Intervistë/ Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Kupa e Pavarësisë në not prej dy ditësh ka ngritur siparin e aktiviteteve dimërore me pjesëmarrje të gjerë të ekipeve nga trevat shqipfolëse

37
Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, i kënaqur me pjesëmarrjen, dhe rekordet e reja të vendosura. Kupa e Pavarësisë i plotësoji pritshmëritë e saj si ne aspektin sportiv, edhe te solidaritetit mbare kombetar.

 

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, i kënaqur me pjesëmarrjen, por dhe rekordet e reja të vendosura. Me bindje të plotë që edhe në aktivitetet ndërkombëtare do të përmirësohen këto rekorde.

Gjergj Vyshka

Kupa e Pavarësisë në not ishte veprimtaria, që ngriti siparin e aktiviteteve dimërore. Për dy ditë pishinat e Akademisë “Te Stela” kanë qenë të pushtuar nga notarët e të gjitha kategorive, ndërsa në të kanë marrë pjesë 8 ekipe, që sollën mbi 140-150 notarë. Madje kanë qenë edhe disa notarë nga Ferizaj, ndërsa janë thyer 9 rekorde kombëtare. Të gjitha këto fakte e bëjnë të kënaqur presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, që në intervistën e tij për gazetën “Telegraf” përmend qëllimin e aktivitetit, por dhe realizimin e objektivave. Sigurisht që mund të kishte një pjesëmarrje më të gjerë të ekipeve nga trevat shqipfolëse, ndërsa në pishina të hapura 50-metërshe të Durrësit tashmë është bërë traditë Kupa Mbarëkombëtare me Kosovën. Në prag janë dhe aktivitetet ndërkombëtare, mbi të gjitha Kampionati Europian i Bukureshtit, ndërsa presidenti Agim Çiraku është i bindur se edhe aty do të ketë rekorde të reja kombëtare. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhënë gazetës “Telegraf” menjëherë pas përfundimit të Kupës së Pavarësisë.

– President së pari Mirëserdhet: Kupa e Pavarësisë ngre siparin e aktiviteteve dimërore apo në pishina të mbyllura. Si ishte kjo paraqitje e notarëve tanë dhe sa e kënaqur është Federata Shqiptare e Notit me këtë aktivitet të parë dimëror?

– Ky aktivitet që zhvillohet për nder të Pavarësisë është një veprimtari që ne e zhvillojmë për nder të atyre burrave, të cilët firmosën dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo dhe për nder të kombit shqiptar, të cilët e meritojnë këtë kupë, të cilën Federata Shqiptare e Notit e zhvillon në ndër të atyre firmëtarëve e shtetarëve të parë. Kupa Pavarësia është një veprimtari, të cilën ne kemi vite që e zhvillojmë. Dhe mbi të gjitha është një aktivitet kyç dimëror. Është një aktivitet që zhvillohet në pishina të mbyllura 25-metërshe dhe në të gjitha herët ka patur rezultate shumë të mira. Edhe dje në fazën e tretë të aktivitetit, apo në ditën e dytë të tij, Kupa Pavarësia ka vendosur rekorde të reja. Ende pa përfunduar faza e tretë e aktivitetit janë thyer 8 rekorde kombëtare dhe kjo nuk është pak. Aktiviteti pati një pjesëmarrje shumë të mirë. Pati mbi 140-150 notarë dhe mbi 10 ekipe, të cilat morën pjesë në këtë Kupë të Pavarësisë. Pak e veçantë në këtë aktivitet të Pavarësisë është fakti që për herë të parë në veprimtaritë tona është se merr pjesë dhe një skuadër nga Pogradeci, që deri më tani nuk e kemi patur pjesëmarrës në këtë lloj aktiviteti. Kupa Pavarësia mbi të gjitha është një kupë Mbarëkombëtare, teksa ne ftojmë nga të gjitha shtetet dhe trevat shqiptare. Madje në këtë kupë na kanë nderuar edhe nga Kosova, ndërsa bëhet fjalë për disa notarë nga Ferizaj, që na nderuan në këtë Kupë të Pavarësisë që u zhvillua në Tiranë.

– A mund të kishte një pjesëmarrje më të gjerë nga trevat shqipfolëse, aq më tepër që i përmendet dhe pak më sipër?

– Ndoshta mund të kishte dhe një pjesëmarrje më të gjerë nga trojet shqiptare në këtë lloj aktiviteti. Por megjithatë ne edhe për kaq sa kanë marrë pjesë jemi përsëri të kënaqur pasi ia kemi arritur qëllimit të aktivitetit dhe për më tepër e kemi realizuar objektivin që kemi patur.

– Të gjithë flasin për një Ligë të përbashkët me Kosovën. Basketbolli dhe volejbolli tashmë e kanë formalizuar. Futbolli është në tentativë. Po në not a mund të kemi një Ligë Unike, Shqipëri – Kosovë?

– Ne e kemi atë aktivitet të përbashkët me Kosovën. E bëjmë gjithmonë në verë dhe e zhvillojmë në Durrës. Pishinat e Durrësit i kemi me standarde olimpike dhe janë 50-metërshe dhe ne atje zhvillojmë vit për vit kampionatin mbarëkombëtar. Në të marrin pjesë ekipet nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga Australia e Amerika. Pra nga të gjitha trevat shqipfolëse. Dhe kjo zhvillohet çdo vit në pishinat e Durrësit.

– Së fundi, jemi në prag të aktiviteteve ndërkombëtare në pishina të mbyllura. Madje është përpara Kampionati Europian në Bukuresht. Çfarë prisni realisht nga këto aktivitete e përfaqësimi i notit shqiptar në to?

– Ne në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, që zhvillojmë presim të thyhen rekorde kombëtare. Dhe ne këtë gjë e kemi arritur pothuajse në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, që kemi patur. Notarët shqiptarë janë paraqitur dhe do të paraqiten me dinjitet. Sepse kanë qenë me stërvitje dhe janë paraqitur me seriozitet, ndaj dhe kanë thyer vazhdimisht rekorde kombëtare.

REZULTATET TEKNIKE TË KUPËS SË PAVARËSISË

FEMRA

50 metra stil i lirë                    Erla Kaçurri (Stela)                 30”88

100 metra stil i lirë                  Julia Xhako (Tirana)               1’02”85

200 metra stil i lirë                  Kaltra Meça (Stela)                 2’12”22

400 metra stil i lirë                  Kaltra Meça (Stela)                 4’34”46

50 metra bretkosë                   Julia Xhako (Tirana)               36”50

100 metra bretkosë                 Julia Xhako (Tirana)               1’20”00

200 metra bretkosë                 Arla Dermishi (Stela)              2’57”31

50 metra shpinë                       Luna Djarmati (Stela)             33”43

100 metra shpinë                     Shirli Zizo (Tirana)                 1’19”44

200 metra shpinë                     Vivian Xhemollari (Tirana)    2’22”04

50 metra delfin                       Kestrina Dande (Stela)                        32”06

100 metra delfin                     Evie Asllanaj (Stela)               1’18”00

100 metra katërnotim  Viki Tafrruku (Vllaznia)                     1’16”88

200 metra katërnotim  Vivian Xhemollari (Tirana)    2’25”32

SI EKIP: STELA 285 PIKË

SPORTISTJA MË E MIRË: Kaltra Meça (Stela) 1199 pikë FINA

MESHKUJ

50 metra stil i lirë                    Greis Koxhaku (Tirana)                      23”50

100 metra stil i lirë                  Amel Delanin (Vllaznia)                     52”56

200 metra stil i lirë                  Amel Delanin (Vllaznia)                     2’01”15

400 metra stil i lirë                  Refat Hazizaj (Stela)               4’26”62

50 metra bretkosë                   Joan Meshi (Partizani)                        31”81

100 metra bretkosë                 Ernel Bozgo (Stela)                1’10”16

200 metra bretkosë                 Riçardo Lula (Tirana)              2’50”47

50 metra shpinë                       Greis Koxhaku (Tirana)                      26”22

100 metra shpinë                     Andi Bajollari (Stela)              1’03”97

200 metra shpinë                     Dart Selimaj (Stela)                2’24”19

50 metra delfin                       Greis Koxhaku (Tirana)                      25”44

100 metra delfin                     Niklas Hoxha (Stela)               1’00”19

200 metra delfin                     Niklas Hoxha (Stela)               2’14”34

100 metra katërnotim  Lajdi Allaraj (Partizani)                      1’05”97

200 metra katërnotim  Dion Daja (Stela)                                2’22”09

SI EKIP: STELA 244 PIKË

SPORTISTI MË I MIRË: Greis Koxhaku (Tirana) 1251 pikë FINA

Kupa e Pavarësisë, 9 rekorde kombëtare

Kupa e Pavarësisë në not ka sjellë 9 rekorde të reja kombëtare në dy ditë aktivitet që janë zhvilluar këtë fundjavë. Gjithçka ka nisur të premten pasdite e për të vazhduar më pas të shtunën paradite e pasdite. Rekordi i parë kombëtar është vendosur në stafetën 4×50 metra stili i lirë nga Partizani për të rinj të moshës 15-16 vjeç. 1’47”29 është rezultati i ri, ndërsa në të njëjtën stafetë, tashmë për femra, Stela ka fiksuar kohën 1’59”60, që ishte për të reja dhe të rritura. Më pas Greis Koxhaku në 50 metra shpinë, që ishte dhe notari më i mirë i aktivitet, për të rinj e të rritur do të fiksonte kohën e re 25”69. Stela shfaqet si skuadër e fortë dhe në stafetën 4×50 stil miks për femra, ndërsa për të reja e për të rritura fikson kohën e re 2’12”16. Një përmirësim me gati katër sekonda, teksa rekordi i vjetër e kishte ndalur kronometrin në 2’16”15. Luna Djarmati në 200 metra shpinë do të vendoste një rekord të ri për fëmijë për grupmoshën 11-12 vjeç. Koha e saj e re ishte 2’36”15, ndërsa rekordi i mëparshëm ishte 2’36”96. Partizani i Dashamir Bregut vjen me një tjetër rekord të ri në stafetë. Këtë herë në 4×100 metra stil i lirë për të rinj me kohën e re 4’00”20. Amel Delanin i Vllaznisë, notari i dytë më i mirë i Kupës së Pavarësisë për djem, në 100 metra stil i lirë për të rinj të moshës 15-16 vjeç do të fiksonte kohën e re 52”56. Përsëri Stela e përsëri në stafetën 4×100 metra stil i lirë për të reja të moshës 15-16 vjeç me kohën e re 4’30”16. Tomas Nasto i Tiranës në 200 metra bretkosë për fëmijë të moshës 9-10 vjeç do të vendoste rekordin e ri me kohën 3’18”22. Dy rekordet e fundit të Kupës së Pavarësisë janë në stafetat 4×100 metra miks. Për fëmijë të moshës 13-14 vjeç, kjo për vajza, Stela do të vendoste kohën e re 4’37”41. Ndërkohë për djem të moshës 15-16 vjeç, Partizani do të jepte kohën e re 4’36”81. Pra plot 9 rekorde që në aktivitetin e parë të sezonit dimëror e kjo nuk është pak për notin shqiptar.

Eduard Cane: Stela, si gjithmonë në krye

Stela ishte skuadra fituese në Kupën e Pavarësisë, kjo jo vetëm për femra, por dhe për meshkuj. Madje duke mbajtur peshën dhe një numër rekordesh të thyera kombëtare pikërisht në këtë Kupë të Pavarësisë. Eduard Cane tashmë drejton të rriturit e të rriturat tek Stela, kurse Sadik Mema është fokusuar tek fëmijët. Për Canen, shpallja fituese e Kupës së Pavarësisë në not nuk është e rastësishme, aq më tepër që garat u zhvilluan në pishinën ku dhe bëjnë çdo ditë stërvitje. “Ne kemi kohë që përgatitemi për këtë aktivitet të parë dimëror. Stërvitja nuk është ndëprerë për asnjë çast dhe për rrjedhojë kemi këto rezultate që ju tashmë i dini. Më duhet të them që Stela ka një grup notarësh të talentuar që nga fëmijët e deri tek të rriturit. E për rrjedhojë do të vazhdojë të jetë në krye të çdo aktiviteti. Dhe në aktivitetet ndërkombëtare ku notarët do të marrin pjesë përsëri do të kemi rezultate të përmirësuara e për këtë jemi të bindur”, -thotë Cane për gazetën “Telegraf”.

Kupa “Klavio Meça”, aktiviteti i radhës.

Në dhjetor, Federata Shqiptare e Notit do të zhvillojë kupën e përvitshme “Klavio Meça” për nder të notarit shqiptar, i cili përpara dy vitesh u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme. Por jo vetëm kaq, sezoni dimëror premton dhe veprimtari të tjera, që janë kampionati kombëtar i fëmijëve, si dhe për të rritur, që më pas do t’ia lërë radhën aktiviteteve verore, të cilat pritet të nisin në muajin qershor. Një ngjeshje aktivitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare, por noti shqiptar është gati për çdo gjë.