SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim prokurorin Sali Hasa dhe 7 të tjerë, ja akuzat që rëndojnë mbi ta

169
Sigal

SPAK ka dërguar për gjykim ish-prokurorin e Sarandës Sali Hasa i akuzuar për korrupsion dhe fshehje të pasurisë, pasi rezultoi se kishte pushuar një procedim penal kundrejt rryshfetit.

Gjithashtu për gjykim janë dërguar edhe arbitri i futbollit, Qerim Ruçi, Bledar Hajredini zyrtar i klubit sportiv të Përmetit si dhe dy sekserë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Mbi dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.102/4, viti 2021

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.102/4 të vitit 2021. Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:

1.Sali Hasa, akuzuar se ka kryer veprat penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes dhe deklarimit të rremë, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

2.Napolon Hodaj, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

3.Emiljano Mirani, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

4.Elsona Papa, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

5.Markelian Alinani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

6.Julian Zera, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25 i Kodit Penal si dhe 305/b/1 të Kodit Penal.

7.Qerim Ruçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.

8.Bledar Hajredini, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.