Ismail H. Xhaferri: Duhet peshk i madh nga Vlora

809
Vlora jonë me histori,
Trimëreshë deri në eshtër,
Këtë herë prokuroria,
Të ka vënë në shinjestër.
Ti s’u trembe nga gjermani,
Armatosur gjer në brez,
Por ama nga Arta Marku,
Duhet që të kesh kujdes!
E dëgjuat prokuroren?
Foli si e do adeti,
Duhet të vihen në zap,
Edhe Vlora, edhe deti!
Prandaj ti, ore vlonjat,
Ki kujdes se do e hash!
Mos lundro në det të hapur,
Por mos mbill edhe hashash!
Nëpër male, nëpër brigje,
Që në Kuç e në Bolenë,
Është mbjellë e korr’ hashash,
Më shumë se në Tepelenë.
O more Lumi i Vlorës,
S’nxirret kështu bukë e gojës!
Ja kalove Dukagjinit,
Ja kalove dhe Tropojës.
Punë natën, pushim ditën,
Mbill e korr shokun hashash,
Punojnë dhe të shkretët roje,
Që e ruajnë me kallash.
Punojnë fermerët e s’tunden,
Pa punuar s’mund të rrinë,
Po kështu dhe policia,
Herë mbyll veshin, herë mbyll synë.
Punojnë, fermerët punojnë,
Me entuziazëm e frikë,
Pa policë, s’bëhet asgjë,
Pa policë nuk ka trafik.
Mbrapa s’mbetet politika,
Le ta themi nënë zë,
Po s’të mbrojti politika,
Hyn në burg e nuk del më.
Prandaj nga brigjet e Vlorës,
Niset droga për Evropë,
Punojnë skafet pa pushuar,
Punojnë skafet, non – stop.
Ndaj dhe Vlora si gjithmonë.
Është e para në gjitone.
Me lungomare të re,
Me trafik e me gomone.
Prandaj në brigjet e detit,
Nën kujdesin e kallashit,
Ka ca vite që këndohet,
Vetëm kënga e hashashit.
Tani erdhën kohë të reja,
Me talianët s’ka dyfek,
Kemi marrëdhënie të mira,
Japim mall e marrim lekë.
S’ka më “guna përmbi tela”,
S’ka më “gjoksi përmbi top”,
Sepse vetë shoku hashash,
Na ka bërë miq për kokë.
Ndaj dhe foli zonja Arta,
Ashtu siç i kishte hije,
Për trafiqe, për cannabis,
Vlorën e kemi në krye.
Foli zonja prokurore,
Foli me zemër të hapur:
“Gjithë kjo Vlorë e gjithë ky det,
Asnjë peshk i madh s’është kapur?!”
Shumë vite mbill e korr,
Fusha, male asaj ane,
Në qeli kanë përfunduar,
Dy – tri plaka me çitjane.
Plakat, por dhe ca barinj,
Janë ende në qeli,
Se për gjithë komunitetin,
Mbartin shumë rrezikshmëri!
Sa për peshqit e mëdhenj,
E kanë shumë të lartë pazarin,
Jo vetëm s’bien në grep,
Por hanë edhe peshkatarin.
Por tani, thonë, që s’mbillet
Asnjë rrënjë, asnjë pëllëmbë
Dhe gjithë ky hashash që kapet,
Është garant, mbillet në hënë.
Vlora jonë e trimërive,
Herë më vete, herë me zotin,
Dje në luftë e sot në paqe,
Kurrë s’ta hëngri qeni shkopin…!
Sigal