Ish-bashkëshorti i dënuar në Itali, 49-vjeçares fierake i sekuestrohet pasuria 1.5 milion euro

239
Sigal

Policia e Fierit ka vendosur sekuestro preventive për mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.500.000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.

Në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale policia finalizoi operacionin policor të koduar “Kuadrati”.

Policia thotë se pasuritë e sekuestruara i përkasin një 49-vjeçareje nga Fieri me iniciale R. H.,(Z).

Pasuritë e sekuestruara janë një bar restorant në Skelë të Vlorës, një apartament në Vlorë, një apartament në Pogradec dhe një automjet tip “Benz”.

Njoftimi i policisë:

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Kuadrati”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 26.11.2020, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetases R. H.,(Z)., 49 vjeçe, banuese në Fier.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, ku vlera totale e pasurive të sekuestruara në Vlorë dhe Pogradec shkon rreth 1.500.000 euro, konkretisht:

• Një bar restorant në Skelë, Vlorë;
• Një apartament në Vlorë;
• Një apartament në Pogradec;
• Një automjet tip “Benz”.

Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Shaban Zenaj, i ekstraduar në Itali, është dënuar nga autoritetet italiane me 14 vjet burg.

Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal, ndaj shtetasit Shaban Zenaj, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.