Kontrolli i parasë publike prodhon më shumë liri!

668
*Yllka Pulashi 
Sigal

* Mimoza Bedini 

Sistemet demokratike janë të tilla pikë së pari për shkak të parimit të llogaridhënies dhe përgjegjësisë që gjendet në themel të qenies së tyre. Nga një pikëpamje e mënyrës së funksionimit, llogaridhënia dhe përgjegjësia nuk janë çështje që janë lënë thjesht në dorën e vendimmarrësve, por janë përcaktuar mjete të qarta se si mundësohet ajo. Një nga mjetet kryesore është kontrolli i financave publike, i mënyrës se si ato shpenzohen, i kritereve mbi të cilin programohet përdorimi i tyre dhe i ligjshmërisë së përcaktimit të destinacionit të tyre. Të gjitha vendet, kanë institucione të specializuara të cilat kanë për detyrë bazë pikërisht kontrollin e ligjshmërisë së përdorimit të parave publike. Këto institucione përgjithësisht janë kushtetuese, të pavarura dhe përgjigjen vetëm para ligjit ndërkohë që raportojnë për punën e tyre përpara ligjvënësit. Në thelb të punës së tyre është auditimi, verifikimi i hollësishëm i destinaciuonit të çdo qindarke, i procedurës së ndjekur nga enti publik në shpenzimin e kësaj qindarke si dhe përgjegjësisë që ka përdoruesi në gjithë këtë angazhim. Paraja publike është para e qytetarëve të cilët me anë të taksave ia japin atë Qeverisë, me qëllim që ajo të garantojë ndërtimin e një shoqërie civile, të drejtë ku gjithkush ka të drejtat e liritë e tij.
Pra, në një farë kuptimi taksat janë paraja ose çmimi që paguajnë qytetarët për Qeverinë në mënyrë që kjo e fundit t’u ofrojë atyre një shërbim. Duke qenë kështu, Qeveria nuk zotëron asnjë qindarkë, ajo nuk ka në pronësi asgjë, ajo është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për çdo qindarkë që iu merr njerëzve dhe e shpenzon atë. Me qeveri nuk kupojmë vetëm institucionin ekzekutiv të Këshillit të Minstrave, por edhe të gjitha degët e tjera të saj si gjykatat, prokuroria, parlamenti, presidenca dhe të gjitha institucionet e tjera që marrin vendime mbi jetën e qytetarëve dhe punojnë më paratë e tyre. Këshilli i Ministrave pa dyshim që ka barrën dhe përgjegjësi më të madhe pasi ai kreyn shpenzimet më të mëdha dhe është përgjegjës edhe për shpërndarjen e parasë publike. Institucionet e auditimit, të kontrollit të mënyrës se si shpenzohet paraja publike, janë në këtë kuptim mbrojtëse të çdo qindarke të cilën qytetarët ia japin qeverisë. Pra, këto institucione janë gardiane të parasë së qytetarëve, të besimit të tyre tek përdorimi jo i drejtë nga ana e qeverisë. Ish drejtori i politikave buxhetore në Shtëpinë e Bardhë dhe një nga ekonomistët e njohur botëror, ish guvernator i Indiana-s , Mitch Daniels thotë se: “Ne e mendojmë të gabuar të marrim qoftë edhe një dollar nga një qytetar i lirë i vendit tonë pa një qëllim dhe domosdoshmëri të qartë publike sepse marrja e tillë e këtij dollari zvogëlon lirinë e zotëruesit të tij për ta përdorur atë siç do të donte”. 
Pra, paraja publike që vjen nga taksat shihet si një para që merret vetëm për qëllime dhe domosdoshmëri të qarta publike. Në qoftë se ato nuk merren për qëllime dhe nevoja të domosdoshme publike, atëherë kemi kufizim të lirisë së qytetarit për përdorimin e kësaj paraje në mënyrën që ai do. Është e qartë se qëllimi dhe domosdoshmëria publike kanë të bëjnë me gjëra që mundësojnë ndërtimin e një shoqërie civile, ku qeveria mbron liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Çdo qytetar nuk është i kufizuar në përdorimin e parasë që ka dhënë si taksë kur ajo përdoret në këtë mënyrë, sepse ai ka nevojë bazike për të jetuar në një shqoëri civile ku i është garantuar mbrojtja e lirive dhe të drejtave. Kur paraja që ai ka dhënë si taksë nuk përdoret në këtë mënyrë, atëherë është kufizuar liria e përdorimit nga ai e kësaj takse. Qytetari në këtë kuptim ka përcaktuar mënyrën se si do të përdoret paraja e tij nga qeveria apo entet e tjera publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në këtë kuptim është pikërisht zëri i ndërgjegjes së qytetarit i cili kërkon që paraja e çdo qytetari të përdoret sipas qëllimit për të cilin ajo është marrë. Parimisht, pushteti ka tendencën të korruptohet pasi ai në vetvete është abuziv. Eshtë e famshme shprehja e Lied Acton “Pusheti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”. 
Edhe qeveria është pra nën tundimin e korruptimit dhe shpërdorimit të parasë publike. Sa më shumë para të marrë qeveria nga njerëzit, aq më shumë rritet mundësia që ajo të korruptohet. Në kohët e sotme kur qeveria rritet vazhdimisht për shkak të prirjeve të saj mesianike, për shkak se ajo e sheh veten si shpëtimtare të popullit, njerëzve dhe shoqërisë, mundësia që ajo të korruptohete eshte nje risk permanent. Kësisoj, Institucionet Supreme te Auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucioni themelor i auditit dhe i kontrollit të mënyrës se si përdoret paraja e njerëzve, ka një rol jetik. Çdo masë për fuqizimin e këtij institucioni, është masë në mbrojtje të qytetarëve dhe parave të tyre dhe për pasojë edhe të lirive të tyre. Duket si paradoksale që një institucion kontrolli kthehet në garant të lirisë ose në një institucion që prodhon liri, por është pikërisht kështu. Në katër vitet e fundit 2012-2015 Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka dëshmuar këtë gjë me punën që ka kryer. Puna e tij në këto vite ka bërë të mundur zbulimin e qindra shkeljeve të rënda ku shpërdorimi i parasë publike ka arritur në shifra të pazakonta. Këto zbulime janë shumë herë më të larta se periudha e viteve 2008-2011 dhe kjo për shkak të dinamizmit të institucionit dhe fuqizimit të kapaciteteve audituese të tij. Këtë fakt e dëshmojnë edhe shifrat konkrete të punës së KLSK, ku duke bërë krahasimin e kallëzimeve penale të realizuara për periudhën 2008-2011, me kallëzimet penale të realizuara në periudhën 2012-2015 rezulton se ato janë rritur me 3.2 herë. Ka një rritje të kallëzimeve si në auditimet e institucioneve të nivelit qendror ashtu edhe në institucione vendor, rritje e cila është si në numër rastesh edhe në numër personash të kallëzuar. Nga një analizë krahasuese rezulton se për vitet 2010-2011, për 1 lek të shpenzuar nga buxheti i shtetit nga KLSH janë kërkuar mesatarisht për zhdëmtim 24.3 lekë, ndërsa për vitet 2012-2013 për çdo 1 lek të shpenzuar është kërkuar për zhdëmtim 78 lekë dhe 2014-2015 për çdo 1 lek të shpenzuar është kërkuar për zhdëmtim 128.5 lekë.
Liria pra është e lidhur me përgjegjësinë dhe përgjegjësia është e lidhur me kontrollin. 

Drejtore e
Drejtorise se Kontrollit te Zbatimit te Standardeve dhe Etikes në KLSH

Audituese e
Larte në KLSH