Ja kriteret dhe dokumentet që duhen plotësuar

    Vendimi/Hyn në fuqi vendimi për kompensimin financiar të pronarëve

    Hyn në fuqi vendimi i qeverisë, që ndryshon procedurat dhe kriteret për kompensimin financiar të pronarëve, për vitin 2013. Në Fletoren Zyrtare është botuar tashmë vendimi që përcakton dy kritere kryesore për përfitimin e kompensimit; kriterin që vendimi për njohjen e pronës të jetë përfundimtar dhe jashtë proceseve gjyqësore; dhe kriterin që prona të mos i jetë nënshtruar më parë proceseve të kthimit apo kompensimit. Referuar VKM, ky proces krijon mundësinë e kompensimit financiar duke respektuar radhën kronologjike të vendimeve për kompensim. Kompensimi i pronës së llojit truall do të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit të pronës do të jetë gjithashtu sipas skemës të aplikuar në vitin 2012, pra në varësi të sipërfaqes së pronës së njohur për kompensim.

    Sigal

    Kriteret dhe dokumentacioni

    Vendimi më i fundit i qeverisë, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, përcakton se subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit vetëm nëse përmbushen këto kritere: Vendimi që ka përcaktuar kompensimin e pronës është përfundimtar; vendimi që ka përcaktuar kompensimin e pronës është i ekzekutueshëm; vendimi për të cilin aplikohet, nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merren numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi për pronën e llojit truall, do të bëhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit do të jetë sipas skemës së mëposhtme: për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 m², masa e kompensimit do të jetë deri në 200 m². Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 m² deri në 3000 m², masa e kompensimit të jetë 300 m². Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 m² deri në 5000 m², masa e kompensimit të jetë 400 m². Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 m² deri në 10 000 m², masa e kompensimit të jetë 500 m². Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 m², masa e kompensimit të jetë 600 m². Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011 dhe 2012 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2013. Pronarët që aplikojnë për përfitim në bazë të këtij vendimi, duhet të plotësojnë dhe të paraqesin pranë AKKP dokumentacionin e mëposhtëm: kërkesën për kompensim në të holla; deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to; titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimi i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar me gjyq; planvendosjen, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim; dëshminë e trashëgimisë ose prokurë të posaçme të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm apo disa prej tyre, ku të jetë e përcaktuar tagri për të tërhequr shumën e parave në rast se shpallen fitues; vendimet e KKP-së/ZRAKKP ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar, në rastet kur aplikimi kryhet nga një pjesë e trashëgimtarëve përfitues; çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ, me anë të të cilit provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar; dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë; mandatpagesa. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 15 ditë. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit në të holla dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.