Koronavirusi u merr jetën 42.345 personave. 860.181 të infektuar në të gjithë botën

281
Sigal

Vdekjet nga koronavirusi kanë arritur në 42.345 në të gjithë botën, ndërsa numri i rasteve të te prekurve ka arritur tashmë në 860.181.

Shifrat e frikshme janë raportuar së fundi nga universiteti John Hopkins.

Sipas të dhënave të fundit, më shumë se tre të katërtat e vdekjeve kanë ndodhur në Evropë. Ne total janë 178.359 njerëz të shëruar deri më tani.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë rekord të të infektuarve me virusin vdekjeprurës, pasi regjistrojnë 189 624 raste. Në total, në SHBA deri tashmë kanë humbur jetën nga virusi 4055 persona.

Në Itali deri tani janë regjistruar 105 792 të infektuar me virus, ndërsa kanë ndërruar jetë gjithsej 12 428 vetë. Në Spanjë, të infektuar zyrtarisht janë 95 923 persona, ndërsa kanë humbur jetën 8464 persona.

Kina regjistron gjithsej 82 294 të prekur, ndërkohë që viktimat janë 3305 persona.

Shtim të rasteve ka edhe Gjermania, me 71 808 të infektuar, kurse numri i vdekjeve nga virusi është 775.

Në Francë, janë deri tani 52 836 të infektuar, ndërsa numri i viktimave ka arritur deri tani 3523.