Kodheli përzë ushtarakët nga “shtëpia” tyre në Fier

569
Sot mbushen 30 muaj, nga dita e “betimit” të bërë prej ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, për të bllokuar, anuluar dhe shfuqizuar vendimin antiligjor, me të cilin në datën 17 korrik 2013, ish-qeverisja “Berisha” u rrëmbeu ushtarakëve shqiptarë “shtëpinë” e tyre, ose siç quhej, ndërtesën e “SHQUP në Tiranë dhe 1 kat të Shtëpisë së Ushtarakëve në Fier, duke i kthyer në seli të PD. Pas ardhjes së “Rilindjes” në pushtet dhe futjes në zyra, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, bëri deklaratën e parë nga kolltuku si ministre, duke u “betuar” publikisht në media: “Në emër të veteranëve të luftës, të ish-ushtarakëve veteranë, të ushtarakëve që nuk jetojnë më dhe të atyre që shërbejnë ende në forcat e armatosura, në emër të votuesve të “Rilindjes” dhe në emër të drejtësisë për të cilën na votuan 1 milionë shqiptarë, deklaroj se do ta çliroj SHQUP-in dhe Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier, zaptuar në kundërshtim me ligjin nga PD”.
Fakti/ Ministrja, 30 muaj shpërfillje ndaj 5200 letër-kujtesave të dërguara nga ushtarakët
Tashmë kanë kaluar 30 muaj nga ai “betim” publik që ka bërë ministrja Kodheli, por SHQUP në Tiranë ende nuk është “çliruar”, përkundrazi është restauruar e është bërë me mjedise e zyra luksi për drejtuesit, zyrtarët dhe militantët e PD. Jo vetëm që prej ministres Kodheli nuk ka nisur asnjë procedurë ligjore e administrative për të rikthyer SHQUP-in në destinacionin “Shtëpi Qendrore Ushtarakësh”, por as nuk është thënë asnjë fjalë, përveçse rasteve kur prej ministres përmendet emri “SHQUP”, vetëm kur e akuzojnë për afera korruptive me koncesione shërbimesh të sigurisë ushtarake detare e ajrore, për servise helikopterësh, për tenderë për blerje pajisjesh luftarake, biletash avioni e mobilje luksi zyrash! E ndërsa deri sot, ushtarakët i kanë dërguar ministres afro 5200 letra kujtese dhe presin përgjigje për rikthimin e SHQUP në Tiranë dhe të pjesës së “Shtëpisë së Ushtarakëve” në Fier që janë tjetërsuar në zyra për PD, ministrja Kodheli e ka shkelur “betimin” që bëri 30 muaj më parë, në ditën e parë të punës si ministre. Fakti është ky: Zonja ministre e cila së bashku me shefat e lartë të ushtrisë shqiptare, në 20 ditët e fundit të dhjetorit 2015 është “e zënë” me harxhimin e 180 milionë lekëve të mbetura për udhëtime me avion, jo vetëm që nuk e ka mendjen tek “çlirimi” dhe rikthimi i SHQUP e as të Shtëpisë së Ushtarakëve në Fier të zaptuar nga PD, por 15 ditë më parë, konkretisht në datën 18 nëntor 2015, ka firmosur e vulosur vendimin e Këshillit të Ministrave, që edhe kati i mbetur që përdoret nga ushtarakët tek “Shtëpia e Ushtarakëve” në Fier, t’u hiqet atyre dhe të kthehet në zyra për administratën shtetërore lokale të “Rilindjes”! 
“Rilindja” kthen “Shtëpinë e Ushtarakëve” në Fier, në zyra ALUIZNI
Ndërsa ish-qeverisja “Berisha” u hoqi ushtarakëve të Fierit vetëm 1 kat të “shtëpisë” së tyre dhe e ktheu në zyra për PD lokale, qeveria “Rilindja” që u betua se do t’ua rikthente ushtarakëve mjediset e zaptuara, saktësisht në datën 26 nëntor 2015 i përzuri forcërisht ushtarakët e Fierit nga “Shtëpia e Ushtarakëve”, duke futur në fuqi e zbatim vendimin saj, të datës 18 nëntor 2015, miratuar edhe me propozim të Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke ua marrë totalisht dhe duke e kthyer në seli të ALUIZNI-it të qarkut Fier. Tashmë ushtarakët e Fierit, nuk kanë më asnjë “dhomë” në ish-“shtëpinë e tyre” që u njeh dhe u garanton ligji, mbasi edhe pjesën e mbetur ua sekuestroi shteti. Përzënia e ushtarakëve të Fierit nga “shtëpia e tyre”, u bë me Vendim e Këshillit të Ministrave Nr. 938, datë 18.11.2015, publikuar në “Fletore Zyrtare”, Nr 204, datë 26 nëntor 2015, datë në të cilën ka hyrë edhe në fuqi. Sa për kujtesë, VKM Nr. 938, datë 18.11.2015, vendosi: “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Punëve të Brendshme, te Ministria e Zhvillimit Urban, për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, të disa mjediseve në pronën, me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, në Fier, dhe për një ndryshim në Vendimin Nr. 250, datë 24. 04. 2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar”. Mbi ç’bazë u hartua, u firmos dhe u vulos ky vendim, që përzuri ushtarakët e Fierit nga “shtëpia e tyre”? Gjithçka ishte kërkesë dhe propozim zyrtar i bërë prej ministrit Saimir Tahiri, por i miratuar në heshtje e me votim “ilegal” në qeveri, prej ministres Kodheli. Këtë fakt e bënë të ditur Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili përcakton: “Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 12, të Ligjit Nr. 8743, datë 22. 02. 2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Punëve të Brendshme te Ministria e Zhvillimit Urban, për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, të katit të dytë teknik të ndërtesës, të pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, sipas formularit 1, plan-vendosjes dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Mjediset e përmendura në pikën 1 të hiqen nga prona, me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, e përcaktuar në listën e inventarit që i bashkëlidhet vendimit nr. 250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe krye-regjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Kujtojmë, që vendimi është botuar në “Fletorja Zyrtare” Nr. 204, datë 26 nëntor 2015 e për rrjedhojë ka hyrë në fuqi në këtë datë!
Tjetërsimi funksionit SHQUP dhe “Shtëpive të Ushtarakëve”, shkelje e Kushtetutës
Si vendimi datës 17 korrik 2013, marrë dhe zbatuar prej ish-qeverisë “Berisha” për tjetërsimin e SHQUP në Tiranë dhe një pjese të shtëpisë së ushtarakëve në Fier në zyra për PD, por edhe vendimi datës 18 nëntor 2015 i marrë dhe i zbatuar prej qeverisë “Rilindja” për tjetërsimin e Shtëpisë së ushtarakëve në Fier, në zyra për ALUIZNI-in, janë vendimi të marra e të zbatuara në shkelje të plotë ligjit dhe të Kushtetutës. Pse? Sepse rezidenca ushtarake “SHQUP” dhe çdo objekt tjetër me emërtesën e përcaktuar “Shtëpi Ushtarakësh”, konsiderohet një “Unitet Ushtarak”, që është pjesë e një plani të shpërndarjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Duke qenë pjesë e kësaj liste objektesh të rëndësisë së veçantë, për ndryshimin e funksionalitetit dhe heqjes fizike nga lista e “Objekteve të Rëndësisë së Veçantë” të “SHQUP” dhe të çdo “Shtëpie Ushtarake”” në territorin e republikës së Shqipërisë, duhet të merret patjetër një miratim paraprak i Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe një miratim zyrtar me shkrim prej Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”. Konkretisht, shkelja ligjore dhe Kushtetuese, bërë me 2 VKM për tjetërsimin fizik e funksional të SHQUP dhe “Shtëpisë së Ushtarakëve” në Fier në 17 korrik 2013 dhe në 18 nëntor 2015, i ndalon Ligji Nr. 8671, datë 26. 10. 2000, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9194, datë 19.2.2004, në pikën 3 të të cilit, thuhet: “Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (presidenti), miraton planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura dhe përdorimit të objekteve Ushtarake në kohë paqeje….”. Në rastet konkrete, për SHQUP dhe “Shtëpinë e Ushtarakëve” në Fier, Presidenti Nishani nuk është përfillur për këtë ndryshim destinacioni objektesh me status “Objekt Ushtarak i Rëndësisë së Veçantë”!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 03.12.2015
Sigal