Komuna Aliko, aty ku padrejtësia udhëton në “autostradë”…?!

1219
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kryekomunari, Kristo Kaishi: “Po abuzohet me zonën turistike dhe po shkelen kufijtë e komunës”

Menduam t’i vëmë këtë titull shkrimit tonë sepse i shkon më për shtat maratonës shumëvjeçare e problematike në Komunën e Alikos së nënprefekturën e Sarandës, sidomos në zonën turistike të Berdeneshit, e vetmja zonë bregdetare e kësaj komune dhe më e lakmueshmja në bregdetin jugor të Jonit shqiptar. Një ngërç dhe paradoks i rrallë: Hapësira gjeografike e territorit të Berdeneshit është nën juridiksionin administrative të Komunës Aliko, ndërsa banorët tërësisht me banesa informale, janë banorë të qytetit të Sarandës dhe elektorat i qytetit. Po kështu kullotat e kthyera komunës me vendim qeverie, figurojnë të hipotekuara nga pronarë të ndryshëm që i kanë hipotekuar para vendimit të qeverisë për kthimin e kullotave dhe livadheve qeverisjes vendore. Por jo vetëm kaq! Edhe problematikë tjetër në këtë komunë, e cila ka trokitur në dyert e gjyqësorit dhe krimit ekonomik, bëhen prezente në një intervistë ekskluzive që Kryekomunari i Alikos, Kristo Kaishi dha për gazetën “Telegraf” pak orë pasi i ka dërguar një letër Kryeministrit shqiptar, Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm, si dhe kryer regjistruesit të pasurive të paluajtshme të RSH.

-Z.Kryetar, përshëndetje! Sot ju i keni drejtuar një letër Kryeministrit dhe disa institucioneve të tjera. Para se të flasim për brendinë e letrës, mund të na thoni për “Telegraf”, se cilat janë problemet në komunën tuaj problematike, e cila lundron në oqeanin e ngërçeve e padrejtësive, kjo sipas deklaratave dhe denoncimeve tuaja?

-Falënderime që më jepet rasti t’i bëj publike problemet tona të mbarsura me vite të tëra. Aktualisht vijon beteja institucionale me pseudo-pronarët. Kemi bërë kallëzim penal në prokurori dhe krimin ekonomik ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe jemi në proces gjyqësorë me fisin Angoni. Si pushtet vendor kemi vendosur t’i drejtohemi gjyqësorit se mendojmë se dokumentet e kësaj pale janë marrë në mënyrë abuzive. Këtë e vërteton edhe një fakt tjetër domethënës; Vendosja gabim e toponimeve në hartografi. Hapësira kullosore të rikthyera pretenduesve privatë është hipotekuar ne vitin 2009-2010, por më pas me vendim të Këshillit të Ministrave i janë kthyer komunës sonë. Pra është bërë hipotekim i parakohshëm dhe shteti nuk kish pse të na kthente sipërfaqe të kullotave të privatizuara. Edhe këtu ka diçka që nuk shkon mirë. Për këto dhe të tjera arsye ne i jemi drejtuar gjyqësorit. Pretendimet tona i kemi të gjitha të argumentuara dhe të shoqëruara me dokumente e fakte.

-Përmendët edhe problem të tjera. Mundësisht si veprohet për zgjidhjen e tyre? Mesa shohim situata paraqitet enigmatike dhe e strukur?

-Vërtet e strukur, por po e zgjojmë nga gjumi letargjik. Në radhë të parë po përmend problemin e Berdeneshit, zonë ku KRT ka miratuar vitin që kaloi planin e studimit urbanistik si zonë turistike, kjo e kërkuar nga Komuna e Alikos. Por ngërçi këtu është se territori është i komunës sonë, ndërsa banorët figurojnë në regjistrin e gjendjes civile të Bashkisë së Sarandës, e cila i kalon edhe në proces legalizimi objektet e paligjshme dhe banesat informale duke dhënë shpesh herë edhe leje ndërtimi (?) Aktualisht nga komuna jonë janë ndaluar ndërtimet pa leje në zonën e Berdeneshit, ku me të vërtetë dhe me tepër dhimbje, them se është bërë një masakër urbanistike. Ne i kemi ndaluar, por ky proces, për arsyet që përmenda, shoqërohet edhe me ndërhyrje, fyerje e deri edhe kërcënime. Ne nuk tërhiqemi dhe nuk tolerojmë në zbatueshmërinë e ligjit dhe këtu dua të falënderoj punonjësit e urbanistikës Aristotel Koçi, Shezair Lelaj dhe Arben Ahmetaj për përkushtimin ndaj detyrës dhe përballjen e përditshme me masakruesit urbanistik të zonës së Berdeneshit e më shumë.

-Një nga problemet që ju ngrini herë pas here në mbledhje të ndryshme është edhe kufiri me komunat fqinje. Si qëndron e vërteta?

-Po! Në një letër me numër portokolli 132 datë 07.08.2012 drejtuar kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe kryer regjistruesit të pronave të pa luajtshme, Arben Qirjako e sqarojmë për skandalin që po ndodh ditët e fundit nga kompania LAND pas prishjes së kontratës me OSBE, duke lënë shumë procese në mes se më parë që miratuar që kjo kompani të kryente regjistrimin fillestar në fshatrat e komunës sonë. Një nga proceset kryesore të kësaj kompanie të firmosur në kontratë, ishte edhe përcaktimi i kufijve administrativë të Komunës Aliko, kufi i mbështetur në procesverbalet kadastrale të vitit 1947. Pas largimit të saj duke i lënë proceset në mes, kjo kompani merret me regjistrimin e Komunës Ksamil. Dhe pikërisht këtu ndodh çudia dhe e papritura. Kjo kompani po shkel kufijtë administrativë të Komunës Aliko duke ja kaluar troje Komunës Ksamil në një gjerësi prej 3870 m nga kufiri ekzistues (Qafa e Martës) që është edhe kufiri ndarës i kësaj komune me atë të Ksamilit dhe brenda këtij territori ndodhet edhe fshati i ri i Manastirit, ku me marrëveshje dypalëshe kemi rënë dakord që ky fshat të kalojë si pasuri e paluajtshme e Komunës Ksamil dhe kufiri ndarës të jetë kufiri i këtij fshati. Nga AKKP janë regjistruar disa pasuri në emër të disa pronarëve nga Ksamili, por kjo nuk do të thotë se këta pronarë me pronat e rifituara zgjerojnë edhe kufijtë e Komunës Ksamil. Kjo është pronësi e tyre, por brenda kufijve të Komunës Aliko. Pasaportizimi mund të bëhet, ku dëshiron, por kufijtë dhe pronat nuk merren me vete.

-Dhe çfarë kërkoni më konkretisht në letër?

-Kërkojmë respektimin e procesverbalit të vitit 1947 dhe ligji 7917, neni 5 i tij, datë 13.04.1995 “Për kullotat dhe livadhet”. Në këtë letër neve sjellim edhe një fakt domethënës e kokëfortë  në vërtetimin e drejtësisë së kërkesës sonë, atë që manastiri i Shën Gjergjit është ndërtuar rreth viteve 1600 dhe është i fshatit Cukë të komunës sonë, ndërkohë që Komuna e Ksamilit ka nisur themelet e ndërtimit në vitin 1974 dhe nuk mund të vendosë manastirin e Shën Gjergjit në pronat e saj si logjikisht edhe abuzivisht. Komuniteti nuk e lejon këtë grabitje dhe tallje me ndjenjat e tyre dhe besimin fetar. Juve ju faleminderit!

-Faleminderit edhe juve z. kryetar!

Vendimi i Këshillit të Komunës

Një problem tjetër është se shumë nga sipërfaqet e tokës bujqësore të territorit të komunës, janë lënë në dispozicion të drejtorisë së bujqësisë, por shohim hatërllëqe dhe shpesh edhe interesa elektorale të partive të ndryshme në përdorimin e tyre. Ato u jepen me qira banorëve jashtë komunës dhe ne nuk vjelim dot as qiranë. Për këtë fenomen Këshilli i komunës me vendimin NR.38, dt. 31.07.2012, vendosi  që t’i jap kompetencë kryetarit të komunës që këtë fakt dhe të tjera, t’i denoncojë në prokurori dhe krimin ekonomik. Dhe unë e kam bërë këtë veprim pranë këtyre institucioneve që toka jonë t’i kthehet komunës dhe tu jepet fermerëve tanë dhe jo të përdoret nga të tjerë për interesa të ndryshme dhe abuzive deri edhe elektorale. Presim vendimet e gjyqësorit për marrjen fund të këtyre padrejtësive, që siç i përmenda, janë të shumta e mjaftë problemore. Ka edhe të tjera, por kaq mjaftojnë në këtë prononcim. Presim!