 12% e të anketuarve mendojnë se ekonomia e tyre do të përkeqësohet.  Kur vjen puna te siguria ekonomike, burrat në Ballkan janë më të kënaqur (40%), sesa gratë (32%). Analiza e RCC tregon se Barometri Ballkanik i sigurisë në edicionin 2021 shënoi përmirësime të perceptimit për sigurinë ekonomike.  Një vit më parë, shumica e të anketuarve ishin të pakënaqur me gjendjen ekonomike. Tani, siguria ekonomike perceptohet më pozitivisht, pasi 38% janë të kënaqur dhe 30% të pakënaqur. Në raport me vitin 2020, numri i të pakënaqurve u ul me 16%, dhe numri i të kënaqurve u rrit me 14%. Në të gjithë rajonin pak më shumë se një e treta (38%) perceptojnë situatën e sigurisë si të kënaqshme, ndërsa pak më pak se një e treta (30%) nuk janë të kënaqur. Duhet pranuar se gjithçka që trajtuam janë të lidhura me korrupsionin. Kjo ka sjellë që ç’do ditë të pyesim ? Sa është numri sot ?  Kuptohet, për të keqen, se e mira na ka harruar! Kjo e keqe na ka çuar që Shqipëria rezulton të jetë vendi i 20 më i korruptuar në botë, ku gati 9 në dhjetë shqiptarë, besojnë se korrupsioni është gjerësisht i përhapur.