Informacioni ndihmon në pakësimin e ankthit te pacientët e hospitalizuar me Covid-19 dhe familjarët e tyre

344
Sigal

Nga Gentian Çala

(Një dëshmi e dobishme)

Në këtë periudhë me plot të panjohura, disa dëshmi mund të jenë të dobishme. Duke lundruar nëpër Medscape, lexova këtë koment të një kolegu Infeksionist, përvoja e të cilit mund të jetë e dobishme për zvogëlimin e ankthit te pacientët e infektuar të hospitalizuar dhe për familjarët e tyre. Komentin mund ta ndiqni si vijon pa ndryshime:

“Informacioni profesional mund të fuqizojë pacientin dhe të zvogëlojë ankthin.

Unë jetoj në Angli, Britani të Madhe dhe jam specialist Infeksionist. Një nga të afërmit e mi të me moshë 51 vjeç, zhvilloi një kollë të thatë të vazhdueshme, ethe dhe mialgji. Ai u izolua vetë në shtëpi duke marrë pushim, rehidrim dhe dietë ushqimire. Shtatë ditë më vonë, ethet e tij u qetësuan, megjithatë kolla e tij vazhdoi dhe ai zhvilloi vështirësi në frymëmarrje. Gruaja e tij thirri Mjekun e Familjes, i cili organizoi një testim për COVID19 dhe pranimin në spital për të. Më pas, testi ishte pozitiv për SARS-CoV-2 ARN e zbuluar nga PCR dhe ai u transferua në ICU (Njësinë e Mjekimit Intenziv) për CPAP (ventilim i vazhdueshëm me presion pozitiv të ajrit). Në këtë fazë, pacienti kishte mjaft në ankth, familja e tij dhe të afërmit ishin edhe më të shqetësuar për mundësinë e rëndimit të gjendjes.

Duke qenë një i afërm i ngushtë, u ndjeva i pafuqishëm në ofrimin e ndonjë mbështetje ose këshillimi, për shkak të ndalimit të vizitës në spital dhe thirrjes telefonike ndaj pacientit, sipas protokollit të kontrollit pandemik të virusit korona. Sidoqoftë, pacientit iu lejua përdorimi i telefonit të tij të zgjuar për të shkruar mesazhe dhe për të lexuar mesazhe, por jo për të bërë thirrje telefonike.
Në përpjekje për të ulur ankthin e tij, unë përpilova një listë të përfitimeve të mundshme të pranimit të tij në spital dhe i përshkrova atë më vonë anëtarëve të familjes së tij. Për habinë time, zbulova se këto informacione kishin një efekt magjik mbi të dhe të afërmit e tij në ankth. Si rezultat, ai dhe familja e tij, pranuan shtrimin e tij në spital si një hap pozitiv dhe të vlefshëm për menaxhimin thelbësor që nuk mund të realizohej në shtëpi.

Reagimet e fundit nga stafi përgjegjë i Njësisë së Kujdesit Intenziv tregojnë se ai po bën përmirësim të kënaqshëm. Sa i përket familjes së tij dhe të afërmve, ne jemi mirënjohës për ambientet e shkëlqyera të monitorimit dhe mundësitë e trajtimit që i janë ofruar atij në spital, të cilin ai kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje që ta merrte në shtëpi. Këtu është lista ime ashtu si një shembull. Ju mund të përpiloni tuajin në kohën e nevojës dhe sipas rrethanave tuaja.

18 përfitimet e shtrimit në Spitalin e Pranimit për pacientët me pneumoni të moderuar dhe të rëndë nga COVID-19:

  1. Pushimi
    2. Terapia e oksigjenit
    3. Monitorimi i saturimit të O2 përmes oksimetrit
    4. Testet FBC (analiza e gjakut komplet) duke përfshirë WCC (formulën leukocitare) dhe limfocitet
    5. Shenjuesit e inflamacionit p.sh. CRP
    6. Testet e funksionit të veshkave
    7. Testet e funksionit të mëlçisë
    8. Monitorimi shenjave jetësore dhe i qarkullimit të gjakut
    9. Imazheri: Rö-Grafi të kraharorit, Rö-Grafi të tjera, Skaner nëse nevojitet
    10. Menaxhimi i strukturuar i pacientit
    11. Dexamethasone
    12. Antibiotikët, p.sh. beta-laktamë për infeksione dytësore, Azitromicine
    13. Qetësimin e dhimbjeve: Paracetamol
    14. Mund të merret në konsideratë përdorimi i agjentëve anti-COVID-19: Hidroksiklorokine, Kaletra, megjithatë, pacientët e tillë zakonisht futen në studime të këtyre mjekimeve pasi japin pëlqimin
    15. Ilaçe kundër ankthit: Midazolam
    16. Fizioterapi
    17. Dietë e thjeshtë e ekuilibruar
    18. Këshilla profesionale

Përshëndetje të përzemërta,
Dr Sayed S. Bukhari
MBBS, DGUMed, MSc, FRCPath, Cert Mt
Konsulent i Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë
Drejtori i Programit të Trajnimit
Spitalet Universitare të Leicester (NHS Trust)”

Ajo çka na mëson kjo dëshmi është se aplikimi i fletëpalosjeve apo format e tjera të informimit në Spitalet Covid do të ndihmonte pacientët dhe familjarët, që të ndihen më të qetë dhe me më pak ankth, të jenë më bashkëpunues dhe që të mos tejreagojnë apo të kenë reagime të papërshtatura. Më pak ankth do të thotë një efikasitet më i mirë i imunitetit në luftimin e sëmundjes.