Kostot e çmendura të rrugëve në Shqipëri

1283
Sigal

Zbardhen çmimet e faturave të shfrenuara të PPP-ve, vlera e të cilave i kalon 200% referencat e Bankës Botërore. Çmimit marramendës të koncesionit Milot-Balldren i shtohet një tjetër skandal: Mirëmbajtja e 17 km të kësaj rruge do të kushtojë 10 herë më shtrenjtë se shuma që buxheti shpenzon për të gjitha rrugët e vendit. Ja çmimet për km të rrugëve, të ndërtuara 24 vitet e fundit!

Kostot e çmendura të rrugëve në Shqipëri – Ja diferencat e kontratave të koncesioneve në raport me vlerat reale

 

Banka Botërore rishikoi këtë vit me rritje kostot e ndërtimit të një kilometri rrugë në vendin tonë, duke e çmuar me 6 milionë euro një kilometër autostradë të kategorisë A dhe 1 milion euro një kilometër rrugë sekondare inter-urbane të kategorisë C. Qeveria e kontraktoi rrugën Milot-Balldren, të kategorisë A, nëpërmjet koncesionit PPP me 14.2 milionë euro për kilometër, ose 132% më shumë se standardi i kostove të Bankës së këtij viti. Vlera e plotë e kontratës së Rrugës së Arbrit është ende e fshehtë, ndërkohë që qeveria i ka negociuar fitimet dhe interesat për koncesionet pasi janë shpallur fituesit, duke cenuar garën në themel.

01

Faturat e shfrenuara të PPP-ve, kostot sa dyfishi i referencave të Bankës Botërore

Në kulmin e angazhimit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik-Privat (PPP) disa akse kombëtare rrugore, vjen një studim i Bankës Botërore që analizon kostot e reja të ndërtimit të rrugëve në vend me të dhënat e vitit 2018. Një kilometër autostradë i kategorisë A, e ngjashme me Rrugën e Kombit dhe rrugën Tiranë – Elbasan, kushton 6 milionë euro, sipas një hulumtimi të publikuar së fundmi nga Banka, që analizon shpenzimet që duhet të përballojë Shqipëria për mirëmbajtjen e rrugëve nga fatkeqësitë natyrore. Më tej, një kilometër rrugë interurbane e kategorisë “B” kushton 4 milionë euro, 1 kilometër rrugë interurbane e kategorisë “C” kushton 1 milion euro, 1 kilometër rrugë kryesore urbane e kategorisë “D” kushton 1,2 milionë euro, 1 kilometër rrugë sekondare urbane e kategorisë “E” kushton 1 milion euro dhe 1 km rrugë lokale e kategorisë “F” kushton 800 mijë euro. Banka Botërore i ka rishikuar më rritje kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri kryesisht nga rritja e çmimeve të naftës, kostove të punës dhe lëndëve të para. Kostot e reja për kilometër variojnë nga 800 mijë deri në 6 milionë euro. Këto vlera janë shumë më të ulëta se kontratat e qeverisë për ndërtimin e rrugëve, si me fonde buxhetore ashtu edhe me kontratat e Partneritetit Publik Privat. Gjatë vitit 2018 janë ndërtuar 4.2 kilometër autostradë e kategorisë A2 me 5.3 miliardë lekë, të cilat ishin fonde të brendshme. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, kosto për kilometër përllogaritet në 1.27 miliardë lekë, ose më shumë se 10 milionë euro për kilometër. Qeveria shqiptare ka harxhuar vitin e kaluar për ndërtimin e një kilometri autostradë 4 milionë euro, ose 40% më shumë se kostot e reja të Bankës Botërore. Por shpenzimet katastrofike po vijnë nga kontratat me Partneritet Publik – Privat, të cilat që nga fillimi deri në angazhimin e punimeve kanë kaluar me mungesë të plotë transparencë dhe ende vlerat mbahen të fshehta. Kontrata ndërmjet kompanisë ANK dhe Ministrisë së Financave, për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren, me gjatësi 17,6 kilometra e kategorisë A me gjithë TVSH është rreth 250 mln euro. Kostoja për kilometër përllogaritet me 14.2 milionë euro, ose 2.3 herë më e lartë se kostot që përllogariti Banka Botërore së fundmi.

Arsyeja kryesore që dha qeveria për projektet e Partneritetit Publik-Privat lidhej me faktin që buxheti i shtetit, nuk ka fonde të mjaftueshme për të ndërtuar këto vepra madhore, ndaj kompanitë do të ndërtonin me fondet e veta apo nëpërmjet kredive bankare dhe shteti do t’u paguante me këste dhe interesa (pagesa e parë bëhej kur të kishin mbaruar të paktën 25% e punimeve).

02

Mirëmbajtja e 17 kilometrave me PPP Milot–Balldren, kosto 10 herë më shtrenjtë se ajo që shpenzon buxheti sot për gjithë rrugët në vend

Qeveria shqiptare ka harxhuar vitin e kaluar për të mirëmbajtur të gjitha akset rrugore në vend 1,5 miliardë lekë, ose 12 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare të buxhetit. Kjo sasi fondesh u përdor për akset nacionale kombëtare dhe ato lokale ndërqytetase në të gjithë vendin, të cilat sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës janë rreth 3800 kilometër, nga të cilat 1400 kilometra janë rrugë kombëtare. Duke pasur parasysh që mirëmbajtja shkon kryesisht për rrugët kombëtare, kosto e mirëmbajtjes për kilometër është rreth 7,400 euro. Një shumë e ngjashme edhe më e ulët është dhënë edhe vitet e kaluara. Por shërbimi i mirëmbajtjes së rrugëve pritet të kushtojë shumë më tepër në kontratat koncesionare të sapo nënshkruara nga qeveria shqiptare. Sipas kontratës koncesionare PPP për ndërtimin e aksit 17 kilometër Milot – Balldren mirëmbajtja vjetore do të kushtojë 1.25 milionë euro dhe fillon vitin e gjashtë të projektit, në total 10 milionë euro. Vlera vjetore e mirëmbajtjes së 17 kilometrave nëpërmjet PPP-së për rastin Milot – Balldren është sa 12.5% e fondit aktual që qeveria shqiptare angazhon për mirëmbajtjen e rreth 3800 kilometrave. Në akset më PPP mirëmbajta fillon në gjashtë vitet e fundit pasi 3-4 vite do të zgjasin punimet, teksa për dy vite pas përfundimit të punimeve supozohet se nuk ka nevojë për mirëmbajtje dhe nëse ka, ato mbulohen nga vetë fondet e kompanisë. Për PPP Milot – Balldren, mirëmbajtja kushton 10 milionë euro për të gjithë periudhën. Teksa qeveria po kontrakton punime në rrugë me kontrata PPP me kosto tepër të larta, përdorimi i fondeve që shkojnë për mirëmbajtjen e këtyre koncesioneve është po aq i shtrenjtë. Qeveria kur ideoi ndërtimin e rrugëve me PPP arsyetoi se kostot për mirëmbajtjen e tyre do të ishin shumë të ulëta pas ndërtimit. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës në atë kohë, duke qenë se kompanitë do të kujdeseshin për mirëmbajtjen 6 vitet e fundit të koncesioneve, do të kryenin punime cilësore në mënyrë që të shmangnin kostot e mirëmbajtjes më vonë. Por në kontratat finale të PPP-ve, mirëmbajtja vjen me kosto të larta gjithashtu. Projektet e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë një vrimë e zezë në historinë e shpenzimeve publike, pasi miliona euro janë investuar në disa akse për të cilat janë harxhuar vetëm disa kova me bojë.
Kulmi arriti në investimin e përmirësimit të sinjalistikës në Autostradën Tiranë-Vorë, degëzimi i Rinasit ku qeveria harxhoi gati 5 milionë euro disa vite më parë vetëm për ndriçimin dhe mbjelljen e pemëve zbukuruese, të cilat më vonë u bënë shkak për përmbytjen e autostradës duke sjellë miliona euro dëme për bizneset e zonës për disa vite rresht.

Projekti Milot-Balldren

Kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me gjatësi totale prej 17.2 km, një koncesion i pakërkuar i dhënë kompanisë A.N.K është 213.6 milionë euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP. Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua bankare prej 70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët prej 19.5 milionë euro dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet. Pjesa e mbetur prej 72 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë, teksa kjo shumë përbën rreth 34% të totalit (pa TVSH), ose rreth një të tretën e kostos totale të rrugës.

Shqipëria vendi me koston më të lartë të ndërtimit të rrugëve në Evropë

Kosto totale e ndërtimit të rrugës Milot-Balldren llogaritet të shkojë, duke përfshirë dhe TVSH-në në rreth 15 milionë euro për kilometër, çka e bën vendin tonë, ndër shtetet me koston më të shtrenjtë të ndërtimit të rrugëve në Evropë. Sipas World Highëays, kostot më të shtrenjta të ndërtimit të autostradave në Europë (përjashtuar terrenet shkëmbore) janë në Austri me 12.87 milionë euro / km. Vendi tjetër më i shtrenjtë është Hungaria në 11.21 milionë euro / km, e ndjekur nga Sllovakia në 9.56 milionë euro / km dhe pastaj Republika Çeke në 8.86 milionë euro / km. Në anën tjetër të spektrit, shpenzimet në Danimarkë janë vetëm 5.89 milion euro / km, në Kroaci 6.68 milionë / km, në Slloveni 7.29 milionë / km dhe në Gjermani 8.24 milionë / km).

03

Rrugët me financim të huaj, ndërtohen 10 herë më lirë se me taksat tona

Prej vitesh ekziston një praktikë ku rrugët e ndërtuara me fonde të brendshme kushtojnë shumë më tepër se e njëjta kategori rruge e ndërtuar me financim të huaj. Kjo diferencë sistematike në koston për kilometër të ndërtimit me fonde të brendshme dhe të huaja tregon keqadministrimin e fondeve publike në procesin e investimeve. Për shkak se investimet me financim të huaj kalojnë në procedura e praktika kontrolli, që nuk lejojnë kosto jo logjike.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës në “Raportin e Monitorimit 2018”, shpenzimet faktike për ndërtimin e rrugëve ishin rreth 15 miliardë lekë, nga të cilat rreth 9 miliardë lekë financimin i brendshëm dhe 6.3 miliardë lekë financim i huaj. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës tregojnë se për të njëjtën kategori rruge, kosto e financimit me fonde të brendshme është 10 herë më e lartë se me fonde të huaja.

Nga të dhënat shihet se nga financimi i brendshëm u harxhuan 4.2 miliardë lekë, me të cilat u ndërtuan 28.7 kilometër rrugë të kategorisë C. Kosto për kilometër me fondet e brendshme ishte 146 milionë lekë, ose 1.1 milion euro me kursin aktual të këmbimit. Po për kategorinë C, me fonde të huaja, u harxhuan 205 milionë lekë dhe u ndërtuan 12 kilometra. Kosto për kilometër ishte 17.1 milionë lekë, 136 mijë euro, ose 10 herë më e ulët se me financim të brendshëm.

E njëjta diferencë vlen edhe për kategorinë B. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2018 u investuan 1.7 miliardë lekë, me të cilat u ndërtuan 6.7 kilometra rrugë. Kosto për kilometër ishte 262 milionë lekë, ose 2 milionë euro për kilometër. Kosto për kilometër për të njëjtën kategori rruge me fonde të huaja kushtoi shumë herë më pak. Gjatë vitit 2018 u ndërtuan 89 kilometra rrugë të kategorisë B, me një shumë prej 3.2 miliardë lekësh. Kosto për kilometër ishte 36 milionë lekë ose 294 mijë euro për kilometër.

Siç shihet nga të dhënat, kosto e financimit të brendshëm për kilometër me fonde të brendshme është fiks 10 herë më e lartë se me fonde të huaja. Në përllogaritje nuk përfshihen shpronësimet, pasi këto janë një zë i veçantë që mbulon kostot si për financimin e brendshëm dhe atë të huaj.
Gjatë vitit 2018 janë ndërtuar 4.2 kilometër autostradë e kategorisë A2 2×2 me një shumë 5.3 miliardë lekësh vetëm me fonde të brendshme. Kosto për kilometër përllogaritet në 1.27 miliardë lekë, ose më shumë se 10 milionë euro për kilometër.

Në një studim të posaçëm për kontratat e punimeve në Europë dhe Azi, Banka Botërore e renditi Shqipërinë në vitin 2011 të tretën pas Kazakistanit dhe Azerbajxhanit, për rritje të kostos së punimeve në rrugët, pasi ishin lidhur kontratat. Në Kazakistan, të gjitha kontratat e rishikuara të punëve rrugore të nënshkruara në vitin 2000 u rritën me gati gjysmën e vlerës (me 47%); Azerbajxhani rriti kostot me 31%, Shqipëria me 23%, ndërsa Armenia, Estonia, Gjeorgjia dhe Serbia i tejkaluan mesatarisht kostot me 15%, prag i lejueshëm nga rregullat e Bankës Botërore. Por që atëherë, situata ka ndryshuar kryekëput, pasi kostot thuajse janë dhjetëfishuar për të gjitha kategoritë e ndërtimit të rrugëve./Monitor