Ëngjëll Musai: Ambasadorët e “skaduar” të Shqipërisë nëpër botë do t’i kishin zili “Sheikët” dhe  vendi më i fundit i Afrikës

176
Sigal

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës Telegraf

Dje u njohëm me faktin se Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë zonja Yuri Kim, e emëruar në janar 2020, do të zëvendësohet në Janar 2023 me një tjetër përfaqësues të SHBA dhe që dekretohet nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Ja ky është modeli i një shteti serioz dhe shembull që meriton të merret si udhërrëfyes nga qeveria dhe kryeministri shqiptar.

Por në Shqipëri ndodh krejt e kundërta dhe ligji i xhunglës, prevalon mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës. E theksoj këtë fakt pasi jemi bërë gazi i botës dhe për ambasadorët shqiptar kudo në botë kanë filluar të dalin “barcaleta tallëse” nga homologët e tyre në vendet ku ata qëndrojnë.

Diplomacia shqiptare është i vetmi vend në Europë, por ndoshta edhe në botë që drejtohet me ambasadorë të ‘skaduar’. Janë të paktën 42 ambasadorë (ose 90% të të gjithë ambasadave) në kryeqytetet e botës dhe disa misione, të cilat kanë statusin e ‘Ambasadorit’ si në UNESKO, OSBE, OKB, Gjeneva, Strasburgu dhe që emërohen me dekret të Kreut të Shtetit, që u ka mbaruar afati, por që ende vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, pasi qeveria dhe ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë nuk kanë filluar asnjë procedurë apo nismë për zëvendësimin e tyre. Madje ajo që e bën edhe më skandaloze dhe që tregon kapitullimin e diplomacisë shqiptare  ka të bëjë me faktin se disa prej ambasadorëve kanë dalë në pension, por çuditërisht ende vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. Konkretisht ambasadorët shqiptar në Maqedoni e Veriut, Serbi, Kosovë, Poloni, Suedi, Kinë janë pensionistë! A thua se u shua diplomacia shqiptare, ku qindra diplomatë karriere, të rinj dhe të reja të shkolluar në Perëndim, po largohen nga vendi, ndërkohë që janë punësuar nga institucionet e huaja, ku fare mirë mund të ishin simbol i përfaqësimit të Shqipërisë. Ky fakt tregon se përfaqësitë shqiptare nëpër botë shikohen si qoshe të ngrohta për miqtë dhe tarafin nepotik të qeverisë dhe jo si përfaqësues dinjitoz të politikës së jashtme dhe asaj që nëpërmjet kësaj politike do jenë shërbëtorë edhe të situatës së brendshme, si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin ekonomik.

Po përse do të thonë një pjesë e qytetarëve shqiptarë kjo situatë trajtohet kaq e zezë për diplomacinë e vendit tonë?! Madje unë një pjesë të tyre edhe i mirëkuptoj, por realiteti është edhe më trishtues. Mbështetur në fakte po rendis disa elementë që tregojnë se ambasadorët shqiptarë për jetëgjatësinë e punës në selitë diplomatike do t’i kishin zili  “Sheikët” dhe vendet më të fundit afrikane, që drejtohen ende me fise. Mbi 90% e ambasadorëve shqiptarë kanë nga 7 deri në 10 vjet në postet e ambasadorit. Në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Qirjako Qirko është emëruar që në gusht 2016, pra ka 6 vite dhe hyn në të 7-in; në Francë ka 10 vjet që në kohën e qeverisë së PD-së, e kështu me radhë vijnë edhe ambasadorët e tjerë. Si rregull emërimi i ambasadorëve parashikon si procedurë ligjore që emrat propozohen nga ministria e Punëve të Jashtëme, i dërgohen për firmë kryeministrit të vendit dhe dekretohen nga Presidenti i Republikës. A ka afat se sa duhet të qëndrojnë këta ambasadorë ? Sigurisht që ka.

Në ligjin Nr. 23/2015 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë në nenin 41 thuhet:

Neni 41

Emërimi dhe mbarimi i detyrës në misionet diplomatike dhe postet konsullore:

  1. Diplomatët e karrierës emërohen në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë nga Ministri i Punëve të Jashtme, pasi kanë marrë gradën e parë diplomatike “Atashe”.
  2. Diplomatët e karrierës qëndrojnë me shërbim në të njëjtin mision diplomatik ose post konsullor, si rregull, 3 vjet.

3.Ministri i Punëve të Jashtme urdhëron fillimin e procedurave të mbarimit të detyrës së diplomatit të karrierës jo më pak se tre muaj nga data e emërimit të tij në një pozicion në Shërbimin e Jashtëm.

Po a ka më turp për një shtet, që pretendon të shkojë në BE dhe që sytë i ka nga Perëndimi, por vepron me mentalitetin e Lindjes?! Po si ka mundësi që Shqipëria është i vetmi vend që në VATIKAN, ambasada e saj nuk përfaqësohet me ambasador, por përfaqësohet nga një ‘I ngarkuar me punë” që prej vitit 2013?!

Një pjesë e mirë e ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë për shkak të pagesave të taksave në vendet ku janë, kanë marrë shtetësinë e vendeve ku janë, dhe kjo po përdoret edhe për humor nga homologët e tyre. Ndaj kjo situatë është më shumë se fyese për imazhin e vendit tonë, por edhe të shqiptarëve kudo në botë, pasi këta ambasadorë kanë mbi tetë vite që janë shkëputur nga realiteti shqiptar dhe nuk e njohin situatën në vend. Ata vërtet janë të diskriminuar nga pagesat në krahasim me përfaqësuesit e vendeve të tjera, por janë më të privilegjuar, sepse mund të qëndrojnë aty deri sa të dalin në pension dhe një pjesë e tyre sikurse theksuam më sipër kanë kohë që kanë mbushur vitet e pensionit.

E gjithë kjo katrahurë, pa përmendur edhe skandale pa fund të diplomacisë shqiptare, është në shkelje të plotë të ligjit, ndërkohë që flasin për imazhin e Shqipërisë. Kjo tregon se ky imazh është zhytur në katranin e zi të llumit të pushtetit të Tiranës zyrtare.Pjesa më e madhe e ambasadorëve nuk kanë ardhur nga kriteri dhe shkolla diplomatike, por janë emëruar si militantë nga koridoret e partisë, njëlloj si patronazhistët e administratës. Por kjo ka një të keqe të madhe, pasi godet karrierën diplomatike, nuk e motivon dhe shpërbën traditën, e cila edhe në kohën e monizmit, edhe pse të politizuar i kishte diplomat karriere. Ministria e Punëve të Jashtme ndoshta është më në siklet se kurrë pasi janë ndarë në dy pjesë: Nënpunësit që qëndrojnë të mbyllur brenda kangjellave tek zona e ‘Brrylit” dhe që punojnë në zyra dhe diplomatët që shëtisin dhe kanë harruar Shqipërinë.

E fundit, por jo për nga rëndësia: Kjo situatë jo vetëm që mban ambasadat nën trysni, por hedh poshtë edhe justifikimin prej vitesh të qeverisë dhe kryeministrit se ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë nuk po i zëvendësojmë dot se kemi pengesë Presidentin Meta. Po tani kush është pengesë që ka 5 muaj që është emëruar Presidenti i ri?!