Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpret vetingun për gjyqtaren e dorëhequr, Eneida Cicivi

Gati një vit pas shortimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Eneida Civici dha dorëheqjen nga funksioni, duke ndërprerë njëherazi edhe procesin e vetingut për të.

Në vendimin e zbardhur të KPK-së thuhet se Civici është shortuar më 15 nëntor 2018 dhe pesë ditë më vonë është caktuar trupa gjykuese, e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici. Ky i fundit ka deklaruar konfliktin e interesit mes tij dhe Civicit dhe për këtë arsye është zëvendësuar nga komisionerja Alma Faskaj.

NOA

Pasi KPK kishte kryer verifikime për gati një vit, më datë 24 tetor 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi se kishte marrë kërkesën për dorëheqje nga Civici dhe më pas kishte vendosur mbarimin e statusit të magjistratit për të.

“Trupi gjykues çmon se subjekti ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji, për dorëheqje nga statusi i magjistratit”, citohet në vendim.

Më datë 9 mars 2020, trupi gjykues i KPK i përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, Alma Faskaj relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren Eneida Civici dhe të deklarojë humbjen e së drejtës së saj për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.