Familje që jetojnë në banesa ish- pronarësh, flaken në rrugë të madhe

617
Sigal

INTERVISTA/ Flet kreu i shoqatës, Myftar Kurti: “Akti normativ i 6 gushtit, u kërkon që në 1 nëntor të këtij viti të zbrazin shtëpitë”

Një mijë e gjashtëqind familje në Durrës, janë gati për të nisur protestat masive para institucioneve kryesore të qytetit, pas aktit normativ të Qeverisë Shqiptare për të liruar banesat deri në muajin nëntor të vitit 2012. Bëhet fjalë për familjet që jetojnë në shtëpi ish pronarësh, ku në rang Republike janë rreth 3500 të tilla ndërsa vetëm në Durrës gjenden 1600 familje të përfshira edhe në skemën e listës së të pastrehëve në bashkinë e qytetit. Reagimi ka ardhur nga kreu i shoqatës së familjeve që banojnë në shtëpi ish- pronarësh, Myftar Kurti, i cili deklaroi se për të njëjtin akt ka vendosur dy herë Gjykata Kushtetuese. “Kemi për më shumë se 60 vjet të strehuar nga shteti dhe ky është një vendim arbitrar, sepse të hedhësh në rrugë një numër kaq të madh familjesh me një akt normativ, kjo është padrejtësi e madhe, sepse nuk na e ka zgjidhur strehimin”, tha Kurti.

Zoti Kurti, ky është një problem i vjetër, pse keni ndërmarrë si shoqatë një masë ekstreme, nisjen e protestave në rrugë?

Qeveria shqiptare në muajin gusht, e konkretisht në datën 6, të këtij viti ka miratuar një akt normativ, i cili u botua edhe në fletoren zyrtare, ku familjeve që banojnë në shtëpi ish pronarësh u kërkohet që të lënë banesat e tyre brenda datës 1 nëntor të këtij viti. Pas kësaj date çështja i kalon Zyrës së Përmbarimit, e cila na lë afat që të lëmë shtëpitë, ku na ka strehuar shteti. Bëhet fjalë për nenin 9 të ligjit 92 35, për të cilin ne i jemi drejtuar dy herë Gjykatës Kushtetuese dhe kjo gjykatë ka vendosur dy herë në favorin e familjeve të pastreha. Duke parë që në Gjykatën Kushtetuese ne si familje që banojmë në shtëpi ish pronarësh kemi fituar të drejtën për strehim, qeveria vendosi të miratojë një akt normativ, e kësisoj e ktheu në ligj.

Në këtë situatë si keni vepruar, sepse ju keni kaluar disa beteja ligjore në Gjykatën e Lartë?

Sapo u botua në Fletoren Zyrtare ky akt normativ ne i jemi drejtuar për apelim Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e tij. Janë jo pak, por 1600 familje në Durrës dhe 3500 familje në të gjithë vendin, që si alternativë u jepet të dalin nga shtëpitë dhe të nisin proceduarat për të aplikuar për blerjen e shtëpisë me kredi të butë për 20 vjet.

Por këto familje të strehuara nga shteti, në banesa ish- pronarësh, a kanë mundësi dhe a i plotësojnë dot kriteret për të blerë shtëpi nëpërmjet kredive të bankave?

Janë shumë pak prej tyre, sepse në bankë të kërkohet 20% kolateral dhe të ardhura prej 25 mijë lekësh të reja në muaj për frymë, që të aprovohet  kredia. Kjo nuk është e mundur për familjet shqiptare. Nëse familjet shqiptare do të kishin kaq të ardhura në muaj i blinin shtëpitë vetë, pa u sorollatur në dyert e Entit Kombëtar të Banesave dhe të pushtetit lokal për të gjetur strehim.

 Pse çështja e familjeve që jetojnë në shtëpi ish- pronarësh është zvarritur për më shumë se 20 vjet? Pse nuk jeni strehuar më parë?

Në 1993 ishte qeveria Meksi, e cila nuk i dha zgjidhje këtij problemi që të strehoheshim në godinat shtetërore. Neni 9 i ligjit 92 35, u miratua sërish nga qeveria “Nano” dhe pas apelimit të shoqatës u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. E njëjta gjë ndodhi edhe në 2005-n, nga qeveria “Berisha”. Tani është miratuar akt normativ, por ky akt bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur dy herë për të njëjtën çështje.

 Por nëse apelimi nuk do të jetë në favorin e 3500 familjeve?

Atëherë i bie që shteti të na çojë në azile dhe të pushtojmë ndonjë godinë të institucioneve për të futur kokën, sepse Bashkia e Durrësit ka vetëm 48 apartamente të pashpërndara edhe këto për tre vjet, e nuk dihet kur do të shpërndahen. Jo që me kriteret e vendosura nuk përfitojnë familjet e strehuara në banesat e ish pronarëve. E vetmja rrugë mbetet të protestojmë në sheshe, me fëmijë të vegjël dhe pensionistë, sepse nuk ka ku të shkojmë. Bankat nuk japin kredi, e aq më pak atyre të pastrehëve si puna jonë. Duhet të them që në gjithë këta vjet bankat kanë aprovuar kredi të butë për strehim vetëm për 233 familje, sepse kriteret dhe kushtet e vendosura janë strikte dhe shumë të ashpra.