Bujar Asqeriu: “Labëria” ka një emër të madh, të bukur, tronditës

634
Ka vite që Shoqata Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, Nderi i Kombit është promotor i shumë aktiviteteve me karakter kombëtar, por edhe artistik. Në të gjitha këto aktivitete, për mënyrën e organizimit, për mënyrën e zhvillimit, për pjesëmarrjen, për numrin e madh të intelektualëve, për rëndësinë e ngjarjeve historike, për vlerësimin e tyre, por edhe për qëndrimin ndaj politikës që nëpërkëmb vlerat kombëtare, kjo Shoqatë ka tërhequr vëmendjen e gjithë opinionit kombëtar, mediave dhe më tej. Për të gjitha këto aktivitete dhe merita në rrafshin kombëtar, Shoqata u nderua nga Presidenti Nishani me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Por, sot është një ditë e veçantë për Shoqatën “Labëria”, pasi ajo nderon për herë të parë pas marrjes së titullit tre personalitete në fusha të ndryshme. Sot Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, Nderi i Kombit në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në Sallën e Muzeut Historik Kombëtar organizon një ceremoni nderimi për personalitete të fushave të ndryshme, si Prof. Dr. Servet Pëllumbi, Profesor Xhelo Murraj dhe Aktorin “Mjeshtër i Madh”, Bujar Asqeriu. Tre personalitet që i bëjnë nder jo vetëm Labërisë, por tërë kombit. Shoqata në fokusin e saj nuk ka vetëm vlerësimin e bijve të trevës së tyre, por edhe të trevave të tjera, për ato personalitete që punojnë dhe luftojnë për kombin. 
Për emocionet në këtë ditë të shënuar “Telegraf” mori një prononcim nga “Mjeshtri i Madh”, Bujar Asqeriu 
Si ndihesh sot që merr një vlerësim të madh nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, Nderi i Kombit?
Së pari, ndihem i vlerësuar se të jep një titull, një dekoratë shtëpia jote. Kjo është shumë, shumë domethënëse. Është një filozofi e tërë popullore, por edhe shkencore të të vlerësojë shtëpia jote. “Po s’ta dha vulën fshati, nuk bën më tej zanati”, thotë një fjalë e urtë. Së dyti, krahina jonë e Labërisë ka shumë personalitete dhe të nderohesh nga kjo krahinë me kaq e kaq personalitete do të thotë se duhet të kesh një tronditje të brendshme. Përse? Sepse këtë nuk e them unë, por Labëria me një emër kaq shprehës ka pasur dhe ka personalitete tepër të shquara në rrafshin ndërkombëtar, po aq sa në atë kombëtar. Do veçoj një karakteristikë në fushën e artit të krahinës tonë të bukur. Krijimtaria e bijve dhe bijave të kësaj treve më duket se është unike, e paimagjinueshme. Të duket se çdo shtëpi ka ose një poet, ose një shkrimtar, ose një filozof, ose një këngëtar, ose një instrumentist, ose një aktor. Krahina të jep idenë se është e tëra me poetë këngëtarë, artistë. Këta njerëz i kanë dhënë emër Shqipërisë. Këta njerëz që flasin me malet me lumenjtë dhe që përcjellin mesazhe njerëzore, të befasojnë me inteligjencën, bujarinë dhe krenarinë kombëtare. Çdo njeri i rritur në këtë trevë është me fat sepse, kush i nderon ata merr vlerësimin e zotit. Ne jemi krenarë për këtë krahinë sepse, kjo krahinë jep energji, virtyte, emocione, ka ditur të emetojë jo vetëm energji kombëtare por të përcjellë mesazhe trimërie patriotike në tërë kombin tonë. Labëria ka emra me famë që të “rrëqethin” për diturinë, por edhe për trimërinë dhe vlerësimin e miqësisë, vlera që po rrudhen në kombet e tjerë. Trimat dhe të diturit e Labërisë, Sali Vranishti, Ismail Qemali, Nase Beni, Beqir Labi, Hito Labi, Zenel Gjoleka, Selam Musai, Halim Xhelo, Çerçiz Topulli, Miro Tërbaçia, Ali Pashë Tepelena, Pilo Kasneci, Ismail Progonati, i kanë gdhendur emrat e tyre në malet e pavdekësisë
Sigal