Këshilltari i DASH në Ballkan nga 11 dhjetori, viziton të gjitha shtetet e rajonit, përveç Shqipërisë

78
Sigal

Vizita e Këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të jetë e gjatë nga 11 dhjetori deri me 17 dhjetor dhe Kosova nuk do të jetë vendi i vetëm që do ta vizitojë.

Ajo niset në Kosovë, por do të vazhdojë për në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedonie të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe do të përfundojë në Belgjikë.

I vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk do të vizitohet është Shqipëria, si shteti i vetëm në rajon që nuk ka probleme as fqinjësore dhe as të ndonjë natyre tjetër që përfshinë politikën e jashtme.

Chollet në Kosovë vjen për të kërkuar nga liderët institucionalë “që të shtyhen zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit”, por edhe të diskutojë vazhdimin e bashkëpunimit për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të përmirësuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, por edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Kosovës dhe Serbisë”.

Më 13 dhjetor, në Beograd, Chollet do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për anëtarësim në BE, thuhet në njoftimin e departamentit të shtetit.

“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialog me ndërmjetësimin e BE-së për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në deklaratë.

Në Sarajevë, Chollet do të diskutojë mbi sundimin e ligjit, reformat ekonomike, energjetike dhe të mbrojtjes me përfaqësues të institucioneve qeveritare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe me zyrtarë të përfshirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.

Sipas njoftimeve, gjatë vizitës së tij në rajon, amerikani do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me liderët e qeverisë për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Kurse vizitat në Mal të Zi dhe Kroaci do t’i shfrytëzojë për të biseduar me liderët e këtyre vendeve për përkushtimin ndaj sigurisë rajonale, mbrojtjes, sigurisë evropiane të energjisë, si dhe prosperitetit ekonomik dhe sigurisë në rajon, dhe me këtë rast marrëveshjet e Kroacisë për ndihmën e ndërsjellë juridike dhe do të finalizohet marrëveshja për ekstradim.

“Këshilltari më pas do të udhëtojë në Bruksel, Belgjikë më 16-17 dhjetor për të diskutuar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët evropianë për një sërë çështjesh globale, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, rrugën e anëtarësimit në BE dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurinë energjetike, dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së”, përfundon njoftimi.