Kosto 1 mld euro e patronazhimit  afera më e madhe e rilindjes

25
Sigal

Analizë nga Eduart Sharka, kryetari i Shoqatës së Fermerëve/ Pas ligjit për buxhetin fshihet afera, ku legalizohet me ligj fondi mbi 1 miliard euro në vit për patronazhistët dhe aktivistët, që po shkatërrojnë këtë vend. Kemi administratën më të fryrë se Franca, Italia dhe Gjermania, që nuk i përgjigjet realitet shqiptar, kur shkollat mbyllen nga emigrimi. Hidhen miliona për të digjitalizuar shërbimet, por sërish paguajmë mbi 200 mijë të punësuar në shtet, që i shërbejnë vetëm partisë. Nëse nga shifra 1 miliard euro që “gllabërojnë’ patronazhistët , do shkonte për sipërmarrjet, 5mijë të rinj çdo vit do futeshin në sektorin e bujqësisë. Paga mesatare do të kalonte 900 euro dhe pensionet do rriteshin me 700 euro në vit ose  60 euro në muaj

Ja si pas ligjit për buxhetin, fshihet një nga aferat ku legalizohet me ligj fondi i pagesave të patronazhistëve dhe aktivistëve, që po e varfëron dhe shkatërron këtë vend në mënyrë permanente me kosto mbi një miliard eurove në vit.

Eduart Sharka, kryetari i Shoqatës së Fermerëve 

“Konkretisht, nëse nga shifra 1 miliard euro qw marrin patronazhistwt , 300 milion euro do të shkonin për të incentivuar sipërmarrjet e të rinjve në bujqësi 5000 të rinj çdo vit që do futeshin në sektorin e bujqësisë. Nëse 200 milion euro do të përdoreshin paga mesatare në sektorin publik do të kalonte 900 euro. Pjesa prej 500 milion euro të shkonte për rritje pensionesh 719.4 euro në vit ose 60 euro në muaj), do të rriteshin pensionet në muaj.”

 

Pas ligjit për buxhetin, sikurse edhe vitet e tjera, fshihet një nga aferat më të mëdha të Qeverisë. Pikërisht, me ligj legalizohet vullneti i mbrapshtë i Rilindjes, që po e varfëron dhe shkatërron këtë vend në mënyrë permanente. Me referencë këtë ligj, ndër të tjera, përtej financimit të PPP-ve, kostove të tejfryra të investimeve publike, financimit të tenderave “sekretë” etj., fshihet dhe legalizohet një aferë tejet e madhe, sikurse është ajo e fondit të pagesave të patronazhistëve dhe aktivistëve të regjistruar si punonjës publikë. Kjo gjë ka koston e mbi një miliard eurove në vit.

Nuk është gjetje imja as si teori dhe nuk përbën ndonjë zbulim as në aspektin praktik, pasi është fakt që kemi një administratë publike tejet të fryrë dhe kjo, konsiderohet nga të gjithë që kanë sadopak njohuri ekonomike, si kancer për ekonominë e një vendi.

Rasti i vendit tonë është flagrant në këtë aspekt dhe njeh përmasa të pakrahasueshme. Te ne, administrata e tejfryrë publike, jo vetëm që është, sikurse e përmenda, një kancer per ekonominë tonë të brishtë, sepse i mbingarkon shpenzimet e buxhetit të shtetit me një miliard euro mbi atë që do të quhej normale, por pjesa parazitare dhe militante e kësaj admistrate që nuk ofron asnjë shërbim publik, përveç patronazhimit të zgjedhësve, ka patur dhe vazhdon të ketë një ndikim të fuqishëm në deformimin e demokracisë, për të mos thënë që e ka asgjësuar atë.

Në situatën që jemi, pikërisht, edhe për shkak të tejfryrjes së administratës publike, është jashtëzakonisht i vështirë sigurimi i elementit bazë të demokracisë: zhvillimi i një procesi të lirë zgjedhor, transparent, gjatë të cilit alternativa opozitare të fitojë votbesimin e qytetarëve, duke u qasur me program premtues. Kjo, sepse ushtria e administratës, njeh një lloj organizimi dhe varësie hierarkike, që, jo aq prej vullnetit të vet, se sa prej urdhërit epror, është e gatshme dhe e fokusuar në asgjësimin e çdo alternative, sado premtuese të jetë ajo.

“Rritja e administratës publike nuk i përgjigjet realitetit shqiptar, në një kohë kur shkollat mbyllen nga mungesa e fëmijëve, spitalet dhe njësi të tjera shërbimesh, nga rajonale kthehen në bashkiake, (si në rastin e Lushnjës), hidhen qindra milionë euro për sistemet elektronike, si e-albania e të tjera, fakte që do duhej të pasoheshin me reduktim të fuqisë punëtore në administratë.”

Për ironi, Rilindja trumpeton si risi të projektbuxhetit 2024 rritjen e pagës së administratës publike, strategji, që duket se lajmëron zgjedhje të parakohshme. Thënë kjo, për faktin se Rilindja ka provuar që pas çdo lëvizjeje, në dukje pozitive, fsheh synimin për produkt politik në favor të saj. Është rasti të kujtojmë shprehjen e popullit “Dardha e ka bishtin mbrapa”, ndonëse për Kryeministrin, edhe dardhat bishtëmbrapa, për të qenë të shëndetshme, duhen ngrënë vetëm përpara syve të tij.

Për t’iu referuar shifrave, në bazë të të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2023, në Shqipëri janë të punësuar në total (sektor publik dhe privat) rreth 600 000 vetë; 201 111 nga këta, janë të punësuar në sektorin publik (184 111 të punësuar të përhershëm dhe 17 000 me kontrata provizore). Thënë në përqindje, rezultojnë 33.3 % të punësuar në administratën publike. Në këtë aspekt, jemi me tregues më të lartë se Norvegjia, e cila zë vendin e parë në Europë, me 30.4 %. Ndërkohë, Franca, ka të punësuar në sektorin publik 21.91 % të të punësuarve, Italia, 13.43 %, Gjermania 10.49 %.

Përgjysmimi i shifrës së punëmarrësve në sektorin publik, do të bënte të arrinim në nivelin 16.65 %, duke mbetur mbi Italinë dhe Gjermaninë, që kanë shumë më pak se ne shërbime publike, të cilat i marrin nga sektori privat, jo si PPP-të e famshme tonat.

Në nivelin 17% kemi qenë në vitin 2013, me 164 000 të punësuar në sektorin publik, kur të punësuar në total kishim 964 700 shtetas.

Një analizë të thjeshtë të efekteve të këtij fenomeni dhe çfarë përfitojmë nga kjo reformë, po e parashtroj më poshtë:

Duke llogaritur që në bazë të INSTAT, paga mesatare bruto ne tremujorin e dytë 2023 është 80 207 lekë, shtojmë këtu 16.7 % kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që i paguan punëdhënësi shtet, në shifrën 13 344 lekë në muaj, shkon në 97 601 lekë në muaj për një punonjës. E llogaritur në euro kjo, me kursin 110 lekë/euro, paga shkon në 851 euro në muaj për një punonjës. Pra, 200 000 punonjës herë 851 euro/muaj = 170 200 000 euro ne muaj; për 12 muaj = 2 042 400 000 euro. Pra, 2 042 400 000 (dy miliard e dyzet e dy milion e katërqind mijë) euro  shpenzon buxheti i shtetit në vit për të punësuarit në sektorin publik. Duke e përgjysmuar atë, kursimi do ishte 1 021 200 000 euro në vit. Shifra prej rreth 1 miliard euro, sipas vlerësimit tim (duke mos përfshirë këtu shpenzimet e tjera për funksionimin e administratës), është aferë; është vjedhja më e madhe që u bëhet taksapaguesve shqiptarë.

Sikurse e ceka pak më lart, paguhen de jure për të dhënë shërbim publik, por në fakt, është e ditur tashmë, ushtrojnë shërbim partiak. Përtej së keqes aktuale, që lidhet me parazitizmin dhe shpërdorimin pa kriter të parave të taksapaguesve shqiptarë, ky fenomen na përball edhe me një të keqe tjetër, që lidhet me rrezikun potencial të të qënit modeli më i dëmshëm për të rinjtë tanë, të cilët përballë alternativash të vakëta, kur nuk zgjedhin emigrimin, rrezikojnë të orientohen drejt militantizmit partiak, duke përqafuar modele të gatshëm rrogëtarësh të sektorit publik, që shfaqen si të vetmit që e kanë në terezi, teksa enden rrugëve të qytetit, si të papunë – me kohën që u del tepër edhe gjatë orarit zyrtar të punës.

Përndryshe, në rast se fondet e shpërdoruara tepër, do të shpërndaheshin për të thithur/orientuar të rinjtë në bujqësi, për rritje pagash dhe pensionesh, do të kishim të tjera premisa dhe këtë panoramë shpërndarjeje:

Konkretisht, nëse nga shifra 1 miliard euro, 300 milion euro do të shkonin për të incentivuar sipërmarrjet e të rinjeve në bujqësi (modeli i Greqisë), duke llogaritur 60.000 euro për çdo të interesuar, do të kishim (300 000 000/60 000 = 5000 të rinj çdo vit që do futeshin në sektorin e bujqësisë. Nëse 200 milion euro do të përdoreshin për rritje pagash (200 000 000 / 100 000 të punësuar = 2000 euro në vit /12 muaj = 167 euro në muaj dhe, paga mesatare në sektorin publik do të kalonte 900 euro. Pjesa prej 500 milion euro të shkonte për rritje pensionesh (500 000 000/695 000 = 719.4 euro në vit ose 60 euro në muaj), do të rriteshin pensionet në muaj.

“Në situatën që jemi, pikërisht, edhe për shkak të tejfryrjes së ushtrisë së administratës publike, është jashtëzakonisht i vështirë sigurimi i elementit bazë të demokracisë: zhvillimi i një procesi të lirë zgjedhor, transparent, gjatë të cilit alternativa opozitare të fitojë votëbesimin e qytetarëve, duke u qasur me program premtues.”

Natyrisht, mund të lindë pyetja: “Pse jane tepër 100 000 vetë në administratën publike dhe ku do shkojnë këta njerëz pas kësaj reforme? Do të kishim 100 000 mijë të papunë më shumë.

Po, jane tepër dhe administrata do ishte më efektive pa ata. Ne, që shumicën e shërbimeve publike i kemi të dhëna me PPP, nuk mund të kemi 33.3% të të punësuarve në administratë publike, më shumë edhe se Norvegjia dhe vendet e tjera nordike, që shërbimet publike i kanë 100% shtetërore.

Rritja e administratës publike nuk i përgjigjet realitet shqiptar, në një kohë kur shkollat mbyllen nga mungesa e fëmijëve, spitalet dhe njësi të tjera shërbimesh, nga rajonale kthehen në bashkiake, (si në rastin e Lushnjës), hidhen qindra milionë  euro për sistemet elektronike, si E-albania e të tjera, fakte që do duhej të pasoheshin me reduktim të fuqisë punëtore në administratë.

Pse duhet të paguajmë me taksat tona qindra, apo mijëra vetë si skuadra piari të pushtetarëve vendorë dhe qendrorë? Pse do duhet të mbyten ekranet dhe rrjetet sociale me bëmat e pushtetarëve që mbjellin pemë apo pastrojnë kanale, kur puna e Qeverise apo bashkive preket nga çdo qytetar në jetën e përditshme dhe ë shtë  e dukshme? Na janë bërë të zakonshme skenat ku një punëtor punon dhe dhjetë drejtora e pergjegjësa i qëndrojnë mbi kokë, herë si funksionarë të zellshëm për sytë e qytetarëve kalimtarë e, herë si të atillë, për ata që do t’i ndjekin nga ekranet apo rrjetet sociale.

Besoj se është në kujtesën e gjithësecilit shfaqja spektakolare me gjestikulacione prej aktori e Kryemistrit tonë , teksa komentonte marrjen e  pronësisë së ndërmarrjeve të ujësjellësve nga bashkitë, duke i quajtur ato si çerdhe militantësh, ndërkohë që, në fakt, edhe pas dy vitesh nuk ka marrë asnjë masë për ta luftuar këtë fenomen, që vetë e deklaroi pas tetë vitesh qeverisjeje.

Në fakt, është e njohur demagogjia rilindase, bëhen deklarata, bëhen konstatime kur u nevojiten, për të dhënë idenë e reflektimit, por në fund të fundit, nuk bëhet absolutisht asgjë për ta korrigjuar faktin e deklaruar, pasi i duhet e pacënuar armata e fushatave zgjedhore.

Administrata e pushtetit vendor, në vend që të zvogëlohej pas reformës territoriale, u dyfishua si organikë. Sa për ilustrim, po përmend një fakt të hasur në bashkinë e Lushnjës: në Drejtorinë e Taksave është një zyrë me 7 të punësuar që bëjnë politika të zhvillimit ekonomik dhe për integrimin evropian. Padashur të bëhemi paragjykues, secili mund të ketë një ide për funksionalitetin dhe produktivitetin e një zyre të tillë në  Lushnje. Në fakt, si këto argumente mund të japim pafund, sepse i kostatojmë të gjithë në përditshmërinë tonë.

Jemi të  sprovuar mjaftueshëm tanimë, për të  nxjerrë  konkluzione që , zgjidhja nuk është  punësimi i militantëve të  subjektit fitues, por lipset mirë qeverisje dhe reforma që  çojnë  në  frenimin e shpopullimit të  vendit.

“Në nivelin 17% kemi qenë në vitin 2013, me 164 000 të punësuar në sektorin publik, kur të punësuar në total kishim 964 700 shtetas. Tani sipas INSTAT në tremujorin e dytë të vitit 2023 kemi 201 111. Thënë në përqindje, rezultojnë 33.3 % të punësuar në administratën publike. Ja kalojmë Francës me 21.91 %, Italisë,13.43 % dhe  Gjermanisë 10.49 %.”

Neve na nevojitet një administratë  në nivelin e Gjermanisë, me 11% të të punësurave, shifër që është plotësisht e realizueshme dhe, kam bindjen, me impakt pozitiv në disa sektorë të ekonomisë.

Propozimi im është që opozita të paraqesë një projekt që do të përgjysmojë numrin e të punesuarve në sektorin publik, nga 200 000 që është sot, në 100 000 punonjës publik.

Le të nisë nga  Parlamenti, duke shkuar në shifrën 70, nga 140 deputetë që janë sot. Edhe Qeveria mund të ketë gjysmën e ministrive që ka sot, pa krijuar asnjë mangësi funksionale.

Në një artikull nuk mund të shpalosen detaje lidhur me implementimin e një reforme të tillë, por këtu mund të praqes faktin që kam argumenta të qenësishëm, që  provojnë  se një  reformë  e tillë , është e domosdoshme dhe plotësisht e arritshme.

Për t’i dhënë një përgjigje pyetjes se ku do shkojnë këta 100 000 punonjës që do të largohen nga sektori publik, ndonëse i mbetem idesë që ata që janë tepër, nuk përbëjnë vetëm thjesht tepri dhe parazitizëm, por përbëjnë rrezikun e sipërtrajtuar, po u referohem vetëm të dhënave të INSTAT.

Nga të dhënat e INSTAT rezulton që tregu i punës aktualisht po gjeneron ofertë të bollshme për punë në profesione që nuk kërkojnë kualifikim. Zhvillimi i turizmit rriti ndjeshëm kërkesën për punonjës dhe nga ana tjetër në sektorin e ndërtimit kërkesa për punonjës krahu është e lartë , duke bërë  që pagat për këtë kategori të jenë, shpesh, mbi nivelin minimal. Por dhe asistencë mund të ketë për ata, deri sa të integrohen në sektorin privat. Në fund të fundit, u bëjmë nder dhe atyre që parazitojnë, duke marrë rroga kot në sektorin publik, sepse e vetmja punë që bëjnë në periudhën ndërmjet fushatave elektorale, jane lajket për pushtetarët në rrjetet sociale.

Kësisoj, bëhen dhe ata njerëz që jetojnë me punë të ndershme dhe, natyrisht që, duke dalë nga fushëndikimi i prozhektorëve të pushtetit, do të ndihen më  të lirë dhe ka të ngjarë që të shndërrohen në gjykues më  objektivë të performancës së Qeverisë, duke marrë vendime më të drejta në  proceset elektorale, ku janë “gjyqtarë ”.