KLSH kontributore aktive, profesionale dhe zbatuese e ligjit në auditimin e fondeve publike

287

Kryetari i KLSH , Z. Bujar Leskaj, Në  takimin me ambasadoren e Gjermanisë, z. Susanne Schütz Do bëjmë maksimumin për të
përligjur besimin e qytetarëve

Dr. Bujar Leskaj: Mirënjohje për rolin dhe kontributin e Gjermanisë në progresin e
Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht për përkrahjen e veçantë
të Kancelares Merkel për Reformën në Drejtësi dhe mbështetjen në procesin e
integrimit të Shqipërisë në BE

 

Ambasadorja Susanne
Schütz: Vlerësojmë punën e KLSH-së, mbështesim thellimin e veprimtarisë
audituese, forcimin dhe rritjen e kapaciteteve të institucionit

 

Dje, në datën 27 dhjetor 2016, Kryetari i KLSH-së z. Bujar Leskaj takoi zj.
Susanne Schütz, Ambasadoren e re
të Gjermanisë në Shqipëri. Kryetari Leskaj, i shprehu Ambasadores Gjermane
mirënjohjen për rolin dhe kontributin e vendit të saj në progresin e Shqipërisë
gjatë gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht për përkrahjen e veçantë të
kancelares Merkel për reformën në drejtësi dhe për mbështetjen e Gjermanisë në
procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kreu i KLSH, z. Leskaj, i paraqiti
Ambasadores Schütz arritjet e KLSH-së gjatë pesë viteve të fundit 2012-2016, të
përqendruara në zbatimin  e mandatit
kushtetues të KLSH dhe të standardeve ndërkombëtare të fushës ISSAI, si dhe në
hapjen dhe transparencën e plotë të institucionit ndaj qytetarëve, duke
shërbyer si institucion “Ëatchdog” për taksapaguesit dhe Kuvendin. Zoti Leskaj
përmendi disa nga rekomandimet kryesore të KLSH për shëndoshjen e financave
publike dhe përmirësimin e administrimit të Buxhetit të Shtetit, si vendosjen
në Kushtetutë të një tavani për borxhin publik, kërkesa për shlyerjen e
borxheve të akumuluara të Qeverisë ndaj biznesit, rekomandimet për kryerjen e
reformës administrative e teritoriale, hartimin 
e ligjit për përgjegjësinë materiale, dëmshpërblimin e të përndjekurve
politikë, etj.

Kryetari Leskaj theksoi në paraqitjen e
tij rritjen me disa herë të treguesit të dobishmërisë së institucionit, në
raport me vitin 2010 (i cili shprehet në raportin një lek i harxhuar nga KLSH
me sa lekë janë kërkuar për rimbursim të dëmit ekonomik në Buxhetin e Shtetit
nga institucioni, si rezultat i gjetjeve në auditim, nga 10.4 lekë në vitin 2010
në 180.1 lekë në vitin 2015), si dhe rritjen me mbi katër herë të numrit të
kallëzimeve penale të KLSH për periudhën 2012-2016, në krahasim me periudhën
2008-2011. “Për ne e rëndësishme është të luftohet anti-kultura e
pandëshkueshmërisë, e cila për fat të keq, është instaluar në vend. Nëse niveli
i zbatimit të rekomandimeve tona për largimin nga puna të nëpunësve të mesëm të
administratës sonë publike, të cilët kanë abuzuar me pronën dhe fondet publike,
është relativisht i kënaqshëm, 60 përqind, ai për largimin nga puna të
zyrtarëve të lartë është shumë i ulët, 20-25 përqind. Kjo step edhe Prokurorinë
në ndjekjen e rasteve të denoncuara nga ne për këtë kategori drejtuesish të
lartë”, vijoi Kryetari i KLSH-së. Pavarësisht se ne si Institucion në çdo shtatë
ditë firmosim një kallëzim penal, jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëjmë më
shumë për të luftuar korrupsionin, me qëllim përmirësimin e qeverisjes.
Qytetarët shqiptarë presin shumë nga ne si institucion në këtë drejtim dhe ne
do të bëjmë maksimumin për të përligjur besimin e tyre.

Një nga rekomandimet më thelbësore të
KLSH-së, i cili jepet për vitin e tretë radhazi, është përgatitja dhe miratimi
në Kuvend i Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik. Ambasadorja
gjermane Schütz vlerësoi këtë rekomandim dhe theksoi se lufta kundër
korrupsionit nënkupton që njerëzit që e prodhojnë atë duhet të mbahen
përgjegjës si ligjërisht, ashtu edhe materialisht. ”Efektiviteti në luftën kundër korrupsionit është kushti kryesor dhe një
nga përparësitë që Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria për të çelur
bisedimet për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE”, u
shpreh Schütz. “Vendi ka nevojë për
institucione të fuqishme, jo për politikanë të fuqishëm”, theksoi
Ambasadorja e Gjermanisë. Ambasadorja Schütz vlerësoi punën e deritanishme të
KLSH-së dhe rekomandoi thellimin e punës audituese, forcimin si edhe rritjen e
kapaciteteve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës dhe të impaktit të
auditimeve të KLSH-së.