Isa Alibali: Zef Jubani, “Artist i Popullit” në rolin e Harpagonit

1227
Shkodrës, i pari teatër profesionist në vendin tonë, pas atij të Tiranës. Ky institucion i ri po ecte në rrugën e konsolidimit të tij. Kjo u pa veçanërisht me vënien në skenë të komedisë së Molierit “Koprraci”, Kjo komedi e njohur klasike përcaktoi një drejtim të ri në ecurinë e këtij teatri. “Duhet të njihemi edhe ne me mjeshtrit e mëdhenj të skenës” , u tha me të drejtë në atë kohë. Vendimi për vënien në skenë të kësaj komedie e gjeti regjisorin në befasi: “Pse nuk kanë parë në fillim se kush mund ta interpretojë Harpagonin e pastaj të merrnin vendimin?” , thoshte ai. Megjithatë, më shumë si urdhër dhe më pak si kënaqësi, regjisori i hyri me dëshirë dhe vullnet punës për vënien në skenë të kësaj komedie klasike, e cila ishte shfaqur disa herë përpara shumë vjetësh nga grupet amatore të Shkodrës. Për regjisorin Lec Shllaku, problem kryesor doli zgjedhja e aktorit që do të luante Harpagonin. Tashmë e njihte trupën e teatrit dhe dinte mundësitë e secilit. Për mendimin e tij, më afër se të tjerët ishin aktorët Rrok Ashta dhe Lin Gjonej, të njohur në Shkodër si nga artistët më të mirë amatorë. Lini ishte i emëruar si profesionist në teatrin e ri “Migjeni”. Ishte i gjatë dhe i hollë dhe për këto arsye ai mund ta luante mirë Harpagonin, u mendua nga regjisori. Kishte edhe një zë të përshtatshëm për këtë rol. Lec Shllakut, tek të gjithë aktorët tjerë i kishte shkuar mendja, por vetëm te Zef Jubani jo, sepse për të kishte mendim tjetër: Zefi ishte njeri i rregullt, me trup të plotë e muskuloz, me tipare të pastra e të sinqerta, që shprehnin një njeri me virtyte të larta, që vetëm “koprrac” nuk mund të ishte e nuk mund të bëhej kurrë një personazh i tillë, siç kërkonte roli i Harpagonit. 

Bile ky ishte edhe mendimi i përgjithshëm që përfshiu të gjitha sferat e punës në teatër. Por…- Më falni, ju e dini më mirë, por për mue, për rolin e Harpagonit do të ishte më i përshtatshëm Zef Jubani, – u ngrit elektricisti i teatrit që ishte thirrë në këshillin artistik për të shikuar vendosjen e ndriçimit të shfaqjes. Regjisorit në këtë moment i shkoi mendja te ngjarja që flitej për Mikelnxhelon, i cili kishte thirrë një këpucar, për të parë se si autori kishte bërë këpucët e veprës së tij dhe vërejtjen e tij, po për këpucët e kishte pëlqyer. Kur këpucari, duke marrë guxim nga vlerësimi i Mikelanxhelos kishte filluar të bëjë edhe vërejtje të tjera, ky i kishte thënë: “Këpucar, qëndro te këpucët…”Në atë moment Lec Shllaku gati sa s’i tha: “Elektricist, qëndro te dritat…” Por nuk i tha asgjë. Fjala e elektricistit kaloi, pra, krejt pa vëmendje. Regjisori i dha Zef Jubanit rolin e Simonit, një rol episodik. Por puna me Harpagonin nuk po ecte. Zef Jubani e shihte qartë këtë dhe pa biseduar me njeri, filloi vetë që ta punonte në heshtje e në mënyrë individuale. Sigurisht me vështirësi të mëdha. E ndiente veten të shqetësuar, sepse ende nuk e kishte zgjidhur figurën. Punonte deri në orët e vona të natës me mendimin e përqendruar tashmë në një pikë – si të zgjidhte figurën e Harpagonit nga ana e jashtme. Kishte provuar shumë e shumë herë, por asnjëherë nuk kishte mbetur i kënaqur. Kishte momente që mërzitej së tepërmi dhe i shkonte nëpër mend që ta linte fare rolin. Por jo. Ai vazhdoi me këmbëngulje drejt suksesit, sikur Harpagoni të ishte krijuar vetëm për të. Zefi kishte në shtëpi një plakë rreth 100-vjeçare, që e thërriste “Dadë”. Ajo e ndiqte gjatë punës që bënte në shtëpi, deri në orët e vona të natës.

– Shko, Dadë, bjerë e fli se u bë vonë – i tha ai një natë. Pas shumë ngurrimesh ajo pranoi. Aty nga mesnata, kur Zefi ishte në kulmin e punës, papritmas shuhen dritat. Mbetet i vetëm në terr, duke qëndruar në heshtje, me një gjendje shpirtërore të trazuar. Papritmas hapet dera e dhomës dhe futet Dada e kërrusur, me qiri në dorë, me fytyrën e lodhur e plot rrudha, të cilat drita e qiriut ia deformonte. Silueta e saj në mur kishte një pamje të frikshme, që herë zmadhohej e herë zvogëlohej, sipas lëvizjeve që bënte Dada me duart që i dridheshin. Zefi ngrihet menjëherë dhe i del përpara, pa i folur. E vështron, ashtu, në heshtje, për disa sekonda, me një ndjenjë admirimi të veçantë. Duke i sjellë Zefit dritën e ndriçimit për të vazhduar punën. Dada nuk e kuptoi se po i sillte diçka tjetër, një dritë më të madhe. Zefi hidhet përpjetë nga gëzimi, me të dyja duart e kap për beli dhe, duke e ngritur me hov lart, e rrotullon disa herë, sikur të kishte në duar një fëmijë të vogël dhe bërtet me gjithë fuqinë e zërit:

– E gjeta !!! E gjeta!!! Gati si jashtë vetes, me plakën e habitur ndër duar, rrotullohet përsëri e përsëri në dhomën gjysmë të errët dhe e ulë me kujdes, duke i thënë: – Faleminderit, Dadë, faleminderit…Plaka, e befasuar si asnjëherë, e vështroi me habi, por ngultas, pa kuptuar as thirrjet e as rrotullimin aq marramendës të tij. Në këtë moment ndizen dritat, por Zefi i fik menjëherë. Nuk do të prishë imazhin që sapo iu krijua nga hyrja në errësirë e Dadës. – Përsërite hyrjen edhe njëherë, Dadë, – i thotë me të shpejtë. – Çka të baj?! – pyet ajo përsëri e habitur, ndonëse e gatshme për të bërë atë që i thotë Zefi. – Ja, kështu! Hyr edhe një herë me qiri në dorë, – dhe i tregon se si të veprojë. Plaka hyn edhe një herë, edhe një herë tjetër, e ndërgjegjshme tashmë se po kryente një detyrë të rëndësishme. Lëvizjet e saj tashti janë të gjalla, si të një fëmije…
Të nesërmen Zefi doli në punë me herët se ditët tjera. – Tashti mendoj se jam në rregull. Shpresoj t’ju pëlqejë edhe juve, – I tha regjisorit të teatrit, Lec Shllakut. Ata ishin shokë e miq, por Zefi megjithatë e respektonte shumë dhe ia dëgjonte fjalën.
– Për çfarë e ke fjalën! – i tha Leci .
– Tashti e di si do të dal në skenë. Eja ta provojmë përpara se të vijnë shokët. Lec Shllaku u ul në një karrige. Zefi doli jashtë. Dëgjohet një thirrje e fuqishme “Ndihmë”,”Ndihmë” dhe një Harpagon i çuditshëm, i thyer më dysh nga kërrusja, i mbështetur mbi një gjysmë shkopi, me një fytyrë të ngërdheshur dhe të çuditshme, shqipton fjalët e rolit dhe bredh nëpër skenë fare i lirë, sikur i tillë të ishte edhe në jetë. Lec Shllaku u entuziazmua. Zef Jubani tashmë kishte triumfuar plotësisht, falë talentit të madh dhe punës këmbëngulëse të tij.
Zef Jubani tregoi se asnjëherë nuk i merrte gjërat lehtë, por i vlerësonte me përgjegjësi të madhe. Ai ishte mjeshtër i veprimit dhe i mendimit, mjeshtër i vërtetë i kërkimit. Premiera pati shumë sukses.
Zef Jubani shkrihej i tëri gjatë interpretimit të këtij roli të vështirë. Vetëm në një natë të shfaqjes, ai binte në peshë më shumë se dy kg.. Ishte i njëjti nga fillimi deri në fund të shfaqjes, pastaj, i rraskapitur, ndërrohej dhe bëhej tjetër njeri. Bëhej qytetar i zakonshëm dhe i vërtetë. Shfaqja e komedisë “Koprraci” shënon një ngjarje të parë të madhe në historikun e shkurtër të teatrit “Migjeni”
Regjisori Lec Shllaku, “Artist i Popullit” ka shkruar dhe botuar një monografi “Zef Jubani”, në vitin 1963, të cilën e ka ribotuar të përpunuar në vitin 2004.
ISA ALIBALI
Ish-drejtor i teatrit “Migjeni”
Sigal