Ilirjan Celibashi: Refoma Zgjedhore dhe vota e emigrantëve

76
Sigal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tërheq vëmendjen Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore që të plotësojë boshllëkun ligjor për të bërë të mundur votën e emigrantëve.

Ilirjan Celibashi: I dërguam Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë disa rekomandime mbi plotësimet në Kodin Zgjedhor lidhur me votimin nga jashtë vendit. Sikurse Anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore mund të jenë në dijeni, Gjykata Kushtetuese me vendimin Nr. 38 datë 09.12.2022 (V-38/22) në lidhje me votimin nga jashtë vendit ka vendosur: – Pranimin e pjesshëm të kërkesës së kërkuesit Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”; – Konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor; – Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti. Sikurse mund të kuptohet edhe nga urdhërimi i Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i boshllëkut ligjor në lidhje me votimin nga jashtë sa më shpejt të jetë e mundur, krijon kushtet objektive për KQZ Shqipëri për miratimin e akteve përkatëse nënligjore, si dhe përgatitjen e kushteve për realizimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet e radhës për Kuvendin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon gatishmërinë për të dhënë çdo kontribut që do të kërkohet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore apo Kuvendi i Republikës së Shqipërisë lidhur me çështje të natyrës rregullatore dhe teknike sa i takon realizimit të votimit nga jashtë.