Komisioni për CEZ/ Pritet dëshmia e Shkëlzen Berishës, Balla kërkon të merret me forcë Nuel Kalaj

572
Në nisje të mbledhjes së Komisionit Hetimor për CEZ-in, kryetari Taulant Balla deklaroi se dëshmitari Nuel (Nue) Kalaj që akuzohet se ka ndërmjetësuar një takim të Shkëlzen Berishës me drejtorin çek të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, duhet të thirret me forcë në këtë komision.
Ai lexoi një shkresë të policisë, sipas të cilës, ishte ushtruar dy herë kontroll në banesën e tij tek Sheshi “Rilindja” dhe nuk ishte gjetur. Nisur nga ky fakt, Balla kërkoi që policia ta shoqërojë me forcë, kudo që ta gjejnë.
Me shumë interes pritet të jetë edhe dëshmia e djalit të Ish-kryeminsitrit Sali Berisha, Shkëlzenit
Shkëlzen Berisha ka mohuar më herët lidhjet me Nuel Kalajn dhe Kastriot Ismailaj.
Ai deklaroi se Taulant Balla nuk është i interesuar që të dalë e vërteta ndaj nuk lejoi që mbledhja e kaluar të drejtohej nga një prej kolegëve të tij.
“Përse ky komision duhet të drejtohet nga një njeri që është i dënuar për shpifje ndaj meje? Ai nuk deshi që ta zëvendësonte ndonjë koleg sepse nuk do të dalë e vërteta. Nuk kam asnjë lidhje me zotin Ismailaj dhe as me zotin Kalaj. Mirë zoti Kalaj që nuk gjendet por Ismailaj? Kjo është e ezauruar”, tha Shkëlzen Berisha.
I pyetur për provat që ka paraqitur Taulant Balla që e implikojnë në çështjen e CEZ, Shkëlzen Berisha tha se asnjë nuk e di se nga kanë dalë ato prova apo nëse janë të certifikuara.
“Nuk e di se çfarë provash ka ky komision. Asnjë nga ju nuk e ka parë nëse janë të certifikuara këto prova. Nuk kam lidhje me asnjë”, tha ai.
Sipas një letre të bërë publike me heret nga Balla, Nuel (Nue) Kalaj ka ndërmjetësuar një takim të Shkëlzen Berishës me drejtorin çek të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, gjë e cila dëshmohet në një letër që vetë Hejsek i dërgon n/drejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, edhe ky pjesë e takimit.
Vetë Nuel Kalaj ka reaguar për këto akuza, duke u shprehur se ai se është kontraktuar nga kompania CEZ për të mbledhur informacione lidhur me fizibilitetin e tregut energjetik shqiptar për investime. Kalaj shprehet se nuk ka asnjë lidhje me Shkëlzen Berishën, ndërsa me ish-kryeministrin Berisha është takuar si pjesë e delegacionit të kompanisë çeke, kur ata kanë ardhur në Tiranë.
Sigal