Ministria e Financave ka transferuar 7 miliardë lekë (rreth 70 mln euro) për Albcontrol në dhjetor 2025, si transfertë kapitale e veçantë nga fondi i investimeve. Kjo shumë nuk konsiderohet shpenzim i zakonshëm, por mbështetje direkte nga buxheti i shtetit për ndërmarrjen publike të menaxhimit të trafikut ajror.
Albcontrol, që normalisht vetëfinancohet nga tarifat e navigimit ajror, prej disa vitesh nuk po arrin të arkëtojë të ardhurat nga shërbimet “en route” dhe “terminal charge”, pasi llogaritë e saj në Eurocontrol janë bllokuar me vendim të gjykatës së Brukselit, pas arbitrazhit të fituar nga biznesmeni italian Francesco Becchetti.
Si pasojë, të ardhurat e paarkëtuara janë rritur nga 607 milionë lekë në vitin 2020 në 13.5 miliardë lekë në fund të 2024-s (13.7 miliardë lekë me interesa). Pamundësia për të siguruar këto fonde e ka detyruar kompaninë të marrë kredi, me një principal prej 7.4 miliardë lekësh në fund të 2024-s, ende të pashlyer.



















