Java e Parasë 2022, 21-27 mars 2022, “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

163
Sigal

Në datat 21-27 mars 2022, Shoqata Shqiptare të Bankave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë  dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, festojnë Javën e Parasë 2022, nën sloganin “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”. Aktivitetet edukative të organizuara gjatë kësaj javë synojnë t’i përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të mendojnë financiarisht.

Ceremonia kremtuese e Javës së Parasë u organizua më 24 mars 2022 në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Gjatë kësaj ceremonie, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe drejtues të lartë të bankave tregtare.

Aktivitetin e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se duke qenë të vetëdijshëm dhe duke bërë zgjedhjet e duhura financiare, gjithsecili prej nesh, banka, institucione, biznese, familje por edhe individë, mund të luajmë një rol të rëndësishëm në përballimin e pasojave të situatave të jashtëzakonshme që bota po përjeton. Guvernatori nënvizoi rëndësinë e rritjes dhe promovimit të kulturës financiare si kundërpërgjigje ndaj informalitetit.

Kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, z. Shella  theksoi rëndësinë që AAB i jep edukimit financiar, iniciativat e ndërmarra dhe rolin e saj si nismëtare e krijimit të Rrjetit Shqiptar të Edukimit Financiar (ANFE) që përmbledh organizatat joqeveritare të interesuara për edukimin financiar. AAB është përpjekur për të lobuar pranë institucioneve shtetërore për domosdoshmërinë e planifikimit të edukimit financiar që në moshë të hershme. Z. Shella shtoi se ka ende shumë për të bërë kur flitet për edukim financiar, pasi përfshirja financiare dhe digjitalizimi janë ndër objektivat që bankat kanë.

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të shpallura më parë nga Banka e Shqipërisë dhe AAB:

  1. Konkursi për nxënësit e klasave III-IV me vizatime “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” – mbështetur nga Union Bank.
  2. Konkurs për nxënësit e klasave IX me fotomontazhe (meme) “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” – mbështetur nga OTP Bank Albania.
  3. Konkursi  për nxënësit e shkollave të mesme “Videoja më e mirë” me temë “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” – mbështetur nga Credins Bank.
  4. Sfida e Javës: 7 pyetje mbi paranë dhe bankat për gjimnazistët – mbështetur nga Raiffeisen Bank.
  5. Konkursi i esesë më të mirë me temë “Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare” – mbështetur nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).