Kalimi i paligjshëm i kufirit/ Arrestohet 24-vjeçari nga Gana, një tjetër në kërkim

491
Sigal

Një 24-vjeçar nga Gana është vënë në pranga nga policia kufitare e Rinasit, dhe në kërkim është shpallur një tjetër person i cili tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme me pasaportën e një njeriu të ngjashëm.

Informacionet bëjnë me dije se riu me iniciale E. A., 24 vjeç, lindur dhe banues në Gane kishte marrë pasaportën e shtetasit me iniciale O.O. Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje dyshohet se ka edhe bashkëpuntorë të tjerë në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Përveç kësaj mbi të riun rëndojnë akuzat për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

Njoftimi policise:

Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Operacioni i koduar “SIMILARITY”, u zhvillua nga Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Vihet në pranga një shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Sekuestrohet pasaporta e shtetasit të shpallur në kërkim që do përdorte shtetasi i arrestuar.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Rinas u godit një tjetër rast i tentativës për kalim të kufirit me dokumente me ngjashmëri.

Falë koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SIMILARITY”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E. A., 24 vjeç, lindur dhe banues në Gane.

24-vjeçari tentoi të kalonte nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit me një pasaportë me ngjashmëri, por u bllokua nga kontrollorët e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar edhe në informacionet që dispononin Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas pasi ka siguruar paraprakisht kundrejt shpërblimit monetar pasaportën e shtetasit nigerian O. O., duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së me pasaportën e këtij shtetasi.

Po nga hetimet e kryera dyshohet se ka edhe bashkëpuntorë të tjerë në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.