Kontratat publike, 19 biznese u përjashtuan nga tenderat në 2023

20
Sigal

Vitin e shkuar, 19 subjekte janë përjashtuar nga e drejta për të përfituar kontrata publike.

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) bëri të ditur se shkaku kryesor për këtë vendim ka qenë mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale ndërkohë që në vend të dytë keqinformimi në dokumentacion. Agjencia nuk i bëri publike emrat e kompanive të përjashtuara.

“Lidhur me vendimet e përjashtimit (19 të tilla), rezulton se nga këta: 7 operatorë ekonomikë, janë përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike për shkak të keqinformimit dhe paraqitjes në tender të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rreme ; 1 operator ekonomik në zbatim të vendimit të dhënë nga gjykata; 12 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale” thuhet në raportin vjetor të APP.

Por teksa për këtë grup është marrë vendimi, për një pjesë tjetër është vendosur ose pezullim për përjashtimin ose mospërjashtim.

Kështu sipas raportit është marrë vendimi për mospërjashtimin nga e drejta për të fituar kontrata publike për 3 operatorë ekonomikë. Për katër të tjerë është marrë vendim për pezullim të procesit të nisur për përjashtim nga e drejta për të fituar kontrata publike për shkak të procesit gjyqësor dhe për katër të tjerë vijon procesi i procedimit administrativ.

Numri i denoncimeve apo çështjeve të ngritura për përjashtim të operatorëve nga kontratat publike ka qenë më i lartë por nga ana e APP jo në të gjitha rastet është parë e arsyeshme të niset procedim administrativ.

“Nga 60 kërkesat/informacionet e administruara, rezulton se: ka nisur procedimi administrativ për 30 operatorë ekonomikë; 29 kërkesa, kanë qenë të paplota në argumente ligjorë dhe prova dokumentare, ose pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se nuk kanë qenë kushtet e parashikuara nga dispozitat ligjore për nisjen e procedimit administrativ nga APP; 1 kërkesë është në proces shqyrtimi” vlerëson raporti.

Në shpjegimin e saj Agjencia e Prokurimit Publik ka nënvizuar se për 30 operatorë ekonomikë, nuk ka nisur procedimin administrativ, pasi kërkesa e paraqitur nga propozuesit (operatorë ekonomikë/autoritet kontraktor) është konsideruar me dokumentacion të pamjaftueshëm dhe e paargumentuar për të filluar procedimin administrativ, apo pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se, nuk janë plotësuar kushtet për nisjen e procedimit administrativ, sipas parashikimeve të nenit 78 të LPP