Koreografi, Sadi Halili: “Vallja dyshe”, traditë e Librazhdit”

1359
Sigal

Në Qytetin e Librazhdit ka përfunduar Festivali i 7-të i “Valles dyshe” në breza. Një traditë kjo tashmë për këtë qytet, i cili zhvillohet njëherë në dy vjet. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, koreografi, Sadi Halili, drejtor i  këtij festivali bën të ditur për publikun risit e këtij festivali.

Ka përfunduar Festivali i 7-të i “Valles dyshe” një tradite kjo për qytetin e Librazhdit?

Po festivali i 7-të i “Valles dyshe” në breza është vetë shtrirja gjeografike e Librazhdit që ka një pasuri shumë të madhe të folklorit si atë të kërcimit, të muzikës dhe sidomos vallja dyshe që kërcehet aq shumë nga të gjithë qytetarët e Librazhdit. Kjo më shtynë dhe më shumë të mendoja  7 vite më parë për këtë festival që ta ruaj këtë traditë. Përveç valleve me cyle dhe daulle janë shumë të preferuara dhe vallet të shoqëruara me orkestrim si klarineta, daullet dhe firzamonika.

Pse e mori emrin vallja dyshe në breza?

Siç dihet jo vetëm në artin e kërcimit, por edhe në fushat e tjera kohët e fundit nuk ruhet tradita dhe që ta mbajmë gjallë këtë thesar mendova qe të organizoj festivalin e valles dyshe në breza që ta zgjoj nga brezi në brez.

Cila ishte risia e këtij viti?

Risia e këtij viti ishte grupi i Lezhës që mori pjesë për herë të parë me Vallen e Thëllëzave dhe nga nata e pare u pëlqye shumë vallja dyshe e grave që u këndua nga një grup të moshuarish që luajtën dhe kënduan njëkohësisht.

Sa grupe morën pjesë këtë vit?

Morën pjesë 18 grupe, nga ku 3 prej tyre morën dhe çmim që e vendosi juria që përbëhej nga 3 anëtar. Grupet që marrin pjesë janë, Ansambli Dasama Pozhoran nga Kosova, QK Librazhd, QK Gramsh, SH.K.A Visaret e Krrabës, SH.K.A KOHA DinoshTuz Mali i Zi, QK Burreli. SH.K.A Shqipoja e Dukagjinit Gjakovë Kosovë, SH.K.A Rrajcë, QK Fushë Krujë, QK Lezhë, SH.K.A Turbo Folk Bellësh, QK Tropojë, QK Elbasan, SH.K.A Ginkova, SH.K.A Beslidhja Gorare, SH.K.A Peshkopi, Ansambli Rrugova Pejë Kosovë.

Ndarja e çmimeve

Çmimin e parë e mori QK Burreli

Çmimin e dytë e mori SHKA  Visaret e Krrabës

Çmimin e tretë e mori Ansambli Rugova Pejë Kosovë

Çmimin si grupi i interpretuesi më i mirë e mori SHKA Peshkopi