Intervista/ Prof. Dr. Valter Shtylla: Mirdita në dritën e historisë

211
Sigal

Intervistë e Prof. Dr. Valter Shtylla, dhënë studiuesit mirditor Gjon Marku

‘Sa i takon evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në trevën e Mirditës, ekziston një paradoks shqetësues, Mirdita, vendi i më se 20 kuvendeve vetëqeverisëse, nga viti 1570 deri në vitin 1944. Është treva me numrin më të pakët të monumenteve në Listën Zyrtare të vlerave të kulturës materiale. Mendoj se kjo së pari duhet të ketë qenë një neglizhencë e karakterit politik”

 

Në numrin e sotëm, botojmë intervistën e plotë që Prof. Dr. Valter Shtylla në korrik të vitit 2016, i ka dhënë studiuesit nga Mirdita, Zotit Gjon Marku, i shquar për ndriçimin e vlerave historike të trëvës së tij.

Prof Dr Valter Shtylla, ish Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 1992-1998 dhe 2008-2010 dhe kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) gjatë viteve 2000-2012. Botues i 5 monografive për kulturën tonë materiale dhe pjesëmarrës në dhjetra simpoziume e konferenca brenda dhe jashtë vendit.

Manastiri Real San Trinidad ne Valencia , ku prehet Alfonsi, nipi i Skenderbeut dhe mundet edhe Donika, gruaja e Heroit tone Kombetar.

Profesor i nderuar, Ju për afro gjysëm shekulli keni ushtruar aktivitet të nderuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore madje deri në detyrën e Drejtorit të Insitutit të Monumenteve të Kulturës. Duke qenë i kësaj fushe ç’mund të na thoni mbi vlerat e kësaj trashëgimie në trevën e Mirditës?

Së pari Z. Gjon, duke ju falenderuar për konsideratën ndaj meje si autor i kësaj interviste, nuk mund të mos shpreh një mendim timin e të them se e vlerësoj lart inisiativën tuaj për evidentimin dhe ndriçimin e pasurive historiko-kulturore të trevës ku je lindur.

Gjithmonë kam dëshiruar dhe mirëpritur që sa morale dhe me kuptim të lartë do të ishte, që në çdo skaj të vendit tim të qëllonte ndonjë person, që me pasionin e një gjurmuesi të kualifikuar dhe me dashurinë dhe mirënjohjen për tokën e tij, të hulumtonte, të sistemonte dhe rrjedhimisht t’i botonte këto studime për të gjitha vlerat e kulturës së trevës që e lindi dhe e formoi. Me sa shoh z. Gjon me kërkimet dhe botimet e derisotme e meriton plotësisht këtë besim dhe konsideratë. Botime të këtij karakteri, bashkarisht nga të gjithë trevat e vendit, përveçse ndriçojnë vlerat e kulturës kombëtare, zhvillojnë ndjenjën dhe dashurinë për kombin, për të cilat sot ka aq shumë nevojë kombi ynë shqiptar. Për këtë arsye, puna plot pasion e z. Gjon Marku përbën një kontribut të ndjeshëm, që e vlerëson lart atë si njeri të letrave, që me plot mirësi e ka lidhur jetën e tij intelektuale me vendlindjen e tij, Mirditën. Lidhur me pyetjen që më bëni dhe që lidhet me profesionin tim, mendoj se ajo është një goditje në shenjë. Sa i takon evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në trevën e Mirditës, ekziston një paradoks shqetësues, Mirdita, vendi i më se 20 kuvendeve vetëqeverisëse, nga viti 1570 deri në vitin 1944. Është treva me numrin më të pakët të monumenteve në Listën Zyrtare të vlerave të kulturës materjale. Në këtë listë Mirdita përfaqësohet me vetëm shtatë objekte dhe katër banesa fshatare, një kala në Rubik dhe një kishë, manastiri i Rubikut dhe ujësjellësin e Domgjonit. Pra në trevën e Mirditës kanë qenë të pakta ekspeditat e gjurmim-kërkimit nga ana e arkeologëve, historianëve, etnografëve, studiuesve të arkitekturës etj. Mendoj se kjo së pari duhet të ketë qenë një neglizhencë e karakterit politik. Mirdita si trevë me një influencë të fuqishme të klerit katolik, kishte në tokën e saj një numër të madh kishash e kuvendesh katolike përfshirë edhe Kuvendin e Oroshit. Me qëllim denigrimi të klerit katolik, ato nuk u vlerësuan si objekte me vlera historike, arkitekturore dhe arti, por u shkatërruan dhe u kthyen në depo. Në shumë nga këto kisha e katedrale u organizuan Kuvendet historike të Mirditës. Sa më parë në këtë trevë duhen organizuar ekspeditat e gjurmimet me specialistë të fushave të trashëgimisë, për vlerësimin dhe përcaktimin e objekteve historike. Dihet se statusi i monumenteve të kulturës mund ta kenë dhe objektet në statusin e rrënojës, siç mund të jenë mjaft nga katedralet, kishat dhe qelat ku u zhvilluan Kuvendet historike të Mirditës. Pa diskutim, numri i monumenteve nga Mirdita në Listën Zyrtare duhet të shtohet.

Monumenti mortor i Konstandinit, nipi i Skenderbeut, ne Kishen Santa Maria la Nova te Napolit

Profesor, në bisedat paraprake, që kemi zhvilluar bashkë ju pohoni se historia e trevës së Mirditës është e lidhur dhe me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skëndërbeut. A mund të jeni më konkret lidhur me këtë çështje?

Për informacion mund të shprehem në këtë aspekt ekziston një indikacion i veçantë. Në hapësirën e Ndërfanës së Mirditës ndodhet fshati Simon, i cili pas gjurmimesh dhe hulumtimesh të mëtejshme mund të konsiderohet si i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë e veçanërisht për kronikën e familjes së Kastriotëve. Autorë të ndryshëm e përcaktojnë fshatin Simon, në veri të Krujës si vend-lindjen e Gjergj Kastriotit. Studiuesi maqedonas Popovski, thekson se ai, Skëndërbeu, ka lindur në fshatin Simon në tetor të vitit 1405. Për fshatin Simon shprehen dhe Johan Hahn në botimin “Udhëtime nëpër viset e Drinit  dhe Vardarit” të vitit 1867 si dhe Mamçillo Spremiç në librin “Albanija nga shekulli XIII- XV” e vitit 1969. Po kështu edhe autori Jastrebov në “Stara Srbja i Albanija” e vitit 1904, këtë mendim mbështet dhe Fulvio Cordinjano në veprën e tij “Gjeografia e eklektastika e Shqipërisë” nga dekadat e fundit të shekullit XVI deri në mesin e shekullit XVII,” të vitit 1934. Këto janë disa të dhëna që presim të pasurohen me të dhëna si nga gjurmimet në kulturën materjale vendase (tek kishat e zonës), ashtu dhe me të dhënat bibliografike. Nëse vërtetohet, atëhere treva e Mirditës do të zërë një vend të rëndësishëm në historinë kombëtare lidhur me trojet e familjes së Kastriotëve.

“Në hapësirën e Ndërfanës së Mirditës ndodhet fshati Simon, i cili pas gjurmimesh dhe hulumtimesh të mëtejshme mund të konsiderohet si i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë e veçanërisht për kronikën e familjes së Kastriotëve.”

Pasi po trajtojmë historinë e familjes së Kastriotëve, prezente ndoshta dhe në historinë e Mirditës e për më tej me origjinë prej këndej, atëherë çfarë informacionesh të tjera keni mbi veprimtarinë e kësaj familje në ndonjë prej trevave të tjera afër saj?

Atëhere Arkipeshkëvi i Durrësit, Pal Engjëlli, që ka jetuar në vitet 1408-1468 ka qënë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gjergj Kastriotit -Skëndërbeut. Ai njihet si diplomat dhe këshillar i Skënderbeut për politikën e jashtme. Veç këtyre fakteve historike, Pal Engjëlli është i njohur në historinë e shqiptarëve si autori i të parit dokument të shkruar në gjuhën shqipe. Kleriku diplomat nga familja aristokrate Dushi nga Durrësi, paraardhësit e së cilës që prej shekullit të XIV-të kishin marrë mbiemrin e familjes perandorake bizantine Angelos , më 8 nëntor 1462 shkroi Formulën e Pagëzimit. Në këtë dokument Pal Engjëlli udhëzon besimtarët e vet që në mungesë të meshtarëve, ata duhet t’i pagëzojnë vetë fëmijët e tyre, me ujë të zakonshëm, duke e përmbyllur ceremoninë me shprehjen “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjt”. Hartimi i këtij dokumenti të parë të shkruar në gjuhën shqipe, u krye në rrethanat kur kryepeshkopi vërejti çrregullime në shkresat fetare në Dioqezën e Lisit të Matit. Për këtë qëllim ai organizoi një kuvend kishtar në kishën e Shën Trinisë së Matit ku dhe u shkrua Formula e Pagëzimit. Kjo është kisha e Shën Trinisë së Shëlliut të Matit. Në ditët e sotme, midis katundit Shlli dhe lagjes Dazaj të Macukullit, mbi kodrën e Ballës në Dharbëll, ndodhen rrënojat e një kishe të vjetër me emrin Shnritat. Pal Engjëlli, autori i Formulës së Pagëzimit dhe bashkëpunëtor i Skënderbeut, nga ana tjetër Abacia e Shën Mërisë së Martaneshit e lidhur me historinë e familjes së Kastriotëve dhe të klerit në zonat e Matit, Durrësit dhe Dibrës, logjika këto që ligjërojnë praninë e kësaj teme në atë të Formulës së cituar. Manastir ose Abaci e Shën Mërisë ka gjasa të ketë ekzistuar në fshatin Peshk të krahinës malore në verilindje të Tiranës, e cila sot njihet me emrin Martanesh. Në Mesjetë kjo krahinë ndërmjet malësive të Tiranës, Matit dhe Dibrës ka qenë njohur me emrin Hunavi apo Kunavi. Për këtë identifikim shprehen shumë autorë të ndryshëm. Në hartën e botuar nga Shuflaj, Hunavia ndodhet ndërmjet Durrësit dhe rrjedhës së sipërme të Lumit Mat, pikërisht tek Martaneshi i sotëm. Po këtu e vendos Hunavinë edhe Gjergj Akropoliti, pretor i perandorit bizantin Laskalas nga Nikea, në vitin 1258, kur përmend ekspeditat bizantine ndaj arbëreshëve . Pak a shumë me këtë përcaktim pajtohet edhe studiuesi Kristo Frashëri, i cili nuk përkrah mendimin se Hunavia lokalizohet në zonën e Shijakut në Shqipërinë e Mesme. Lidhur me përkatësinë territoriale në periudhën e Principatave Feudale Shqiptare, rezulton se në vitin 1437, bashkë me krahinën e Dibrës, Matit dhe Gollobordës, zona e Hunavisë (Martaneshi) u përfshi në një vilajet me emrin Juvan-ili (Vilajeti i viseve të Gjonit), dmth të Gjon Kastriotit, i ati i Gjergj Kastriotit . Në dhjetor 1447 Mbreti i Napolit, Alfonsi i V-të e njeh Gjergj Katriotin “zot i Krujës i Arbëris” ku në Arbërinë mesjetare veç të tjerash përfshinte dhe krahinën e Martaneshit. Malësia e Kunavisë përmendet dhe në kronikat historike të Mesjetës. Me përhapjen e krishtërimit në Shqipëri, theksohet në shekullin X-të, Metropolia e Durrësit me 14 peshkopata vartëse (sufragane) ku përfshihet dhe Kunavia. Gjatë shekujve XI-XII-të si pasojë e fushatave politike dhe ushtarake në rajon, dhe pas ndarjes së kishës në 1054, Metropolia e Durrësit me sufraganet vartëse pësuan lëkundje në orientimin kishtar, herë drejt Papatit (katolicizmit) e herë drejt Bizantit (ortodoksizmit). Me ndarjen e vitit 1054 fuqizohet kisha katolike e Durrësit. Më tej, në vitin 1143, Metropolisë Ortodokse të Durrësit i kishin mbetur vetëm katër sufragane (vartëse) nga 14 që kishte pasur dikur, që ishin peshkopata në veri të saj, Kruja, Kunavia, Stefanika në Mat(11), renditje kjo pranëterritoriale, çka dëshmon dhe një herë pozitën e Kuvanisë në veri të Durrësit . Një dokument papal i vitit 1888 shpjegon se Peshkopata e Arbërit, u vendos nën vartësinë direkte të Selisë së Shënjtë. Me situatat politike pas vitit 1210 kisha e Arbërit ra përsëri nën influencën e kishës ortodokse. Pas pushtimit anzhuin të Napolit, në vitin 1272, në Principatën e Arbërit u forcuan pozitat e katolicizmit. Megjithatë në këtë Principatë qëndrore riti katolik nuk arriti ta spostonte plotësisht ritin ortodoks. Këtu ndodhi një përzierje e të dy riteve. Në Durrës dhe në Arbëri funksiononin si kisha e manastire katolike ashtu dhe ortodokse. Lidhur me ritin e kishës së Martaneshit dhe të Mirditës përmendim faktin e njohur se Gjon Kastrioti, i ati i Gjergj Kastriot Skëndërbeut, në Principatën e tij ka pasur klerin katolik dhe abacitë katolike. Në kronikat e tij të vitit 1641, Mark Skura përmend Shën Martinin në tokën e quajtur Shmërtin. Motit qe abaci me rentë të madhe, e plotë me dy këmbanare dhe me 1050 frymë të krishterë (14). Një tjetër autor, duke përmendur manastirin e njohur të Shën Mërisë së Martaneshit, hedh mendimin se njëri nga vëllezërit e Skëndërbeut mund të jetë varrosur në këtë manastir siç ka ndodhur me vëllanë e madh Reposhin në Manastirin  e  Hilandarit  në Malin e Shenjtë.

Sipas Shuflait, Dioqeza e Hunavisë është shuar në vitin 1529. Më pas, në vitin 1641, Kryepeshkopi Mark Skura në këtë vend has kishën e Shën Martinit, e ndërtuar në vendin e Abacisë së moçme të Shën Mërisë. Në këtë fshat të Martaneshit me emrin Peshk, banorët kremtonin si festë fetare Shën Martinin dhe pas Hunavisë, pra në kishën e Shën Martinit, të fillimit të shekullit XVII-të kjo krahinë filloi të njihet me emrin Martenesh-Martinesh- Martanesh. Kisha e Shën Martinit ka arritur deri në fillimin e shekullit XX-të; bile siç tregojnë vendasit themelet e saj janë ruajtur deri në vitet 60-te të atij shekulli. Edhe sot në fshatin Peshk të Martaneshit, shkëmbin në sfondin e vendit ku ka qënë kisha, e njohin me emrin domethënës Shkëmbi i Shën Trinisë, gjë që të shtyn për hulumtime historike. Vendi pas shkollës së fshatit quhet Sheshi i Kishës dhe burimi i ujit pranë quhet Kroi i Kishës. Aty sot janë gjurmët dhe të kroit të lashtë dhe të kishës. Një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve të familjes së Kastriotëve me Abacinë e Shën Mërisë, është dhe fakti se kur Gjergj Kastrioti  mori një ndihmë  me municione artilerie nga mbreti Alfonsi V i Napolit, me anë të karvaneve me kafshë, ai i transportoi ato në bazën e tij të sigurtë në Martanesh. Fshati Peshk i Martaneshit gjatë shekullit të XV-të kishte dy rrugë karvanesh që e lidhnin me Krujën. Rruga dimrore kalonte nga Plani i Bardhë – Ura e Vashës- Guri i Bardhë- Zall Dajti -Tujani – Kurcaj e në Krujë; ndërsa rruga verore kalonte nga Biza- Shën Gjergji -Zall Dajti e në Krujë. Sa i takon kohës së ndërtimit mund t’i referohemi faktit se sipas Shuflait, Peshkopi i parë i Hunavisë e sufragan i Durrësit u emërua Guaskoni, në vitin 1310-1318. Në këtë mënyrë mund të shprehemi se Abacia e Shën Mëris së Martaneshit të paktën ka ekzistuar  që prej shekullit të XIII-të duke qenë një kuvend katolik, qendër e rëndësishme fetare dhe e familjes së Kastriotëve. Sigurisht Abacia e Shën Mëris së Hunavisë nuk duhet konfonduar e njejtë me kishën e Konovës emëri i së cilës buron nga ai i maleve Candave gjatë rrugës Via- Egnatia në malet e Polisit Librazhd, e cila në ndryshim nga Abacia e Martaneshit mbante emrin Kisha e Shën Gjon Pagëzorit. Ishte kjo një përpjekje për të identifikuar një abaci të rëndësishme në Principatën e Arbërit nën domenet e Kastriotëve. Trajtimi historik dhe arkeologjik i kësaj qendre arbënore mund të nxjerrë fakte të panjohura deri më sot për Principatën e Kastriotëve.