Kapen dhjetëra mijëra euro të padeklaruara në Kakavijë dhe Morinë, procedohen dy persona

221
Sigal

Dy persona janë proceduar nga policia pasi janë kapur në kufi me mijëra euro të padeklaruara. Mësohet se në Kakavijë dhe Morinë janë sekuestruar në total 61.150 euro ndërsa janë proceduar edhe 2 transportuesit, të cilët nuk i kishin deklaruar në kufi.

“Në Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 21.350 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.

Në Kakavije, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë, shtetasin K. Q., 49 vjeç, banues në Berat dhe rezident në Greqi, i cili udhëtonte si pasagjer në një automjet. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në çantën e 49-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar 39.800 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar”, thuhet në njoftimin e policisë.