Importet nxjerrin zbuluar kontrabandën në Port me 2200 ton naftë

179

Oligarkët me 2200 ton naftë kontrabandë do të shmangnin më shumë se 2 milionë dollarë taksa, të cilat nuk do të shkonin në arkën e shtetit, por në xhepin e tyre, në një kohë kur shqiptarët sot paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe Europë

Sigal

 

Futja e karburanteve kontrabandë ka qenë një ndër problematikat kryesore të doganave në Shqipëri. Jo më kot, vendi ynë harxhon zyrtarisht më pak karburant dhe Kosova dhe Maqedonia edhe pse ka një numër makinash më të madh që qarkullojnë se këto dy shtete.

Sipas INSTAT , gjatë periudhës Prill-qershor importi i karburanteve ra 16.7%, por INSTAT raporton se konsumi i tyre është rritur me 5.2%.

Gjatë ditës së djeshme , policia njoftoi për kapjen e një anijeje me më shumë se 2 200 ton naftë kontrabandë në Portin e Durrësit, e cila ishte nisur nga Libia për t’u shkarkuar në Shqipëri. Në njoftimin e policisë theksohet po ashtu se janë arrestuar edhe pjestarët e ekuipazhit të anijes, të cilët janë me shtetësi të Libisë dhe Sirisë, por ajo që të bën përshtypje ka të bëjë me faktin se asnjë prej të arrestuarve nuk është shqiptar.

Policia nuk ofroi asnjë të dhënë për publikun se kush ishin pritësit e ngarkesës kolosale të naftës, të cilët po përpiqeshin që ta fusnin në tregun shqiptar pa paguar taksa.Sipas përllogaritjeve, me çmimet e sotme, del se nëse anija do të ishte futur kontrabandë ashtu siç kishin planifikuar pritësit e saj në Shqipëri, atëherë tregtari apo tregtarët do të shmangnin më shumë se 2 milionë dollarë taksa, të cilat nuk do të shkonin në arkën e shtetit, por në xhepin e tyre, në një kohë kur shqiptarët sot paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtit në Europë.

Kjo është një sasi kolosale karburante, e cila pa taksa kap shifrën e 2.2 milion dollarëve dhe bashkë me taksat shkon deri në 4 milion dollarë kosto totale, gjë që tregon se porositësi nuk është një qytetar dosido por një kontrabandist i madh.Megjithatë, ndryshe nga rastet e tjera, policia në rastin e 2 200 tonëve naftë kontrabandë nuk ka arrestuar ende asnjë shqiptar dhe mbi të gjitha, nuk thotë se kush ishte porositësi i një sasie kaq të madhe karburanti që po tentonte ta fuste pa taksa në Shqipëri. Flitet për një telefonatë nga një ambasadë e rendësishme në Tiranë të cilët e njoftojnë se OBK ka vendosur një embargo ndaj naftës së Libisë duke e paralajmëruar edhe për pasojat e shkeljes së kësaj embargoje

Sa anije të tjera nuk janë kapur?!

Në vetëm pak ditë janë kapur rreth 2 307 ton karburant kontrabandë në vendin tonë, ndërkohë që nuk dihet sasia që ka arritur të futet pa u kapur. Gjatë muajve të fundit, tatimet kanë raportuar rënie të sasisë së karburantit të zhdoganuar në vend duke ia referuar treguesit rritjes së çmimit, por duket se një dorë të mirë në drejtim të rënies së sasisë së karburanteve të zhdoganuara e ka dhënë edhe sasia e futur kontrabandë. Policia kapi 2 ton naftë kontrabandë në Tiranë, ku një qytetar e kishte kthyer shtëpinë në karburant dhe ia shiste atë përdoruesve të makinave. Por, ky duket të jetë rasti më i “pafajshëm” në një kohë kur vetëm dje, policia kapi disa ditë më parë një peshkarexhë në Durrës, e cila kishte në brendësi të saj rreth 80 ton naftë kontrabandë.Në 7 shtator policia kapi edhe 2.5 ton naftë kontrabandë në një peshkarexhë që po lundronte në ujë.

^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^