Vasili shpërthen ndaj qeverisë: Janë karagjozë, testi nuk është kapriço, është diagnozë!

272
Sigal

Nënkryetari i LSI-së dhe njëherësh mjek në profesion, Petrit Vasili ka folur me tone të larta sa i takon sjelljes së qeverisë në këtë situatë pandemike. Vasili u shpreh se në asnjë prej spitaleve nuk ka pasur investime të reja, dhe në ISHP dhe në Shefqet Ndroqi nuk është vënë dorë që nga viti 2009 dhe nga vitit 2012.

Vasili tha se kjo opozitë në asnjë rast nuk e ka shfrytëzuar politikish pandeminë, ndërsa shtoi se mjekët dhe infermierët po punojnë pa drejtim, pasi një masë vendoset tani, dhe një masë tjetër rrëzohet më vonë.

“Kam një pyetje shumë të madhe për këtë ministre, që është bërë zëdhënëse e këtij kryeministri të çmendur. Pas 9 muajsh kjo krenohet se ka dyfishuar numrin e testimeve, që akoma nuk e dimë nëse është i saji, apo i laboratorëve private. Kryeministri tha dje se rritja e testimeve bëhet për të favorizuar lobet farmaceutike, të dalë e të sqarojë kjo ministre se pse bëhet, se janë bërë karagjozë, e kanë kthyer gënjeshtrën në një mjek komunikimi”, tha Vasili.

Sipas Vasilit anëtarët e Komitetit të Ekspertëve duhet ti kundërviheshin qendrimeve të Edi Ramës, sepse në të kundërt ata e humbasin integritetin e tyre. “Të mbyllin gojën, të ulin kokën dhe ti japin shërbim qytetarëve, testi nuk është kapriço, është diagnozë, o e ke virusin o se ke. Nuk ka llafe mjekësia, këta po e përdhosin mjekësinë kur fusin turinjtë e tyre. Këta nuk janë mjekë, dhe normal që nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të ikë një pacient nga duart”, u shpreh Vasili.

Për ish-ministrin e Shëndetësisë, lënia pas dore e pacientëve me sëmundje kronike, jo covid do të bëjë që rrjedhimisht të ketë një përkeqësim të dukshëm të gjendjes së tyre, dhe një rritje të vdekshmërisë.

“Ka një gamë të sëmundjeve të tjera, që lihen krejtësisht pas dore, kjo rrit vdekshmërinë në mënyrë të padiskutueshme, kur ato lihen pas dore, ato dalin jashtë kontrollit. Ngrihet në mëngjes ministrja, merr një urdhër nga ky i çmenduri, dhe shpërqendrohet i gjithë sistemi shëndetësor”, tha Vasili.

Për Vasilin mjeku i familjes duhej që të futej në rol që prej ditës së parë të pandemisë, dhe vonesa kaq e madhe e reagimit të qeverisë shqiptare, ka bërë që të shkëputet lidhja direkte me pacientin, që është dhje thelbi i mjekësisë.

“E kam thënë prej muajsh që mjeku i familjes është i vetmi sistem kapilar që mund të kishte akses të të gjithë qytetarët, por çfarë bënë këta, e hoqën lidhjen mes mjekut dhe pacientëve, dhe iu kërkonin njerëzit që të telefononin 127. Nuk ka dy të sëmurë njësoj, që të kenë të njëjta specifika, këtë diferencë të vogël e bën vetëm mjeku, për këtë ka lindur mjekësia. Në radhë të parë mos bëj dëm, është dogma kryesore e mjekësisë, dhe këtë nuk mund ta zëvendësojë asnjë mesazh në whatsup. Kjo është historia e mjëkësisë, themeli i mjekësisë është komunikimi mes mjekut dhe pacientit, pasojat e kësaj po vuajme ne sot”, u shpreh më tej Vasili.