KLSH indicie për ndjekje penale në prokurori për shkelje të konstatuara nga auditimi i kryer në ish-ZVRPP lezhë

484
Sigal

KLSH ka depozituar indicie për ndjekje penale në prokurorinë e rrethit gjyqësor Lezhë sipas shkeljeve të konstatuara nga auditimi i kryer në ish-ZVRPP Lezhë.

Ish-ZVRPP Lezhë ka tjetërsuar në favor të personave privatë pronën publike të llojit “Ranishte” e cila është pronë e patjetërsueshme dhe paparashkrueshme; ka regjistruar dhe ka lëshuar certifikata pronësie në kundërshtim me ligjin për pasuri duke u ndryshuar zërin kadastral nga “Ranishte” “Pyll”, “Moçal”, “Truall” në “Tokë bujqësore”; ka kryer regjistrim fillestar të pronës publike në favor të personave privatë, pa titull pronësie; ka tjetërsuar në mënyrë të paligjshme në favor të personave privatë tokë bujqësore me AMTP të pavlefshme, si dhe ka regjistruar dhe ka lëshuar certifikata pronësie për objektet e legalizuara në zonën e mbrojtur të Kune-Vain-Tale.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të programit të auditimit nr.375/1, datë 28.05.2019, ka audituar ish-ZVRPP Lezhë për periudhën 01.01.2017 deri më 31 05.2019.

Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH me Vendimin nr.92, datë 30.09.2019 të Kryetarit, ku janë gjetjet dhe rekomandimet për përmirësimin e gjendjes, ka dërguar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve dhe ish-punonjësve të ZVRPP Lezhë:

-Në 43 raste, ish-ZVRPP Lezhë ka regjistruar dhe ka lëshuar certifikata pronësie për objektet e legalizuara në zonën e mbrojtur të Kune-Vain-Tale.

-Në 25 raste, ish-ZVRPP Lezhë ka kryer regjistrim fillestar të pronës publike në favor të personave privatë, pa titull pronësie, për sipërfaqen 37872m2 “Kullotë” dhe për sipërfaqen 20029m2 “Pemëtore”.

-Në 22 raste, ish-ZVRPP Lezhë, në kundërshtim me ligjin ka regjistruar AMTP në zonën bregdetare në Malin e Rencit dhe Tale, duke ndryshuar zërin kadastral nga “Pyll”, “Moçal”, “Ranishte”, “Truall” në tokë bujqësore për sipërfaqen totale prej 228210m2 (22.8ha) me qëllim kalimin e saj të paligjshëm nga pronar Shtet në favor të personave privatë.

-Në 7 raste, në Malecaj, nga verifikimi u konstatua se ish-ZVRPP Lezhë ka tjetërsuar në mënyrë të paligjshme në favor të personave privatë sipërfaqen e tokës bujqësore prej 132565m2 (13.25ha) me AMTP të pavlefshme.

-Në 6 raste në Malin e Rencit, ish-ZVRPP Lezhë, në kundërshtim me vendimet e ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe vendimet e gjykatave ka regjistruar pasuri në zërin kadastral “Ranishte” me sipërfaqe 102770m2, pavarësisht faktit se nuk është pjesë e objektit të padisë.

-Në 1 rast në Malin e Rencit, ish-ZVRPP Lezhë ka tjetërsuar në favor të personave privatë pronën publike të llojit “Ranishte” me sipërfaqe 56441m2. Sipas titullit të pronësisë është vendosur të kthehet “Pyll”, ndërkohë që, në fakt, sipas planrilevimit të përgatitur nga topografi i licensuar pasuria është e llojit “Ranishte” dhe jo “Pyll”.

-Në 2 raste, ish-ZVRPP Lezhë në Malin e Rencit ka regjistruar në kundërshtim me ligjin pasuri me sipërfaqe 68024m2 duke u ndryshuar zërin kadastral nga “Ranishte” në “Pyll” dhe “Kullotë”.

-Në 1 rast në Malin e Rencit ka regjistruar 19.63ha tokë më tepër sesa është vendosur nga Gjykata e Rrethit Lezhë me vendim të formës së prerë, duke i ndryshuar zërin kadastral i cili sipas ekspertit të Gjykatës rezulton “Ranishte” dhe jo “Pyll”.

Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si dhe çështje/probleme të tjera të trajtuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit , KLSH  me shkresë nr.375/12, datë 19.11.2019 është dërguar për indicie penale në

Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë Raporti Përfundimtar i Auditimit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Lezhë dhe Vendimi i Kryetarit të KLSH nr.92, datë 30.09.2019