Vrasja e pronarit të marketit gjatë grabitjes në Kamëz dhe plagosja e gruas së tij, Apeli lë në fuqi vendimin: Burg përjetë për një prej autorëve, 25 vite bashkëpunëtorit

187
Sigal

Gjykata e Apelit ka lënë fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Vladimir Kurtin (burgim të përjetshëm) dhe Rruzhdi Hodën (25 vjet), të akuzuar për grabitjen e një marketi ku mbeti i vrarë pronari Agim Buci dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij, Rita Buci.

Ngjarja ndodhi më 25 prill 2018 në sy të djalit të vogël të çiftit Buci.

Edhe vetë autorët e pranuan grabitjen, por Kurti kishte kërkuar “Ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale dhe kualifikimin e saj nga “Vjedhje me pasojë vdekjen”, në “Vjedhje me armë” dhe për pasojë një dënim më të butë.

Ndërsa i pandehuri Hoda kishte kërkuar ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga ‘Vjedhje me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal, në “Vjedhje me armë”, parashikuar nga neni 140 I Kodit Penal.
– Prishjen e vendimit nr. 1020 datë 19.04.2019 dhe deklarimin e pafajshëm për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit te armëve, armëve shpërthyese dhe te municionit” të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
-Ndryshimin e vendimit nr. 1020 datë 19.04.2019 dhe ulja e masës së dënimit në kufirin minimal të parashikuar nga ligji, dhe zbatimi më tej i nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkaq dhe pala e viktimës kishte kërkuar burg përjetë për Hodën.

Por gjykata e apelit vendosi të mos i pranojë kërkesat dhe la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

VENDIMI
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Vladimir Kurti për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 141 e 25 të K.Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave e dënon atë me burgim të përjetshëm.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Vladimir Kurti për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon atë me 7 (shtatë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Vladimir Kurti dënohet me burgim të përjetshëm.
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Vladimir Kurti fillon nga dita e ndalimit të tij në funksion të këtij procedimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Rruzhdi Hoda për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 141 e 25 të K.Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave e dënon atë me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Rruzhdi Hoda për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon atë me 4 (katër) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Rruzhdi Hoda dënohet 26 (njëzet e gjashtë) vjet burgim.
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Rruzhdi Hoda fillon nga dita e ndalimit të tij në funksion të këtij procedimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.