Ilmi Qazimi: Kryetari pa maskë dhe propaganda me naftën

E patëm parë z.Edi Rama, që të vetëksopozohej  në emisione lajmesh apo njoftime të posaçme informuese nëpër rrugë e betonime në ecje tre vetë: Ai kryetari i qeverisë, ajo zëvendendëse e kryetarit të qeverisë, dhe ai që flet-drejtor, inxhinier a ç’rëndësi ka se kush është, i cili flet pas kryetarit se ku jemi e ç’po bëjmë! Shoqëri u bën dielli, era dhe kamera. E kemi parë dendur edhe nëpër fushatë, me këmishë të dalë jashtë pantallonave, duke folklorizuar tërë çka, në skenare të improvizuara, tashmë të dalë boje, apo duke mbajtur fjalime të forta, plot humor e premtime, pa letër e të shkurtra, që përfundimi i tyre ishte po i njëjtë:”

-Unë s’jam më i miri, por më të mirë se unë nuk ka!-Fjalia tashmë emblemë e vetvetes së tij si kryetar qeverie! E kemi parë edhe të kostumosur e me kollare nëpër Evropë duke u treguar atyre lloj bosëve që na shohin sikur ne që banojmë këtu në Shqipëri jemi miza e ata janë buaj, me batuta të forta direkte, apo me fjalë të spërdredhura, që u tregon ashpër se këtu në Ballkan jemi edhe ne, se këtu nuk do ta kini lehtë…! Dhe mirë ua ka bërë dhe ua bën, bravo i qoftë! Hallall votat tona në këtë pikë! Por puna është se sa është i zoti t’iu qëndrojë këtyre pozitave? Se ndonjëherë merr yrysh dhe s’di ku shkon aq sa përplasesh me murin e fjalëve të tua! Fatkeqësisht e kemi parë edhe kurriz me kurriz me Albin-vëllain, i cili shikon te Shqipëria mëmë vetë Perëndinë, por shpesh më shumë gjen largësinë sesa afërsinë. Po ashtu e pamë edhe qafë për qafë më motrën Meloni, e cila ka nevojë për ujë nga Vlora dhe energji nga vendi fqinj!! Gjithpoaq e pamë këto ditë të nxehta gushti në një skenar -qofsha i gabuar- grotesk sikur fqiu jugor, Qiriako Micotaqis, nuk e ftoi në një lloj samiti përkujtimor, dhe kryetari ynë sikur u zemërua …por tha në tuitër se- “ato që na bashkojnë janë më të mëdha se ato që na ndajnë!?” Tani po e shohim sikur po bën që të ngjitet në një shkallare të hekurt pranë një pusi amerikan që po nxjerrka naftë në Shpirag?! Kryetari pa maskë në fytyrë e me kaskë në kokë po na flet për naftë nën tokë! Dhe ky na qenka lajmi i madh, që ne mezi e paskemi pritur!? E kush mund t’i hajë-që t’iu themi një emërtim fare të thjeshtë,- këto lloj farsash televizive? Se çfarë rezervash nafte, gazi, sulfuri, kromi, bakri dhe 17 minerale të tjera ka Shqipëria këtë e dinë të gjithë shqiptarët e vërtetë, sepse e kanë zbuluar shkencëtarët tanë të mrekullueshëm të naftës për 45 vite me radhë, të rendit ekonomiko-shoqëror socialist, nën shembullin edhe të shkencëtarëve të tjerë të Evropës. Këto janë botuar; i ka marrë vesh tërë bota. Edhe ato që kanë qenë sekrete shtetërore janë shitur e publikuar dhe nuk ka mbetur gjë që të na tregojë Edi Rama, se paskemi naftë në Shpirag!? Dhe këtë naftë po e nxjerrin amerikanët nga thellësia nëntokësore prej më shumë se 6 km! Heroizëm apo jo?! Tani, në vitin e 33 -të që më të fortët, të cilët e kanë blerë Shqipërinë, sepse ua shiti Sali Berisha dhe Edi Rama, na nxjerrin kryetarin tonë pa maskë, me kaskë dhe me kostum mbrojtës naftëtari duke pozuar në një shkallinë pusi nafte për të na dhënë lajmin për arin e zi! Realisht lajmin e zi! Sepse kësisoj po vuloset katërcipërisht skllavërimi i plotë prej Amerikës. Doli plotësisht fjala e atij fshatarit të moshuar nga një fshat i thellë  në jug të vendit tonë, që pyeti të nipin në vitin 1992:- A do të vijnë amerikanët apo ndonjë tjetër fuqi e huaj në Shqipëri?!” Nipi naiv iu përgjigj:”Dajo, amerikanët janë  mbreti i botës, ata do të vijnë patjetër dhe bile kanë ardhur!” Epo mirë or bir, tha plaku:” Shqipëri nuk do të ketë më! Të paktën ruajini emrin!” Përse nuk tregon kryetari ynë realitetin e naftës shqiptare në këto 33 vite? Ku janë 3 rafineritë e naftës dhe të gazit që kishim? Ku janë planet e shfrytëzimit racional e kapital të zonave naftë-gazmbajtëse? Ku kanë vajtur e ku venë milionat e fuçive me naftë që prodhon në këto 33 vite Shqipëria? Përse nuk kujdeset qeveria për jetën e disa fshatrave të Fierit e të Lushnjës që i kanë mbytur mbeturinat e padispilinuara të naftës e të gazit prej firmave e kompanive fantazmë? Fatkeqësisht kryetari ynë i tanishëm i qeverisë, Edi Rama dukshëm në delir, -me gjithë ‘të mirat’ që i solli këtij pak populli që mbeti këtu- na thotë se vetëm njëqind vjet njeh historia e Shqipërisë. E në këto njëqind vjet ai që e rilindi këtë popull (?!) është partia socialiste dhe unë kryetari i saj! “Po ju s’kini parë gjë akoma!” e mbyll ai fjalinë me gojë, ndërsa me shkrim në tuitër shkruan lloj-soj premtimesh, batutash, fjalish evazive-ku asnjë nuk përmend Shqipërinë, si komb me një gjuhë, një kulturë e një territor historikisht të mbrojtur me gjak. Asnjë herë nuk e zë në gojë kushtetutën që përcakton saktë kërkesat e tij si kryetar i një qeverie, lidhur më mostjetërsimin e territorit, pasurive mbi e nëntokësore, materiale e kulturore. Çoroditja e mendimit të njerëzve dhe lënia e tyre përgjithësisht në injorancë, (shkollat si ndërtesa të marrin më qafë, por si nxënës, si kuadër mësimdhënës dhe si program, mjerë ne!) ka sjellë realitetin ku njeriu kthehet në një kavie, një skllav i teknologjisë së informimit kaotik të celularit dhe i parasë. Gënjeshtrat, mashtrimet, manipulimet e të pavërtetave si të vërteta, maskat që përdoren nga deputetët dhe politikanët me shprehjet “kompromose politike”, “marrëveshje frutdhënse dy palëshe”, “vullnet politik i klasës politike” etj, për të justifikuar veprimet qeverisëse që shpien në kaos dhe katrahurë. Pështjellimi që shkaktojnë lajmet për tërheqje vëmendjeje nga shqetësimi real kryesor, manovra të karakterit psikologjik e politik si “jemi në fillesë të negociatave”, “diplomacia kërkon finesë”etj., janë një mbështetje e gjithfuqishme për arritjen e objektivit përçarës e sundues. E duam kryetarin e qeverisë që të jetë atdhetar, atdhedashës, komb mbrojtës, e jo premtues se nga nafta e Shpiragut do të dalë edhe një lloj”fondi Sovran” që dashka të na ndihmojë edhe pensionistët e Shqipërisë, pavarësisht se kujt kombi i përkasin?!? Kësaj i thonë peshku në det e tigani në zjarr! Por ky pak popull që jeton këtu, përfshi edhe jo pak nga të huajtë, nuk hanë bar, por janë të mbrujtur me atdhetarizëm të vërtetë, që sjell bereqeti shqiptar.

NOA