Italia kokë grupi në shortin e eliminatoreve të Botërorit 2022

302
Sigal

Ka dritë në fund të tunelit për Italinë. Pas një periudhe jo të mirë, të kaltrit janë rikthyer fuqishëm në arenën e më të mëdhenjve, duke treguar nivel të lartë në lojë e shoqëruar me rezutlate pozitive të njëpasnjëshme. Duket se buzëqeshja është rikthyer tek Italia e drejtuar nga Roberto Mancini, pasi tashmë zyrtarisht ka fituar të drejtën të jetë kokë grupi në shortin për eliminatoret e botërorit “Katar 2022”.

Më datë 7 dhjetor, në Zyrih, do të hidhet shorti i eliminatoreve për zonën e Europës dhe Italia ka parakaluar pikërisht Zvicrën, e cila zbret nga vazoja e skuadrave të elitës në vazon e dytë. Fitorja 4-0 në miqësoren ndaj Estonisë, e kombinuar me barazimin 1-1 të helvetëve ndaj Spanjës, ka bërë që të kaltrit të kenë një arsye për të festuar, pasi tashmë mundësitë për të patur një short më të favorshëm rriten ndjeshëm.

Siç dihet, vetëm fituesja e grupit shkon direkt në Botërorin e Katarit, ndërkohë që vendi i dytë duhet të luajë në play off për të siguruar biletën. Një hap i madh përpara për skuadrën e Mancinit, që ka rikthyer entuziazmin e humbur, për më tepër që skuadra ka bindur me mënyrën e lojës duke treguar dhe larmi zgjedhjesh në emra.