Ish-ministrja, Mirela Karabina: Abuzimet në arsim, “Mësues për Shqipërinë”, fasada djallëzore për paligjshmërinë e emërimeve

626
“Epoka digjitale” e emërimit të mësuesve dhe shpërfillja institucionale e Ministrisë së Arsimit
Demagogjia shkatërruese e një realiteti virtual po “bren” dhe rrënon thelbin e institucioneve arsimore: mësimin, edukimin dhe mësuesin. Goditja e sistemit arsimor, çoroditja e organizuar e tij nuk ka kursyer asnjë nga aktorët:as nxënësit dhe as mësuesit. Si institucione të një rëndësie të veçantë ku projektohet shoqëria, ndjeshmëria ndaj shkollës dhe mësuesit duhet të jetë maksimale. Sistemi arsimor përbën shtyllën e një kombi dhe mësuesi është hallka kryesore e këtij sistemi, pa të cilën ai nuk funksionon dhe nuk mund të ketë sukses. E cilësuar si një profesion i çmuar, mësimdhënia dhe mësuesi kanë ndikim të madh në formimin e shoqërisë. Me gjetjet e saj “brilante” me “portale” e “nisma” të “kohës digjitale”, ministria e arsimit ka denigruar mësuesin përballë shoqërisë, duke nxjerrë në pah paaftësinë e tij për të qenë pjesë e sistemit arsimor . Demagogjia mbytëse dhe e qëllimtë ka kaluar çdo cak. E keqja ka zënë vend. Epoka digjitale, e cila mjerisht për mësuesin është një apo dy video projektor në gjithë shkollën dhe një klasë digjitale për njëmijë nxënës, që herë janë në funksion e herë jo, ka prekur dhe një proces tejet të rëndësishëm; emërimin e tyre në punë. Por, Ministria e Arsimit në vazhdën e paligjshmërisë së saj me shpërfilljen e institucioneve në emërimin e mësuesve, tashmë të kthyer në normalitet, ka sjellë anomali ndërinstitucionale, pasojat e të cilit bien mbi mësuesin. Kështu, një nga çoroditjet e sistemit që nxjerr në pah djallëzinë, papërgjegjshmërinë dhe paligjshmërinë e ministrisë së arsimit është dhe një i ashtuquajtur “portal’, “ Mësues për Shqipërinë”. 

Por, çfarë është portali “Mësues për Shqipërinë”?
I huazuar në formën më të shëmtuar nga Italia, togfjalëshi i përdorur është një paradoks i vërtetë. Në fakt, në Itali togfjalëshi “Mësues për Italinë” ka qenë i vërtetë dhe kuptimplotë. Kjo ishte një thirrje për mësuesit që të shkonin ku kishte nevojë vendi, Italia. Ndërsa, tek ne, ky portal, ka shërbyer si fasadë djallëzore e ministrisë së arsimit për të mbuluar paaftësinë, korrupsionin dhe paligjshmërinë në emërimin e mësuesve. Sipas modelit “alla shqiptar” mësuesit që do të dilnin në vendet e para në portal, jo vetëm që nuk do të shkonin ku i thërriste atdheu, por, nëse do të kishin fatin të merrnin emërim, do të zgjidhnin shkollat më të mira, sa më afër shtëpisë. Portali, i huazuar shëmtuar, ishte i mbrapshtë që në fillesë, forma nuk kishte lidhje me përmbajtjen. Dhe, nuk mund të jetë i vërtetë një portal jo transparent dhe, mbi të gjitha, joligjor. Pa asnjë bazë ligjore, ky portal i paraqitur si “sukses” i Ministrisë së Arsimit, ka qenë denigrues për figurën e mësuesit duke e vënë në dilema profesionale dhe morale.

Po në fakt, për çfarë duhet ky i ashtuquajturi “portal”? 
Kandidatët për mësues këto ditë po i nënshtrohen një testimi të turpshëm të platformës online të portalit “Mësues për Shqipërinë”. Pyetje elementare, pyetje të hartuara gabim që, jo vetëm nuk provojnë aftësitë mësimdhënëse të mësuesve, se për njohuritë shkencore janë certifikuar në fakultetet përkatëse, por denigrojnë kandidatët për t’u emëruar si mësues. Pasi mbarojnë fakultetin 5 vjeçar dhe diplomohen si mësues, kandidatët për mësues bëjnë një vit stazh. Më pas i nënshtrohen një provimi për të marrë licencën si mësues (edhe licencimi mbart problematika). Por, nuk ka mbaruar këtu certifikimi si mësues. Për të fituar vendin e punës, për të marrë emërim në sektorin publik, kandidatët për mësues duhet t’i nënshtrohen një tjetër provimi, tashmë dhe online.

Ministria e Arsimit, merr përsipër të certifikojë për herë të tretë mësuesit duke shpërfillur universitetin?! Kështu që, diploma si mësues nuk ka më vlerë, është shpikja “portal” që do të vendosë mbi fatin e kujtdo që dëshiron të bëhet mësues. Por, kjo, realisht përbën një skandal në veprimet e Ministrisë së Arsimit. Shpërfillja institucionale është kthyer në ligjshmëri. Por, cilët janë këto indikatorë të fuqishëm që në pak minuta ndajnë kandidatin për mësues që vlen apo nuk vlen, pas diplomës universitare dhe licencës së mësuesit? Cili komision profesional do të vlerësojë këta mësues? Kush merr përsipër të injorojë diplomën e universiteteve të edukimit? Si do të vlerësohen kandidatët për mësues nga ana metodike? Si do maten këto aftësi me disa pyetje që në të shumtën e rasteve nuk janë hartuar nga specialistë dhe janë me gabime? Koha e shpenzuar, burimet njerëzore dhe financiare të përfshira në një proces të mbivendosur, pa asnjë vlerë, tregon një papërgjegjshmëri të Ministrisë së Arsimit përballë shoqërisë. Ministria e Arsimit duhet të bëjë transparente dhe të sqarojë, se cilët do jenë personat që do të dalin mbi komisionet vlerësuese të fakulteteve dhe do të vendosin për aftësitë e mësuesve. Pse është përdorur kjo strukturë që nuk ka bazë ligjore për të vendosur të ardhmen e kandidatëve për mësues? Dhe, paligjshmërinë e këtij “portali” e vërteton vetë ministria. Së fundmi, pas kaq vitesh abuzimi në emërime në emër të portalit, Ministria ka vendosur ta shtojë në nenet e Ligjit nr. 69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar”.

Kështu, në projektligjin e dërguar në parlament “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 1 të projekt/ligjit, në nenin 2 ekzistues pas pikës 23, shtohet pika 26, si më poshtë:

“26. “Portali Mësues për Shqipërinë”, është platformë online ku kandidatët për mësues në sistemin e arsimit parauniversitar regjistrohen për të marrë pjesë në konkurrim për një pozicion të lirë pune. Kjo platformë realizon renditjen e kandidatëve, shpalljen e vendeve vakante dhe procesin e pranimit të kandidatëve për mësues në pozicionin e lirë të punës në institucionet e arsimit parauniversitar”

Me logjikën e këtij portali, deri tani i paligjshëm, dhe në projektligj nuk është i qartë se si përzgjidhen kandidatët, kushdo që ka dëshirë që të jetë mësues, edhe pa pasur diplomë, mund të garojë, sepse, fundja, për punësim si mësues nuk qenkërka i rëndësishëm fakulteti dhe diploma me emërtimin “Mësues”, por “portali”. Një “portë hyrëse” e vështirë për mësuesit, por “portë dalëse” për përgjegjësitë e Ministrisë përgjegjëse për arsimin.

A mund të ndodhë një skandal i tillë?!
Mjerisht, sistemi arsimor dhe mësuesi po kalon ndër periudhat më të vështira: Mësues të hutuar, të frikësuar dhe të denigruar; një shkollë e çorientuar me një kurrikul të pa zbatuar; arsim të lartë me një ligj ta pazbatuar dhe një Ministri Arsimi në një delir të drejtuar,- ky është realiteti i trishtë e i dhimbshëm. Dhe, nuk ka se si emërimi i mësuesve të jetë jashtë këtij çorientimi të organizuar. “Portali” është imazh, emërimi si mësues nuk ka lidhje me këtë portë të vështirë hyrëse. Ky proces, tejet i rëndësishëm, mund të jetë më i thjeshtë: Listimi i kritereve dhe vendosja e kandidatëve në një garë të drejtë punësimi kursen kohën, burimet njerëzore dhe financiare duke e bërë procesin transparent dhe dinjitoz, pa zhurmë e pa bujë, sepse është detyrim i ministrisë përgjegjëse për arsimin të lehtësojë çdo proces, aq më shumë aktin final, punësimin. Shkolla jonë është larg të qenit në standardet e epokës digjitale (e parapëlqyer nga ministria si fasadë e “kohëve moderne”) me simotrat e saj në hapësirën evropiane. Para se të ndërtojë portale të gënjeshtra digjitale, Ministria e Arsimit ka detyrimin institucional dhe atë moral për të siguruar minimumin për mësuesin në shkollë: Një tavolinë dhe një kompjuter që t’i përgjigjet kohës digjitale. “Shkolla vlen aq sa vlen dhe mësuesi”,- thotë Fridrih Adolf Vilhelm Disterveg. Kujdesi për mësuesin, është kujdesi për shoqërinë!
Sigal