Kjo është Prespa, një mrekulli e natyrës dhe e njerëzve punëtorë

2418
Vetëm kur e viziton Prespën e ndien thellë mahnitjen nga peizazhet e shumta të saj, liqenet dhe malet që e rrethojnë zonën i japin asaj një pamje të rrallë. Me 9 fshatra të vendosur në gjoksin e maleve që përbëjnë komunën e Liqenasit: Me Kallamasin, Goricën e Madhe, Gorica e Vogël, Gollomboçin, Diellasin, Liqenasin, Lajthiza, Zaroshka dhe Cerja ku jetojnë afërsisht rreth 5 mijë e 500 banorë. Malet e lartë të bleruar që e kalojnë lartësinë mbi 2000 m lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar krijojnë atë konfiguracion të papërsëritshëm. Kështu i mbushur me këto kontraste bukurish, me një kulturë të lashtë, me ushqim të mirë dhe një mikpritje bujare. Këto kushte të favorshme klimatike, ujërat e pastra të burimeve e përzemërsia e banorëve janë joshëse dhe të ofrojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij me katër ishujt në brendësi të tyre. Një i moshuar nga Gollomboçi na tregon legjendën e rrallë për këto dy liqene.
Legjenda e liqeneve të Prespës 
Një plak i moshuar nga Gollomboçi na thotë se këtu ku ndodhet liqeni i Prespës ka qenë një qytet shumë i madh. Sipas gojëdhënës së kaluar brez pas brezi, një ditë djali i mbretit që drejtonte qytetin kishte dalë nëpër pyll dhe aty rastësisht takon një zanë pylli shumë të bukur të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t`u martuar me të. Por, Nereida refuzon duke i thënë djalit të mbretit se nëse ata martoheshin do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Por djali i mbretit i verbuar nga dashuria e mori për nuse zanën e bukur Nereida. Dhe shumë shpejt pas martesës u hap qielli, erëra të forta dhe shi i rrëmbyer mbyti të gjithë qytetin duke krijuar një liqen të madh që u quajt liqeni i Prespës. Sipas legjendës dhe lulet që ndodhen në sipërfaqen e liqenit janë shpirtrat e njerëzve të mbytur. Në lartësinë mbi 850 m mbi nivelin e detit gjenden dy liqene të ndarë nga një brez i ngushtë toke. Më i madhi i quajtur Prespa e Madhe i cili ka një sipërfaqe prej 285 km2 dhe thellësi maksimale 54 m Ky liqen është i ndarë në tre shtete ku pjesën më të madhe e ka Maqedonia kurse Shqipëria dhe Greqia kanë nga 40 km2 secila. Ndërsa liqeni tjetër ai i Prespës së Vogël i cili ka një sipërfaqe prej 47 km2 dhe një thellësi prej vetëm 12 m i takon pothuajse i gjithi Greqisë më përjashtim të një pjese të vogël që lag brigjet e Shqipërisë.
Peshkimi
Peshkimi është një sektor me përparësi, sidomos për fshatrat që janë në afërsi me bregun e liqenit. Para vitit 1990, në Komunën e Liqenasit ishin dy brigada peshkimi me 5 (pesë) motobarka, që bënin gjuetinë e peshkut. Pas vitit 2002, u krijua një shoqatë peshkimi dhe u licencuan 30 peshkatarë. Nga llojet e peshkimit, më të përhapur janë: peshkimi me rrjeta, me pezaul, potisok dhe me grep. Në gjuetinë me rrjeta ka disa rrjeta që janë me dimensione të vogla që kapet peshku i vogël dhe nuk është i konsumueshëm. Me pezaule bëhet peshkimi në kohën e mbarështimit të peshkut: cirones, klenit, mrenës dhe skllobusit. Peshkimi me potisok përdoret për gjuetinë e krapit në periudhën e shtimit të tij. Peshkimi me grep përdoret edhe si peshkim sportiv dhe turistik. Akuakultura në këtë zonë para vitit 1990, në komunën e Liqenasit kishte dy pika të tilla. Një qendër kultivimi vendin e quajtur Zaver, në fshatin Goricë e Vogël dhe një qendër kultivimi në fshatin Zvezdë, ku kultivohej peshku dhe më pas hidhej në liqen. Por pas vitit 1990 deri në 2005, ky kultivim nuk u zhvillua. Gjatë kësaj kohe nuk u hodh asnjë lloj peshku. Që nga viti 2005, filloi të kultivohet rasat peshku në Zvezdë dhe në vitin 2007, u bë e mundur hedhja e këtij rasati në liqen. 
Turizmi dhe parku i Prespës 
Llojet e turizmit në rajon në komunën Liqenas janë të larmishme, ku mund të përmendim turizmin kulturor, turizmin malor, etj. Plazhe ku mund të investohet janë ato në fshatin Zaroshkë (plazh ranor dhe shkëmbor), në fshatin Liqenas (shkëmbor), në fshatin Gollomboç (plazh ranor dhe shkëmbor), në fshatin Goricë e Vogël (ranor), në fshatin Kallamas (ranor dhe shkëmbor). Nga të gjithë këta Zaroshka është plazhi më i preferuar nga vizitorët. Edhe në dimër Prespa tërheq mjaft vizitorë, të cilëve u ofrohen mjaft mundësi për ski. Informimi i publikut lë disi për të dëshiruar dhe ndihet mungesa e organizimit të informacionit turistik. Rolin e qendrës për informim të publikut në komunën Liqenas e luan stacioni i parkut në Goricë të Vogël. Më 2 shkurt të vitit 2000 kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë e shpallën këtë rajon si zona e parë e mbrojtur në Ballkan e ndarë në mes 3 shtetesh. Por megjithatë me ndonjë përjashtim të ndonjë financimi nga qeveria gjermane dhe të ndonjë OJQ-je, Prespa dhe gjithë zona e saj përreth është larg atyre kërkesave që kërkon koha për të zhvilluar turizmin. 

Për zhvillimin e turizmit janë të domosdoshme infrastruktura dhe komunikimi. Rruga që të çon nga Korça deri në Goricë pas një kalvari të gjatë është tashmë në gjendje optimale. Banorët kryesisht merren me peshkim, blegtori dhe me bujqësi. Gjithashtu zona e Prespës që pas viteve të trazicionit është prekur nga një emigrim masiv i jashtëm dhe i brendshëm duke e ulur ndjeshëm popullsinë e kësaj zone. Një banor nga Prespa, Niko Dume, na thotë se peshkimi dhe turizmi mbeten prioritet për këta banorë, por çuditërisht një pjesë prej banorëve mbajnë ende bagëti në katet e para të shtëpive duke e ndotur ambientin përreth dhe duke e prishur imazhin e mirë të Prespës si vend turistik. Në Prespë janë bërë rreth 30 shtëpi model që mund të presin turistë por kjo shifër është shumë e vogël me mundësitë reale që ofron Prespa. Banorët thonë se janë bërë shumë projekte dhe janë premtuar shumë gjëra për një turizëm elitar në Prespë por fjalët me veprat janë larg. Ato që ne pamë këto ditë në Prespë ishin larg asaj që kërkon koha dhe turizmi bashkëkohor.

 Ka ardhur koha që Prespa të presë vizitorë t`u tregojë atyre mitet dhe legjendat dhe historitë e saj të lashta të civilizimit, t`u tregojë atyre që ka qenë qendra e mbretërisë së Samuilit, tu tregojë degëzimet dhe kryqëzimet e rrugës Egnatia, kullat mesjetare përgjatë rrugës, kishat e shumta të shekullit të XII dhe XIV ku ndodhen themelet e qendrave të banuar nën ujërat e liqenit afër fshatit Kallamas. Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël që vendasit iu thonë “tsironia“. Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanët artizanalë të rakisë që vendasit e ruajnë për miqtë. Kjo ishte Prespa mes bukurive të pafund, një pritje bujare dhe një distancë që ajo ende ka me mundësitë reale për turizmin bashkëkohor. Prespa me rrugë të ngushta plot, me fllad të freskët, pemë të shumta, me strofulla zogjsh e me luadhe të bukur dhe syrin e kaltër të liqenit, që i jep një pamje magjike këtij peizazhi. 
Sigal