Kriminalizohet Shpifja/ Ministrja Gjonaj: Dënohet me 1 vit burg, kush publikon dhe shpërndan meme

245
Sigal

  Reagon Rama: Nuk ka shans të ndalohen me ligj. Përgënjeshtron Ministria e Drejtësisë: Projektligji është gati

 

Drafti i ri i Kodit Penal ka kaluar për shqyrtim nga Ministria e Drejtësisë tek Komisionet Parlamentare me një propozim që ndalon montazhin e pamjeve të një personi pa pëlqimin e tij, ose siç njihen ndryshe në të gjithë botën “Meme”. Ky projekt që është hartuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj parashikon dënimin me deri në 1 vit burg të kujtdo që realizon këto montime. Konkretisht në nenin 238 të ligjit thuhet se: Publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit. Zbërthimi i këtij ligji të mbiveshur me terminologji, është i thjeshtë. Qeveria ka në plan të kalojë në Kuvend në ligj, i cili do të dënojë me burg çdo njeri që guxon të bëjë meme në rrjet. Qeveria do të bëjë një ligj, ku të gjithë krijuesit e meme-ve do të duhet të marrin leje tek kryeministri dhe ministrat, para se t’i publikojnë, në të kundërt i pret dera e burgut. Kodi Penal do të penalizojë me gjoba të majme dhe me burg të gjithë ata që i prodhojnë meme, por dhe ata që i shpërndajnë.

Reagimi i kryeministrit Rama: Asnjë shans s’ka të ndalohen dhe të dënohen memet me ligj!

Ka reaguar kryeministri Rama pas deklaratave të shumta lidhur me ndryshimet në Kodin Penal që përfshijnë burg. Rama shkruan në Twitter se nuk ka asnjë shans që të dënohen memet me Kod Penal. Rama:  “Shih, shih qenkan revoltuar ca analistë se do u dënokan memet me Kod Penal, duke u nisur nga s’di ç’material jozyrtar! Po si mund të ndalohen memet me ligj na e thonë dot këta orakuj të kombit? Asnjë shans s’ka, ku ta gjenim që dhe këta të merreshin me meme që të vlenin për diçka!”

Ministria e Drejtësisë përgënjeshtron Ramën: S’është drafti final, por janë propozuar

Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të ardhura nga gazetarët në lidhje me draftin final të Kodit të Ri Penal, duam t’ju sqarojmë se materialet që po qarkullojnë në medie,  janë ende një dokument pune, nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik. Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi.

Ose ministrja Gjonaj të japë dorëheqjen, ose kryeministri Rama disinformon shqiptarët

Pasi u bë publik  projektligji i ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj , në rrjetet sociale shqiptarët shpërthyen në kritika shumë të forta, ndërkohë, që edhe Parlamenti Europian reagoi duke theksuar se në Shqipëri rrezikohet liria e medies. Ky reagim i shqiptarëve dhe i institucioneve të BE-së, për projektligjin e qeverisë së ‘Rilindjes’, që kriminalizon shpifjen, që penalizon memet, e detyroi kryeministrin  Rama të përgënjeshtrojë vetë ministren e tij të Drejtësisë Etilda Gjonaj, duke theksuar se nuk e di se nga ç’material zyrtar, ka dalë ky lajm, por nuk ka asnjë shans që të dënohen memet me Kod Penal. Tani, dy rrugë ka: E para, kryeministri Rama duhet të shkarkojë sa më parë ministren e Drejtësisë, që ka projektuar një projektligj pa dijeninë e tij, e për më tepër nja ligj antikushtetues, që cenon Lirinë e Fjalës, ose, e dyta, kryeministri reagoi, vetëm pasi pa reagimin e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve, për më tepër, që një nga kushtet e BE-së për hapjen e negociatave,  është edhe tërheqja e ligjit të Antishpifjes.