Kongresi i Autoriteteve Lokale i KE zbret në Tiranë, mision monitorues për asfiksimin e autonomisë lokale

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës ka njoftuar një vizitë monitorimi në Shqipëri nga 17 deri më 19 nëntor 2025, për të parë gjendjen aktuale të autonomisë vendore në Shqipëri.Në një letër dërguar kryetarit të Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë, kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, Kongresi bën me dije se delegacioni do të zhvillojë takime në zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë, më 17 nëntor, për të mbledhur informacione mbi funksionimin e qeverisjes vendore dhe respektimin e parimeve të autonomisë lokale. Delegacioni do të drejtohet nga Anders Knape nga Suedia dhe Sören Schumacher nga Gjermania, të shoqëruar nga Prof. Zoltán Szente, ekspert i pavarur i Kartës së Vetëqeverisjes, si dhe përfaqësues të sekretariatit të Kongresit.

Pas vizitës, do të përgatitet një raport i ri për gjendjen e demokracisë vendore në Shqipëri, i cili pritet të shqyrtohet në një nga sesionet e ardhshme të Kongresit në Strasburg.

NOA

Sipas njoftimit, qëllimi është krijimi i një dialogu të hapur me autoritetet shqiptare në nivel qendror dhe lokal, për të vlerësuar përputhshmërinë e vendit me standardet evropiane për vetëqeverisjen lokale.Vizita vjen në një moment kur opozita ka ngritur shqetësime për centralizimin e pushtetit dhe kapjen politike të bashkive nga Edi Rama.

Delegacioni do të përqendrohet në:

zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore (ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2000);

dhe në Rekomandimin nr. 468 (2021) mbi gjendjen e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri.

Delegacioni përbëhet nga:

  1. Anders Knape (Suedi) – Bashkia, Grupi i Partisë Popullore Evropiane.
  2. Sören Schumacher (Gjermani)- Rajonet, Grupi i Socialistëve, të Gjelbërve dhe Demokratëve Progresistë

të shoqëruar nga Prof. Zoltán Szente (Hungari), ekspert i pavarur i Kartës Evropiane, dhe nga sekretariati i Kongresit.

Pas vizitës, do të përgatitet një raport dhe një rekomandim për Shqipërinë, i cili do t’i paraqitet Kongresit për miratim në një nga sesionet e ardhshme.