Ishte dënuar në Itali, arrestohet 44-vjeçari me katër emra në Elbasan

319
Sigal

Një 44-vjeçar është arrestuar në Elbasan pasi dhjetë vite më parë ishte dënuar në Itali nga Gjykata e Torinos me 6.8 vite burg për trafik droge dhe organizatë kriminale.

Ai përdorte katër emra, një prej të cilëve polak, Jorgo Wojtaszcyk, dhe tre të tjerë shqiptar, Gramoz Zeneli, Jorgo Zeneli dhe Jan Zeneli.

Tashmë ai do të ekstradohet në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Gjatë operacionit kapet një tjetër person në kërkim ndërkombëtar, i dënuar 6 vjet e 8 muaj burg.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Interpol Tirana.

Në vijim të punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Interpol Tirana, nga shërbimet e DVP Elbasan është bërë lokalizimi i vendodhjes , kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi në Itali, i shtetasit shqiptar:

Jorgo Wojtaszcyk alias Gramoz Zeneli alias Jorgo Zeneli alias Jan Zeneli, 44 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, më datë 14.09.2020, pasi Gjykata e Apelit Torinos, Itali, në vitin 2010, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën po vijojnë veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.