U vra nga bashkëshorti, përcillet sot në banesën e fundit 50-vjeçarja. Fqinjët: U shokuam, nuk dinim të kishin konflikte. Ajo ishte vajzë e nderuar

178
Sigal

Shtëpia ku Petrit Mamaj vrau bashkëshorten mëngjesin e së martës në Fier, i ka dyert e mbyllura. Trupi i të ndjerës Valentina Mamaj Vruzhi do të përcillet për në banesën e fundit në Levan, nga familjarët e saj, ndërsa fqinjë të familjes Mamaj kanë treguar se çifti ka qenë i qetë, nuk ka pasur probleme e grindje, madje janë shprehur të shokuar nga ajo që ka ndodhur. Ata deklarojnë se 50-vjeçarja ishte një grua e mirë, e nderuar që ishte kujdesur dhe për prindërit e të shoqit.

“Nuk kanë qenë njerëz të konflikteve dhe të sherreve. Kanë qenë njerëz punëtorë, ulnin kokën punonin të dy burrë e grua të rrisnin kalamajtë, të ushqenin kalamajtë”, tha një fqinjë.

“Me të shoqin kisha llafosur nja 2-3 herë, më dukej si çun i mirë, nuk e di. Krim është”, u shpreh një banor.

“Njerëz më të mirë nuk bëhen. Këtë përshtypje kemi dhe na ka dhembur shpirti. Pse ndodhi kjo. Ne kemi 50 vjet këtu, njerëz të mrekullueshëm, familje e mrekullueshme, njerëz pa probleme. Se marrim vesh si erdhi. Gjynah është. E njohim shumë familje të mirë. U habitëm. Ata janë plakur tani, ne i kemi gjetur çuna”, u shprehën dy fqinje të familjes Mamaj.

“Ajo ishte vajzë e mirë, vajzë e nderuar dhe ai djalë i urtë, djalë i mirë. U habitëm kur e dëgjuam. Njerëz shumë të mirë. Ajo i ka mbajtur pleqtë si zonjë, të dy. Dhe ai punonte, se në bashki se ku nuk di. Shumë të mirë kanë qenë që të dy, se si  iu erdhi, si i patën hallet e dinë vetë”, tha një tjetër fqinjë.

Ngjarja e rëndë, e raportuar si vetëvrasje dhe e konfirmuar më pas si vrasje, tronditi mbarë opinionin publik. Pritet që autori, i cili ka pranuar krimin, të dalë përballë togave të zeza të gjykatës së Fierit.