Klubet e natës, vatra infeksioni, Manastirliu:Jemi duke u përgatitur për periudhën e vjeshtë – dimrit

280
Sigal

Miratimi i aktit normativ për mbylljen e diskove dhe lokaleve të natës, si dhe ndalimit të muzikës pas orës 20:00 është i domosdoshëm, deklaroi ministrja e Shëndetësisë në seancën plenare, duke shtuar se këto vende janë kthyer në vatra potenciale infeksioni.

“Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre të cilat kanë pasur detyrimin në fakt që në krye të herës për të mos u hapur, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit te moshat e tjera, te prindërit dhe te të moshuarit apo tek ata më të dobëtit. Detyrimi që vendoset tani nëpërmjet këtij Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penaliteti, por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”.

Neglizhimi i masave do të sjellë një rritje të rasteve të reja. Ministrja tha se jemi duke u përgatitur për periudhën e vjeshtë – dimrit.

“Ne po marrim masa parandaluese dhe ky akt normativ vjen pikërisht në vijim të masave parandaluese. Por ndërkohë jemi duke u përgatitur për periudhën e vjeshtës dhe për periudhën e dimrit për të menaxhuar situatën, pasi, nëse do të kemi një neglizhim të zbatimit të masave, duhet të parapërgatitemi për një rritje të infeksionit të Covid-19.

Jemi duke punuar për të fuqizuar edhe më shumë skuadrat lëvizëse tek Urgjenca Kombëtare, në funksion edhe të dhënies së shërbimit në banesë për qytetarët që kanë nevojë apo pë ata të cilët do të kenë nevojë në të ardhmen. Po fuqizojmë kapacitetet tona spitalore universitare edhe ato rajonale. Gjithashtu jemi duke përgatitur skuadrat e rezervës për hapjen e spitaleve Covid 3 dhe Covid 4. Ndërkohë vijojmë të rrisim kapacitetet e testimit.”

Me ndryshmet në Aktin Normativ, mosrespektimi i detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove apo shërbimeve të kësaj natyre, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

Ndërsa mosrespektimi i detyrimit për ndalimin e muzikës pas orës 20:00 në shërbimet e çdo lloji, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtëmujore.

Deri më tani janë konfirmuar pozitivë me koronavirus 4997 raste dhe kanë humbur jetën nga virusi 148 persona.