Kosova dhe Presidenti Rugova

706
Vili Minarolli
Në Kosovë shkova për herë të parë në qershor të vitit 1994, si i ftuar për të marrë pjesë në kongresin e LDK-së. Aty njoha F. A., I. H., E. T., A. G. dhe A. Xh. si i ftuar nga Maqedonia, por edhe shumë politikanë të tjerë, me të cilët do të miqësohesha më shumë në vijim. Ajo që më bëri përshtypje në këtë vizitë të parë ishte respekti dhe autoriteti i padiskutueshëm i I. R., por edhe mënyra se si u zhvillua kongresi. Nisja e kongresit ishte lajmëruar në orën 10.00 dhe kryetari erdhi në orën 12.00. Ky i fundit foli shkurt, por nuk më kujtohet nëse u mbajt ndonjë raport. Pastaj gjithçka m’u duk formale. Propozimet për anëtarë kryesie u bënë pa procedurë zgjedhjeje, por të caktuar nga i pari. Me kaq u mbyll. Mendova se kjo ishte edhe pasojë e gjendjes, në të cilën ndodheshin nën pushtimin serb, por edhe të grindjeve që kishin filluar midis partive politike të shqiptarëve dhe që kundërshtonin këshillin e partive politike, i cili kryesohej nga I. R. Në vijim vajtjet e mia në Kosovë u bënë të shpeshta. Fillimisht, në dy vajtjet e para, sipas rregullit që më la trashëgim paraardhësi, njoftoja protokollin e MPJ-së së Jugosllavisë (Serbi, Mali Zi) për lëvizjen time në Kosovë, por më pas nuk e zbatova këtë rregull dhe nuk e mora vesh se nga kush ishte kërkuar. Pata menduar që, nëse do të më pyeste dikush përse nuk e zbatoja rregullin e të njoftuarit, do t’i përgjigjesha se as kolegu im dhe përfaqësuesi i tyre në Tiranë nuk e zbatonte një rregull të tillë. Vizitën e parë kur vija në Kosovë e bëja te zyra e I. R., me të cilin bisedoja vetëm për vete. Në këto biseda njoha në personin e I. R. një udhëheqës të madh dhe largpamës. Asnjëherë nuk biseduam për cicmicet e politikanëve të shumtë në Kosovë, siç më ndodhte kur i takoja ata në selitë e tyre. Ai ishte i shqetësuar për të ardhmen e Kosovës dhe kur e dëgjova dy-tri herë në konferencat e shtypit që bënte çdo ditë të premte, kuptova se ishte i vendosur të zbatonte të vetmen rrugë të fitimit të pavarësisë së vendit të tij: atë që u quajt rruga gandiste, paqësore, por që nuk ishte ndjekja e modelit të Gandit. Me zgjuarsinë që e karakterizonte, e cila e gjente shprehjen te pamja e një njeriu të qetë dhe në dukje joaktiv, ai ishte bërë udhëheqësi i pakundërshtueshëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Me largpamësi, në vitin 1991 ia doli të shmangte përfshirjen e Kosovës në luftën e ish-hapësirave të Jugosllavisë së djeshme. Në këtë kohë ishte përfshirë në luftë Kroacia dhe Sllovenia. Udhëheqësit kroatë, gjeneralit Tugjman, i interesonte shumë të hynte në luftë edhe Kosova, për të kërkuar shkëputjen nga Jugosllavia e mbetur. Ai e dinte aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për shkëputje, që ishte shprehur dukshëm në vitin 1981 dhe në vazhdim. Përfshirja në luftë e Kosovës do të thoshte për të zhvendosje e makinës ushtarake serbe në jug dhe lehtësim i frontit të veriut. Ai i afroi Rugovës ndihma të mëdha me materiale ushtarake, por Rugova i refuzoi, pasi kjo do të ishte vetëvrasje për Kosovën. Ai e dinte se në këtë periudhë, kjo lojë ishte pjesë edhe e një politike më të madhe se ajo e ish-republikave të Jugosllavisë që kërkonin shkëputje nga Serbia. Me refuzimin e përfshirjes në luftën e popujve sllavë, Rugova donte t’i tregonte botës se aspiratat e popullit të tij nuk ishin të njëjta me ato të popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë. Në qoftë se formimi i Jugosllavisë kishte qenë edhe çështje e vullnetit të popujve të saj, përfshirja e Kosovës në hapësirën Jugosllave ishte pasojë e politikës së fuqive të mëdha dhe Kosova duhej të trajtohej me statusin e një vendi që nuk kishte të bënte me problemin e dezintegrimit të Jugosllavisë. Nëse do të vepronte ashtu siç po i propozohej tani dhe siç po e kërkonin me forcë shumë politikanë naivë ose që bënin lojën e tjetërkujt, duke e njohur nga afër skenën e politikës që luhej në atë hapësirë, isha i sigurt se Kosova do të shërbente si mall tregu, që fuqitë e mëdha të realizonin interesat e tyre për shtetet e reja që po kërkonin shkëputje. Millosheviçit do t’i njihej e drejta e përhershme mbi Kosovën dhe ky, gjithsesi, do të ishte një kompromis i pranueshëm prej tij. Në Kosovë, kryesisht nga kundërshtarë të Rugovës, pati një fushatë kundër këtij qëndrimi të presidentit, por shpejt e kuptuan se sa i drejtë kishte qenë ai. Në kohën kur Kosova u pushtua ushtarakisht nga ushtria Serbe, regjimi i Beogradit kishte planifikuar të eliminonte shpirtin e rezistencës së shqiptarëve në Kosovë nëpërmjet shfrytëzimit të situatës për zhdukjen fizike të intelektualëve të mendimit dhe të veprimit. Ai i njihte mirë ata që i kishte armiq të pa kompromis ndër vite dhe që do t’i prishnin punë në një të ardhme me këtë status quo. Në gjoja rrëmujën e luftës, ai vrau F. A., njeriun më me influencë pas Rugovës në jetën politike atje, pushkatoi B. K. dhe djemtë e tij, një mendimtar të vërtetë dhe një luftëtar të vendosur për pavarësinë e vendit të vet, por nuk preku shumë të tjerë, që e dinte se ishin vegla të tij ose që i kishte përdorur dhe do t’i përdorte për të futur përçarje midis shqiptarëve, me qëllim që ta kishte më të lehtë pushtimin dhe sundimin. Disa prej këtyre gjoja i shpëtuan eliminimit duke u larguar të maskuar dhe duke u fshehur në Shqipëri. Për ndonjërin syresh u tha se shpëtoi duke u veshur tebdil dhe se ishte vënë në krye të UÇK-së e po luftonte në malet e Kosovës. Në të vërtetë nuk dihej se kur kishte ardhur dhe jetonte në një nga vilat e diktatorit shqiptar, tashmë rezidenca qeveritare. Më pas, komunistët shqiptarë e morën për dore dhe u përpoqën t’ia paraqisnin popullsisë kosovare të ardhur në Shqipëri për shkak të dëbimit nga regjimi serb, si udhëheqësin e ardhshëm të Kosovës. Por pavarësisht naivitetit dhe paditurisë së drejtuesve në Tiranë, populli i Kosovës ia tregoi vendin kukullës së tyre. Unë i kisha parë më sytë e mi gjatë vizitave pothuajse të gjitha kampet ku ishin vendosur kosovarët e dëbuar me forcë nga vendi i tyre dhe se ç’politikë ndiqte Tirana zyrtare për ta përfshirë këtë luftë në planet e saj. Njerëz të Sigurimit të Shtetit, të riaktivizuar pas vitit 1997 në SHIK-un që tashmë drejtohej nga F. K. dhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit me origjinë nga Kosova, qenë shpërndarë nëpër këto kampe për të bërë propagandë në dobi të njerëzve të vet, të cilët mendonte t’i përfshinte në drejtimin e Kosovës së pasluftës dhe të eliminonte ose neutralizonte nacionalistët e vërtetë dhe përkrahësit e I. R., si pengesa kryesore e udhëheqësve të rinj. E dija me kohë që diktatura komuniste në Shqipëri, në bashkëpunim edhe me atë Jugosllave, ndiqte një politikë të njëjtë me ata që arratiseshin në vendet përkatëse. Të arratisurit nga Jugosllavia në Shqipëri, kryesisht kosovarë, ose nga Shqipëria në Jugosllavi, kishin dy alternative: ata që vinin te ne duhet të pranonin të bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ndërsa ata që shkonin në Jugosllavi mund të kërkonin të shkonin në ndonjë vend tjetër, pasi të bënin deklarata kundër vendit të tyre në shtypin vendës, por kjo bëhej kur kërkuesi kishte një bazë se ku do të shkonte. Alternativa e dytë ishte t’i kthenin mbrapsht dhe pas kësaj përfundonin në burg. Prandaj, më e përshtatshme për kosovarët që vinin në Shqipëri ishte të pranonin të bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Në vijim, këta vullnetarë çoheshin për garanci dhe përvojë në disa kampe pune, kryesisht në zonën e Myzeqesë, në fshatra të Lushnjës dhe Fierit. Pas bënin një stazh, ata që donin vazhdonin arsimin e lartë dhe punësoheshin në qytete, sipas planeve të Sigurimit të Shtetit. Pikërisht këta ishin personat që u riaktivizuan gjatë kësaj kohe dhe, gjatë vizitave në kampe, kur më njihnin që isha njeriu i S. B., më informonin se shumë prej tyre i thërrisnin në biseda informative, sipas modelit të UDB-së jugosllave. Nëpërmjet presioneve u kërkonin që të hiqnin dorë nga aktiviteti i tyre politik në favor të LDK-së. Veçanërisht një propagandë e shfrenuar shpërtheu pas arrestimit të Rugovës dhe dërgimit të tij si peng në zyrën e Millosheviçit. E gjithë bota pa atë që dha televizioni i Beogradit, pa Gandin shqiptar të marrë peng nga pushtuesi, një njeri që rrinte në karrige përballë kryexhelatit të shqiptarëve të Kosovës, i heshtur sikur të ishte një kufomë. Kur filloi lufta, I. R. mund të ishte larguar shumë herë dhe pa asnjë vështirësi nga Kosova, por ai ishte udhëheqësi i vërtetë i popullit dhe njësoj si kapiteni i anijes, do të ishte i fundit që do ta braktiste anijen në mbytje. Ai ishte bërë tashmë hero i vërtetë i popullit të tij dhe si çdo hero, jeta e tij nuk i përkiste më atij. Prandaj Millosheviçi nuk e eliminoi Rugovën, pasi ai do t’i sillte më shumë dëm i vdekur sesa i gjallë. Për këtë arsye inskenoi atë që bota pa në televizion, çmitizimin e tij, i cili iu kthye në të kundërt. Ashtu siç u kthye në të kundërt edhe për disa të tjerë në Tiranë, të cilët fërkuan duart nga pamjet e televizionit të transmetuara disa herë. Një propagandë e shfrenuar u ngrit paralelisht me këto përpjekje dhe, për fat të keq, vazhdon ende sot. Fushata kundër presidentit Rugova, si figura kryesore dhe përfaqësuese e luftës për pavarësi të Kosovës, filloi sidomos me daljen në skenë të UÇK-së, me drejtues kryesorë anëtarë të LPK-së, të indoktrinuar nga ideologjia enveriste, kryesisht me banim në Zvicër, ku botohej dhe gazeta e tyre “Zëri i Kosovës”. Duke sulmuar figurën e Rugovës ata synonin të zhvlerësonin politikën paqësore të ndjekur prej tij për gati dhjetë vjet dhe që luajti rolin kryesor në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe aspiratën e një populli për pavarësi. Një rol negativ në këtë fushatë ka luajtur edhe SHIK-u shqiptar i pas ’97-s, që kishte për qëllim të zbatonte platformën e komunistëve shqiptarë për marrjen e pushtetit në Kosovën e çliruar. Por, çliruesi i vërtetë i Kosovës ishte NATO-ja, nën udhëheqjen e SHBA-së dhe pikërisht këta do të kërkonin të vendoseshin standardet demokratike në ndërtimin e shtetit të ri të pavarur. Në vitin 1995 studentët në Beograd u ngritën në protesta kundër regjimit të Millosheviçit, për më shumë të drejta dhe liri. Disa politikanë në Kosovë dhe në Shqipëri menduan se ky ishte një rast oportun për të ngritur popullin në Kosovë kundër pushtimit serb. Pati atë kohë shumë reagime ndaj politikës paqësore të I. R., por ai nuk luajti nga politika që kishte ndjekur deri atë kohë. Në Kosovë u nxitën protesta nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe në krye të tyre u vu një njeri, A. D., që konsiderohej si simbol i rezistencës për liri, por që kishte një formim të cekët politik dhe lëvizja nuk pati jetë, pasi se u shtyp nga policia serbe ende pa filluar. Unë e kam takuar vetëm njëherë në zyrën e tij A. D dhe midis nesh pati një diskutim të tensionuar për qëndrimin ndaj diktatorit shqiptar dhe për kërkesën që në Shqipëri të përgatiteshin ushtarakisht të rinjtë kosovarë. Kisha një këshillë shumë të urtë nga I. R., se çdo gjë në Kosovë është kurdoherë në vëmendje të autoriteteve serbe, gjë që e kishte favorizuar pushtimi gati shekullor. Më kujtohet se pata dy raste që mund të shkaktonin incident me autoritetet serbe. Në garazhin e ambasadës kishim një autoveturë në gjendje shumë të mirë, por kishte motorin e dëmtuar për shkak se ishte përdorur pa pasur vaj mjaftueshëm. Si pasojë, motori qe djegur dhe makina nuk ishte përdorur që nga viti 1990. Ndjeva keqardhje që të lihej e të dilte jashtë përdorimit, prandaj vendosa ta riparonim. Pyeta në Beograd se sa mund të kushtonte riparimi, por shifra që më thanë ishte e papërballueshme për buxhetin e ambasadës, madje këtë shumë nuk mund ta kërkoja as në MPJ. Në një nga takimet me I. R. i fola për makinën dhe e pyeta nëse ishte e mundur që ta sillja për ta riparuar te ndonjë servis në Kosovë, duke i treguar edhe shumën që mund të shpenzoja. Presidenti më premtoi se do ta zgjidhte problemin sa më shpejt me shumën e dollarëve që kisha në dispozicion dhe, pas disa ditësh, nga zyra e tij më njoftuan se do të vinte një makinë për ta marrë e për ta çuar në një servis në Prishtinë. Njoftova me notë të veçantë Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë (atë kohë Serbi dhe Mali i Zi) duke u dhënë targën e makinës si makinë diplomatike dhe emrin e diplomatit që do ta shoqëronte. Mesa duket, makina nga Prishtina ishte nisur nga ora 2 e mëngjesit dhe në orën gjashtë, autokolona me dy makinat dhe një të rimorkiuar u nisën në drejtim të Prishtinës. Rreth orës 12 më mori në telefon diplomati i ambasadës që shoqëronte makinën nga qyteti i Krushevacit dhe më tha se e kishin bllokuar sigurimi serb, duke mos e lejuar të fliste, për gati dy orë, as në telefon. Veç kësaj, ata kishin ndaluar shoferin e karroatrecit, së bashku me makinën e tij, me akuzën se makinat ishin me dokumente jo të rregullta. Mendova të komunikoj në telefon me protokollin e MPJ-së së Jugosllavisë dhe i njoftova për sa kishte ndodhur, duke u thënë që ishte një incident i panevojshëm, pasi ishin kryer të gjitha procedurat e duhura. Sigurisht, ata ishin në dijeni të gjithçkaje. Më thanë që me makinën e ambasadës nuk kishte asnjë problem dhe do ta çonin vetë ata të nesërmen në Prishtinë me një makinë të tyren, por shoferi nga Kosova ishte njeri me probleme dhe nuk i kishte në rregull dokumentet e makinës së tij. Atyre nuk u erdhi mirë kur u thashë se ky ishte një justifikim për të penguar veprimtarinë e ambasadës dhe ua thashë me zë të lartë që të nesërmen do të shkoja vetë për t’u kujdesur për mallin tim dhe për diplomatin, të cilin nuk e kishin lejuar për disa orë të telefononte në ambasadë. Të nesërmen u nisa që në mëngjes. Pasi u takova me diplomatin tim, takimin e radhës e bëra me shefin e sigurimit të qytetit. Në dukje ai u tregua shumë i sjellshëm. Më ofroi diçka për të pirë dhe më kërkoi të falur që kishte ndodhur një keqkuptim i tillë, që më kishte detyruar të vija vetë. Kishin vendosur që transportin e makinës së prishur ta bënin me një karroatrec të tyrin, por unë reagova ashpër, duke thënë se e kishim paguar makinën e parë dhe arrita të nxjerr edhe shoferin nga izolimi. Më pas mora vesh se ai vërtet nuk i kishte pasur dokumentet në rregull. Dikush më tha se mund të kishte qenë edhe bashkëpunëtor i atyre që e kishin ndaluar. Ishte gjë e zakonshme të ndodhte kështu në atë kohë në Kosovë. Ngjarja kishte bërë bujë në Prishtinë dhe veprimi im u vlerësua si një lëvizje e guximshme për të marrë atë që më takonte. 


Sigal