Kejdi Mehmetaj: LSI u krijua për të sjellë një frymë dhe energji të re në skenën e vjetër politike

458
Sigal

 

. Meraku i vetëm i Ramës është të krijojë makinacione që shpërqëndrojnë vëmendjen e qytetarëve nga papunësia, varfëria, sistemi i kalbur i arsimit dhe shëndetësisë

 

Forca elektorale e LSI-së janë promovimi i të rinjve dhe grave në politikë

 Kejdi Mehmetaj, ish- deputete e LSI-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, bën dallimin e PS –së dhe LSI –së, në programe dhe në mbështetje elektorale të së Majtës shqiptare. Zonja Mehmetaj, shprehet se modeli politik që ka promovuar Rama, është ai i të fortëve, të korruptuarve, të arrogantëve etj.,  dhe gratë është e vështirë ta gjejnë veten në ndonjë prej këtyre  modeleve, ndërsa LSI-ja, mbështet dhe promovon të rinjtë e të rejat. Më tej, ish -deputetja Mehmetaj, zbardh edhe programin qeverisës të LSI-së për arsimin, shëndetësinë, rikthimin e shpresës tek të rinjtë, që të mos emigrojnë më nga Shqipëria.

 

-Zonja Mehmetaj, sa i vërtetë është pretendimi i kryeministrit Rama, që listat e hapura 100 % nuk garantojnë përfaqësimin gjinor të grave në parlament? Pra, elektorati nuk i voton kandidatet, prandaj, kandidatet duhet ta kenë mandatin te garantuar në listat e mbyllura?

– Listat e hapura nuk janë një shpikje e jona, ato janë të aplikuara në shumë vende prej të cilave ne mund të mësojmë edhe si të garantojmë përfaqësimin gjinor, pa qenë nevoja të mbyllim listat sërish. Madje nuk ka nevojë të lodhemi shumë duke kërkuar, Kosova aplikon listat e hapura në zgjedhje dhe formula që përdor për garantimin e kuotës gjinore ka rezultuar të jetë shumë e sukseshme. Megjithatë, unë mendoj se shumë vajza e gra apo edhe të rinjtë në përgjithësi, votohen nga qytetarët shumë më tepër se “burrat problematikë” që Rama ka promovuar si personazhe kryesorë  të “Rilindjes”. Qytetarët janë lodhur duke patur përfaqësues  në parlament , apo pushtetin lokal që kanë precedent penalë, që nuk kanë folur kurrë gjatë mandateve të tyre, që përfaqësojnë botën e errët të biznesit me prapavijë botën e krimit  apo “YES Men-ët”, që nuk marrin as frymë pa lejen e kryetarit. Këta së bashku me ministrat e paaftë, me blerësit e votave dhe servilët e pushtetit janë ata që rrezikojnë të votohen më pak, jo gratë, dhe për këta merakoset e trembet Edi Rama. Nga ana tjetër, është kuptuar tani nga të gjithë që hapja e listave ishte mashtrimi i rradhës i Edi Ramës, një pretekst për të prishur marrëveshjen e arritur në qershor ndërmjet palëve që mori edhe bekimin e partnerëve ndërkombëtarë. Edi Rama nuk i do listat e hapura, nuk do as zgjedhje demokratike, as procese të kontrolluara që garantojnë qytetarët. Meraku i vetëm i Ramës është të krijojë makinacione që shpërqëndrojnë vëmendjen e qytetarëve nga hallet e vërteta që kanë; si papunësia, varfëria, sistemi i kalbur shëndetësor apo arsimor, etj. Meraku i Edi Ramës  është që këto makinacione t’i përdorë për të prishur marrëveshjet e arritura e për të penguar koalicionet parazgjedhore. Ai ka mbetur vetëm dhe duket se vetmia po e tremb në palcë! Listat e hapura 100% janë kërkesë e qytetarëve shqiptarë dhe LSI i ka qëndruar kësaj kërkese qysh prej vitit 2008, kur u bën ndryshimet kushtetuese e ndërhyrjet në kodin zjgedhor, pasi për ne është tejet e rëndësishme që qytetari me votën e tij të vlerësojë edhe përfaqësuesit përvecse subjektit politik, kështu edhe përgjegjësia e të zgjedhurve ndaj qytetarëve është shumë më e madhe. Ama, ne jemi të bindur se cilado skemë që Rama do tentojë të përdorë thjesht do thellojë edhe më shumë humbjen e dështimin e tij në 25 prill.

Edi Rama nuk i do listat e hapura, nuk do as zgjedhje demokratike. Meraku i vetëm i Ramës është të krijojë makinacione që shpërqëndrojnë vëmendjen e qytetarëve nga hallet, si papunësia, varfëria, sistemi i kalbur shëndetësor apo arsimor, etj

– PS-ja   është gjobitur nga KQZ-ja  në zgjedhjet parlamentare të 2017,  për shkak se nuk kishte në listat e mbyllura pikërisht përqindjen minimale të kuotës gjinore që parashikonte Kodi Zgjedhor. Atëhere, të pranojmë se kryeministri Rama ka reflektuar?

– Asnjë reflektim, përkundrazi, unë e shpjegova edhe më sipër se hapja e listave ishte mashtrimi i rradhës i Edi Ramës dhe kuota gjinore preteksti për t’i mbyllur sërish ato. Kuota gjinore e përdorur sa për sy e faqe nuk tregon asgjë, promovimi i grave e vajzave në funksione vendimarrëse dhe miratimi i politikave që fuqizojnë gratë e sigurojnë të ardhmen e familjeve të tyre janë ato që vërtet tregojnë vullnetin e një partie,  për t’i dhënë krahë gjysmës së popullsisë. Si mund të themi se Rama ka reflektuar, kur sot numri i grave të papuna është më i lartë se në vitin 2017? Si mund të themi se ka reflektuar, kur sot ndihma e shtetit  ndaj grave kryefamiljare  është më e ulët se në 2017-ën? Si mund të flasim për reflektim, kur familjet janë ndarë e nënat nuk mund të jenë pranë fëmijëve të tyre, pasi emigracioni në këto vite është rritur në shifra alarmante? Si mund ta përmendim fjalën reflektim, kur për Ramën model i mirë i përfaqësimit në politik është modeli i grave që i binden dhe shërbejnë vetëm Ramës? Sot gratë shqiptare vuajnë shkatërrimin e sistemit arsimor që nuk u jep atyre krah për të qenë sa më afër tregut të punës e mbi të gjitha shton problemet për fëmijët e tyre. Sot gratë nuk kanë programe incentivuese e mbështetëse që të kenë mundësinë të hapin e zhvillojnë bizneset e tyre. Sot gratë fermere nuk egzistojnë as si concept, në politikat e qeverisë. Sot gratë nuk kanë siguri për jetën e tyre dhe të vajzave të tyre, por lehtësisht bien pre e dhunës, pasi organet ligjzbatuese nuk nëjnë si duhet punën e tyre. Thënë të gjitha këto, të flasësh për rëflektim nga ana e Ramës është më e pakta naivitet.

 

Ajo që mund të themi pa shumë analiza është se modeli politik që ka promovuar Rama është ai i të fortëve, problematikëve, të korruptuarve, të papërgjegjshmëve, të arrogantëve etj, dhe gratë është e vështirë ta gjejnë veten në ndonjë prej këtyre modeleve

 

– Pse LSI-ja mbështetet shumë dhe promovon të rejat dhe gratë, duke u dhënë edhe rol kryesor në pjesëmarrje në parlament?

– LSI-ja  ka disa parime mbi të cilat është krijuar dhe të cilave u qëndron fort edhe pse vitet kalojnë. Për ne demokracia e brendshme e meritokracia janë në themel të promovimit të personazheve të reja brenda LSI-së. Nga ana tjetër ne vlerësojmë përgjegjshmërinë, aftësitë individuale dhe si bëhen ato vlerë e shtuar për ekipin, dëshirën për t’i shërbyer votuesve, mendësinë e re në politikbërje etj. Për LSI-në pozicionet që fitohen nuk janë karrige në të cilat ulesh për të mos u ngritur më, por hapësira që u duhen dhënë atyre se besojnë se këto pozicione mund t’i përdorin për të bërë gjëra të mira për Shqipërinë. LSI u krijua për të sjell një frymë dhe energji të re në skenën e vjetër politike dhe nuk do të kish kuptim nëse kjo parti e re nuk do të përbëhej në themel të saj nga të rinjtë, gratë, intelektualët, punëtorët, fermerët etj. Të gjitha këto më sipër shpjegojnë pse gratë e vajzat e gjejnë veten në LSI. Për dikë që mund të jetë duke lexuar në këto momente këtë intervistë, cfarë thash më sipër mund të duken të pavërteta e të zbukuruara, por unë ju sfidoj në vite të shihni sa gra e vajza kanë qenë përfaqësuese të LSI qoftë në parlament, qoftë në këshillat bashkiak, qoftë edhe në pozicione drejtuese në ekzekutiv dhe se sa të lira kanë qenë ato për ta ushtruar funksionin e tyre ashtu si e kanë gjykuar të drejtë. Sa të rinj po ashtu kemi patur në këto vite. Ju ftoj tju riktheheni diskutimeve të tyre brenda e jashtë partisë. Ju ftoj të rishikoni edhe njëherë se si është e formatuar LSI së brendshmi e sa realisht vendimarrës janë të rinjtë e gratë brenda strukturave tona. Askush nuk është aty për të plotësuar një statistik apo për të bërë shoë, të gjithëve u është dhënë hapsirë e përkrahje, sepse LSI-ja beson tek ta.

– Çfarë duhet të bëjë politika, që të rinjtë tanë të kenë besim dhe motiv të duan të qëndriojnë në Shqipëri dhe jo të emigrojnë?

– Gjatë hartimit të propozimeve tona gjatë këtyre katër viteve, por njëkohësisht edhe gjatë hartimit të programit elektoral për zgjedhjet e 25 prillit pyetja që bëtë ju ka qenë pyetja kryesore, të cilës kemi dashur t’i japim zgjidhje. “Shqipëria shtëpia juaj” nuk është për ne thjesht një slogan, por qendra e të gjithë politikave që duam të ndërmarrim që të frenojmë emigracionin, të kthejmë pas ata që janë larguar e tu japim besim shqiptarëve se PO është e mundur që ta zhvillojnë jetën e tyre këtu e këtu të realizojnë objektivat e ëndrrat e tyre. Vullneti ynë është i padiskutuar në këtë aspekt. Në vizionin tonë një shtet i cili ka arsim të fortë e cilësor dhe ekonomi prodhuese që gjeneron vende të mirë paguara pune është një shtet i cili të jep mundësi të zhvillohesh e të bësh një jetë cilësore. Projekti ynë është konkret dhe i detajuar e gradualisht do zbërthehet për votuesit edhe në aktivitete publike, por për ta përmbledhur në pak fjalë ne kemi një plan për uljen e taksave e rritjen e konkurueshmërisë të ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve në disa sektorë që i konsiderojmë prioritar si turizmi e bujqësia. Për ne do të jetë me rëndësi të madhe transformimi i klimës së biznesit për t’u kthyer në një vend që preferohet nga investitorët e huaj por edhe për të rritur besimin e bizneseve vendase. Kemi një projekt për fuqizimin ekonomik të gruas dhe njëkohësisht një plan për të ndihmuar familjet e reja. Krijimi i hapësirave të punësimit për të rinjtë është jetësor për ne po ashtu si edhe investimi serioz për një arsim cilësor që siguron sukses për të ardhmen.

– Sipas INSTAT, 78.000 nxënës më pak në shkolla, në krahasim me 2019. Cilat janë shkaqet politike dhe sociale të kësaj hemorragjie?

– Besoj nuk ështe e vështirë për ne që të dalim në përfundim të disa shkaqeve që kanë shtyrë shqiptarët të emigrojnë masivisht. Ndërkohë që vite më parë qeveria aktuale u premtoi më shumë vende pune, taksa më të ulta e mirëqënie, sot familjet shqiptare kanë më pak shance për tu punësuar, taksa më të larta, arsim të shkatërruar e mungesë të lartë sigurie në kuptimin e përballimit të vashtirësive e nevojave me të cilat të përplas jeta. Të rinjtë nuk gjejnë mundësi, nuk ndihen të baraztrajtuar nga shteti i tyre e mbi të gjitha kanë humbur besimin. Megjithatë, unë dua të përfitoj nga kjo pyetje e fundit për ti ftuar edhe njëherë të rinjtë që të bëhën pjesë aktive e vendimarrjes në vend. Largimi nuk është zgjidhje, rezistenca e përpjekja për ta ndryshuar këtë realitet është. Mundësitë janë të shumta. Ne si LSI, i kemi dyert e hapura për t’i dëgjuar, e mbi të gjitha, për t’i përfshirë në strukturat tona e në politikbërje. E mira është t’i dëgjojmë propozimet e ndryshme, t’i kritikojmë ato kur mund të bëhën më mirë e të votojmë jo për tepsi, jo për inat, as në shkëmbim të një favori apo thesi me miell, por për aletrantivën që fal më shumë siguri e përfaqëuesit e të cilës duket se e kanë seriozisht punën e tyre. 25 prilli është shumë afër, gjej hapsirën tënde dhe angazhohu!

– Faleminderit!

Gazeta Telegraf