Alfred Zylfi & Elfrida Agolli: Një qasje e re në shërbim të qytetarit

    499
    Është e pohuar në mënyrë kategorike se, sigurimi i së drejtës së qytetarëve për të votuar dhe për të zgjedhur qeverinë nuk është një kusht i mjaftueshëm për demokracinë. Demokracia nuk mund të jetë e plotë, në rast se qytetarët nuk kanë të drejtën për të marrë informacion, për të kërkuar llogari dhe transparencë ndaj atyre që kanë zgjedhur dhe ndaj atyre që i qeverisin. E drejta për të kërkuar llogari për mënyrën e menaxhimit, përdorimit dhe shpenzimit të të ardhurave publike që krijohen nga kontributi i çdo qytetari nëpërmjet pagimit të taksave është një proces i pashmangshëm, i pazëvendësueshëm dhe jetik për mbarëvajtjen e shtetit të së drejtës, ligjit dhe demokracisë. Misioni i një SAI nuk mund të jetë i plotë pa bashkëpunimin e ngushtë të këtij institucioni me mediat dhe qytetarët. Në këtë rast ngrihen pyetjet: Si mundet një Institucion Suprem Auditimi (SAI) të ndërtojë një marrëdhënie besimi me qytetarët dhe t’u përgjigjet në mënyrë efektive shqetësimeve të tyre? Cilat janë kushtet e nevojshme për një SAI që të luajë plotësisht rolin që ai ka? Misioni i KLSH për informimin e Kuvendit dhe opinionit publik, në lidhje me përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore në drejtim të mirëmenaxhimit të fondeve publike apo dhe rasteve të keqpërdorimit të tyre, mision ky i sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Deklaratën e Limës (Kushtetuta e institucioneve më të larta të auditimit publik), mund të realizohet vetëm duke u mbështetur fort në llogaridhënien dhe transparencën dhe duke i vendosur ato në themelin e veprimtarisë audituese. Për të arritur te publiku në shkallë të gjerë, SAI i kushton një rëndësi të veçantë komunikimit me anë të mediave dhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile. Institucionet Supreme të Auditimit mund të kontraktojnë gazetarë të njohur për të përcaktuar interesat kryesore të qytetarëve në çështjet e llogaridhënies financiare të qeverisë. Gazetarët janë në kontakt me njerëzit dhe kanë informacion lidhur me problematikat kryesore të qeverisjes. Çështjet e ngritura nga qytetarët ju komunikohen audituesve dhe merren në shqyrtim prej tyre. Ky bashkëpunim me median bën të mundur që SAI të jetë i informuar për shqetësimet aktuale të qytetarëve. SAI-t kanë ndikim dhe sjellin ndryshim në jetën e qytetarëve shkalla e këtij ndikimi është ngushtësisht e lidhur me parimet e vlerave dhe dobive të SAI-ve shprehur kjo edhe në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (ISSAI 12). Rritja e aksesit në informacion është një ndër format e pjesëmarrjes së qytetarëve në auditimin e qeverisë. E drejta e informimit, si një parakusht për sistemin demokratik mund të ndryshojë dhe reagimin e qytetarëve për të kontestuar për pakënaqësitë që ata kanë. Publiku i gjerë mund dhe duhet të bazohet në rezultatet e auditivit, pasi nëpërmjet njohjes së tyre ka mundësinë të shikojë dhe të monitorojë përgjegjshmërinë e qeverisë dhe organeve të tjera të sektorit publik. Një SAI që shfaq ide dhe udhëzime të pavarura dhe objektive, është i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të mjedisit ka komunikim efektiv me palët e interesuara, nuk është gjë tjetër veçse një burim i besueshëm për qytetarët e tij. Në këtë kontekst një risi e padiskutueshme është edhe prezenca e audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtypin e shkruar, të cilët nëpërmjet shkrimeve të tyre kanë bërë prezent për lexuesit problematikat e auditimeve në institucionet shtetërore, por gjithashtu edhe zhvillimet e institucionit, rritjen e kapaciteteve audituese të stafit nëpërmjet trajnimeve, një filozofi e re, e cila ndikon në rritjen e standardit të transparencës dhe në hapjen ndaj publikut. Më konkretisht gjatë vitit 2014, audituesit e KLSH-së kanë qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 134 shkrime, përkundrejt 124 shkrimeve në vitin 2013. Shkrimet e botuara nga audituesit e KLSH-së nga viti 2012-2015 janë botuar deri më tani, në 3 vëllime dhe brenda vitit 2015 do të botohet volumi i IV-t, në të cilin do të përfshihen 60 shkrime të 34 audituesve. Të gjitha këto botime i përkasin kolanës së botimeve të KLSH-së. Në standardet e punës së KLSH vlen për t’u theksuar fakti, se qytetarët dhe Organizatat e Shoqërisë Civile kanë mundësinë të jenë njohësit e parë të problemeve që lindin në administratën publike dhe mund të veprojnë si kritikë ndaj vendimeve që bien ndesh me interesat e tyre. Ky pozicion unik i bën qytetarët jo vetëm palë të interesuara, por edhe një burim i pasur njohurish dhe informacioni për performancën e administratës publike. Gjatë veprimtarisë së KLSH-së nuk kanë munguar rastet e ushtrimit të auditimeve mbi institucione të caktuara të administratës publike, të cilat kanë marrë shkas pikërisht nga denoncimet publike për abuzime dhe korrupsion nga qytetarët, mediat apo organizatat joqeveritare. Ka një perceptim gjithnjë e në rritje të publikut në Shqipëri për rolin anti-korrupsion të KLSH-së, i cili ka për qëllim përmirësimin e qeverisjes në vend, zbatimin e standardeve të etikes si dhe nxitjen e një mjedisi parandalues kundër mashtrimit dhe korrupsionit. 
    Strategjia e Zhillimit të KLSH
    Të angazhuar plotësisht dhe duke e konsideruar veten pjesë aktive në këtë luftë, KLSH në Strategjinë e vet të Zhvillimit 2013-2017 (rishikuar për periudhën 2015-2017) parashikon hartimin e metodologjive specifike të luftës kundër mashtrimit dhe korrupsionit (integritetit), si dhe udhëzues për përgatitjen e kallëzimeve penale në rastet e zbulimeve të mashtrimit dhe korrupsionit përgjatë procesit auditues. Në kuadër të kësaj KLSH, duke filluar nga viti 2012 ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 17 organizata të shoqërisë civile dhe bashkëpunimi vazhdon intensivisht me OJF të tjera. Marrëveshjet e bashkëpunimit me OJF-të aktive në problemet e mjedisit dhe në luftën kundër korrupsionit janë shfrytëzuar nga KLSH dhe janë një ndihmë në auditimet e institucionit me të dhënat, informacionin dhe ekspertët e tyre. Në realizim të një prej sfidave të KLSH-së, atë të modernizimit të institucionit, janë realizuar me disa nga këto organizata procese rishikuese, të cilat kanë evidentuar arritjet e institucionit në përmbushjen e këtij objektivi si dhe kanë dhënë rekomandimet përkatëse për përmirësime të tjera në të ardhmen. KLSH është shumë i hapur ndaj ankesave të qytetarëve, të cilat administrohen me profesionalizëm nga punonjësit e KLSH-së, në funksion të tematikës që trajtojnë. Qytetarët marrin në çdo rast përgjigje për shqetësimin e ngritur, me përjashtim të rasteve kur çështjet e ngritura nuk janë kompetencë e KLSH-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar vetëm gjatë 2014-ës, 394 letra dhe ankesa, për probleme të ndryshme. Sfida aktuale e shoqërisë moderne,vëmendja e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile është zhvillimi i qëndrueshëm, i cili kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve për të krijuar një botë më të mirë, më të drejtë, duke respektuar mjedisin dhe planetin në tërësi. Kjo temë ishte dhe në fokus të Simpoziumit të 23-të, organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe INTOSAI (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit): “Axhenda e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën Post- 2015:Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit për zhvillimin e qëndrueshëm”, zhvilluar në Vjenë në Mars të këtij viti. Roli i SAI-ve në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm, pasi nëpërmjet kryerjes së auditimeve të performancës mund të kontribuojnë ndjeshëm në ruajtjen e zhvillimit të qëndrueshëm, për sa kohë që pozicioni i tyre i pavarur dhe profesional është i garantuar.
    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 03.12.2015
    Sigal