Kushi me më të mirët e provimit të informatizuar për “Mjekësi e Përgjithshme”: Shmanget fiktiviteti

65
Sigal

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi një takim me disa nga maturantët që morën rezultatet më të mira në provimin hyrën në programin “Mjekësi e Përgjithshme”.

Ministrja falënderoi maturantët për përkushtimin e treguar jo vetëm në provimet e maturës, por edhe një provimin e informatizuar, i cili u zhvillua për herë të parë këtë vit.

“Unë jam këtu së bashku me drejtoreshën e qendrës së shërbimeve arsimore, drejtoreshën e QSHA, për t’ju përgëzuar në radhë të parë për sukseset tuaja dhe jo vetëm për suksesin e testit të automatizuar, por për sukseset që keni arritur gjatë gjithë viteve të studimeve.

Edhe studimet në tre vite të gjimnazit, suksesi në provimet e maturës, por veçanërisht për suksesin shumë të spikatur tuajin në testin e automatizuar.”-tha Kushi.

Ministrja së bashku me drejtoreshën e QSHA-së Aurora Balliu dëgjuan opinionet dhe sugjerimet e tyre për provimin dhe fondin e pyetjeve të hartuar për këtë provim që i është vënë në dispozicion maturantëve që prej muajit dhjetor të vitit të shkuar.

“Ne sot së bashku me ju duam të zhvillojmë një bashkëbisedim pikërisht në lidhje me këtë test, dhe risitë që ne kemi ndërmarrë për programin mjekësi e përgjithshme.

Duam të diskutojmë që nga vendimi ynë për të përfshirë një test të tillë në ranikimin e maturantëve, me qëllim kryesor të shmangim fiktivitetin dhe meritokracia dhe transparenca të jetë thelbi, veçanërisht për studentët e mjekësisë sepse është programi më i kërkuar nga studentët ekselentë që janë me 10-ta. Ku diferencat mes jush janë shumë të vogla.

Duke u bazuar në mendimet tuaja dhe rezultatet e vitit të parë të reflektojmë që të bëjmë ndryshimet e duhura vitin tjetër dhe pse jo, ta shtrijmë këtë metodë edhe për programe të tjera studimi, apo ndoshta edhe për provimet e maturës.”-deklaroi Kushi.

Një vlerësim të veçantë ministrja pati edhe për maturantin Joen Kreka nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, i cili doli i pari në provimin e informatizuar për degën “Mjekësi e Përgjithshme” me 99 pikë.